Qeveria nuk e ka ende një faturë, se sa dëm u është shkaktuar fermerëve nga përmbytjet e muajve të fundit. Në komisionin e Bujqësisë Ministri Andis Salla tha se ka mbaruar faza e evidentimeve në terren dhe se po hartohet raporti me vlerën e dëmshpërblimeve.
“Jemi në fazën ku Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë në daljen e një raporti përfundimtar për t'ia paraqitur qeverisë për dëmshpërblimet që ne do të kryejmë në raport me atë çfarë është prekur”, tha ministri Salla.
Gjithashtu ministri njoftoi se do të investohen 173 milionë euro në argjinatura për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga përmbytjet.
“Kemi parashikuar që të gjitha ë problematikat që na janë krijuar të jenë të investuar nëpërmjet bordeve të kullimit dhe atë çfarë ne jemi duke përgatitur së bashku për t'ia kaluar qeverisë një buxhet prej 173 milion euro për të gjitha argjinaturat që tashmë ne kemi bërë fizibilitetin”, tha Salla.
Njëkohësisht është intensifikuar puna për ‘Projektligjin për Sigurimin e Bujqësisë’ sipas modelit turk ‘Tarsim’, ku primi i sigurimit ndahet mes shtetit dhe fermerit.
Në komision deputeti i PD-së Saimir Korreshi ngriti si shqetësim prodhimin e lakrës që po u mbetet stok fermerëve pasi farat nuk ishin cilësore.
“Edhe pse sot realisht tregu është me tregu 80 lekë nuk e shesin dot lakrën që në dukje mund të duket e mirë por ka dalë me dy koka. Të gjithë ata që i kanë blerë farën është thonë që është blerë vetëm tek dikush që nuk përgjigjet fare, jo ka qenë një insekt, jo ka qenë një buburrec, jo trahana me gjizë”, thotë Korreshi.
“Ne kemi ngritur një grup nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për të shkuar në terren për të verifikuar rast pas rasti shqetësimin që lidhet me disa nga fermerët e prekur në këtë kultivim të lakrës. Do të dalim në një konkluzion për problematikën”, i përgjigjet ministri.
Sa i takon Skemës Kombëtare me vlerë 52 milionë euro, e cila ende nuk është finalizuar, ministri Salla tha se po vlerësohet që të jepen më shumë para për krerë bagëtish, si dhe të ulet numri i krerëve që duhet të kesh për të përfituar.
“Janë duke u reflektuar të dyja këto masa qoftë në mbështetjen e financimit për krerë, por edhe ndaj atyre për numrin e krerëve të përfitimit”, tha Salla.
Në skemën e 2025-ës duhet të kishe 10 lopë/mëshqerra për të përfituar 10 mijë lekë, si dhe 100 krerë dele/dhi për të marrë 1200 lekë mbështetje.
Po tek blegtoria zëvendësministri Dhimitër Kote sqaron se si do të jepet financimi për të rinjtë që vendosin të investojnë në stalla bagëtish.
“Për sa i përket mbështetjes me 7 deri në 10.000 euro të cilët do të mbështeten me krerë bagëti, nuk do mbështeten me buxhet. Pra, ai fermer që është i ri i cili ka një eksperiencë me stanin që i duhet qeni, i duhet kullota, i duhet salla, pra nuk është njeri që pa një ëndërr dhe u ngrit nesër në mëngjes e tha unë do bëhem lektor edhe do bëj këtë çudinë e madhe. Pra jemi në analizë të plotë të kësaj, të kushteve, kritereve që duhet të plotësojë fermeri i ri që do merret me blegtorinë, që është sektori më delikat”, tha Kote.
Ministri theksoi edhe një herë në komision se fondet e IPARD III do të hapen këtë vit, pasi sipas tij janë përmbushur të gjitha detyrimet.
“IPARDI është në hapat e duhur për të çelur fondet e Bashkimit Evropian. Dua të them që ne kemi plotësuar të gjithë detyrimet që na janë kërkuar nga ana e Brukselit dhe jemi në hapat e duhur që brenda vitit i parit të jetë për të aplikuar fermerët shqiptarë”, tha Salla.
Komente







