TIRANE, 2 Shkurt/ATSH/- Situata në jug të vendit vijon të rëndohet gjithnjë e më shumë për shkak të përmbytjeve ndërsa më problematike situata paraqitet në Vlorë dhe në Fier.
Reshjet e shiut po rrisin çdo orë nivelin e lumit Vjosa. Shumë familje kanë lënë banesat e tyre ndërsa dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmën e policisë, ushtrisë dhe emergjencave civile.
Përmbytjet masive kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në jug të vendit.
Për të menaxhuar këtë situatë, në çdo qark të vendit janë ngritur Komisione të Emergjencave ndërsa është thirrur për ndihmë edhe Ushtria dhe Policia duke koordinuar punën për evakuimin e banorëve.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi në një lidhje telefonike për mediat këtë mëngjes deklaroi se situata më e vështirë është në komunat në qarkun Fierit dhe të Vlorës.
Prençi tha se e vetmja mundësi për të ndërhyrë është me mjete lundruese dhe nga ajri. Janë 5-6 familje që kërkojnë evakuim të domosdoshëm tha Prençi, ndëra në nurmin 129 të policisë Vlorë dhe Fier ka kërkesa për evakuim.
Dalja nga shtrati e lumit të Vjosës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka shkaktuar përmbytje në Novoselë, ku rreth 1200 banesa janë përfshirë nga prurjet e mëdha dhe lëvizja në fshat është totalisht e bllokuar. Fieri është qarku i cili rrezikohet më shumë nga përmbytjet e kësaj fundjave. Si pasojë e prurjeve të mëdha të Gjanicës, në dy lagje të qytetit Fier, në lagjen 1 Maj dhe Sheq, në rreth 150 banesa e biznese uji u fut brenda.
Në komunën Cakran ka përmbytje të tokave. Forcat e policisë po evakuojnë banorët dhe gjënë e gjallë. Në Poçem është përmbytur stacioni i pompave të ujit dhe Mallakastra dhe komunat përreth kanë mbetur pa furnizim me ujë. Ndërkohë që lumi i Semanit është fryrë dhe rrezikon edhe ai përmbytje.
Në qarkun e Beratit reshjet me intesitet të lartë rënduan situatën pasi uji ka pushtuar sipërfaqe të tëra të tokave si dhe banesa.
Në Elbasan u bllokua zona e shpatit për shkak të rrëshkitjeve të tokës në aksin Elbasan-Gjinar pranë fshatit Shelcan të cilat shkatërruan një pjesë të mirë të kësaj rruge. Po ashtu është bllokuar edhe rruga Elbasan-Gramsh pasi niveli i ujit ka kaluar mbi Urën e Shushicës pranë hidrocentralit të Banjës, çka e bën të pamundur udhëtimin në këtë aks rrugor. Situata paraqitet problematike edhe në qytetin e Përmetit ku uji ka vërshuar që në mëngjesin e djeshëm në rrugët e qytetit./a.gjonaj/ /a.g/