VLORE- Përmbytjet nxorën në pah problematikat e shumta që ka bashkia e Vlorës, sidomos nga mungesa e pastrimit të kanaleve. Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për rajonin jugor, Ilirjan Hasani, pushteti vendor duhet të marrë masa si për përmbytjet e dimrit ashtu dhe për zjarret e verës.
Ndërsa situata e përmbytjeve tashmë ka kaluar, vëmendja mbetet te përballimi i zjarreve dhe problematikave që ato sjellin. Hasani nënvizon nevojën për forcimin e ndërlidhjes dhe komunikimit me radio, si dhe përmirësimin e shërbimit zjarrfikës, i cili në bashkinë e Vlorës dhe në Selenicë vijon të ketë mungesa në mjete.
Viti 2025 u karakterizua nga situata të vështira, ndërsa një tjetër element që kërkon vëmendje është ndërhyrja në rrugët rurale, për të mundësuar afrimin sa më pranë vatrave të zjarrit dhe një reagim më të shpejtë.
Sipas Hasanit, kjo është periudha kur duhet të merren masa konkrete, përpara rritjes së temperaturave, ndërsa në zonat rurale duhet të ndërhyhet për pastrimin e sipërfaqeve me shkurre dhe barishte të thata.
Sa i përket problematikave të shkaktuara nga reshjet dhe rrëshqitjet e dherave, aktualisht situata ndodhet në fazën e rikuperimit. Ka nisur puna për rehabilitimin e disa akseve rrugore, ndërsa ndërhyrjet vijojnë të jenë të nevojshme në fshatin Vajzë, ku pati edhe dëmtime në banesa si pasojë e rrëshqitjeve.
Eksperienca e vitit të kaluar me zjarret mbetet një sinjal alarmi, duke e bërë të domosdoshme marrjen e masave që tani, për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Komente









