MALIQ- Fermerët e prekur nga përmbytjet kanë protestuar paraditen e kësaj të marte përpara Bashkisë së Maliqit, duke kërkuar dëmshpërblim nga shteti për demet ne prodhimet bujqesore.

Fermerët akuzojnë se përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit, sic eshte mospatrimi i kanaleve kulluese dhe demtimi i argjinaturave në lumin Devoll, të cilat do të parandalonin përmbytjen e sipërfaqeve të mëdha bujqësore.

 Ata theksojnë se e gjithë toka është mbuluar nga uji dhe se deri më tani nuk kanë marrë asnjë mbështetje konkrete nga institucionet shtetërore.

Shprehin mosbesim per kompesimin, ndaj kërkojnë takim me ministrin e bujqesise, Andis Salla për t’i dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.

Fermerët paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë dëmshpërblim te drejte, do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar rrugën.

Protesta e sotme është monitoruar  nga forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat u pozicionuan në hyrje të Bashkisë së Maliqit.

Zona e Maliqit renditet ndër më të prekurat nga përmbytjet në qarkun e Korçës. Sipas të dhënave të fundit, rreth 3 600 hektarë tokë bujqësore e mbjellë me grure dhe patate ndodhen ende nën ujë, duke shkaktuar dëm te madh ekonomik për ta.