Ish-deputeti Lefter Maliqi është shprehur se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij po mbrojnë Belinda Ballukun nga drejtësia.
Komentet Maliqi i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku teksa citoi prokurorët e SPAK të cilët deklaruan sot se Balluku rrezikon deri në 35 vite burg, hoqi edhe një paralelizëm me rastin e Ilir Metës.
Sipas Maliqit, Ilir Meta po qëndron në qeli prej 1 viti e gjysmë, për vepra penale që nëse do të provohen, sipas tij do të rrezikonte nga 5 deri në 7 vite burg. Ndërsa Balluku sipas tij, e cila sipas SPAK rrezikon deri në 35 vite burg, nuk po i dorëzohet drejtësisë me urdhër të kryeministrit Rama.
“Është drejtpërdrejtë kryeministri Rama me Rilindjen e tij të famshme që pengojnë heqjen e imunitetit dhe që ka kohë që e pengojnë, duke filluar që para 1 muaj e kusur ditësh, që nga pezullimi që kërkoi prokurori i posaçëm Dritan Prençi, i cili duhet vlerësuar për kurajon dhe guximin. Sot pamë një mbrojtje me urdhër të Ramës nga helikopteri mbi Librazhd, mbi Korçë e mbi Vlorë.
Pra dolën fjalët e Arben Ahmetajt, që thoshte se pas çdo tenderi korruptiv fshihet nga pas Edi Rama, AKSHI i tij i famshëm, Agasi i famshëm dhe me radhë. Si ka mundësi që mbrojnë Ballukun kur prokurori i SPAK, Klod Braho, sot thotë që ajo rrezikon 35 vite burg. Madje ka edhe prova të tjera dhe thotë që një vepër penale është e përsëritur 9 herë. Si ka mundësi që kjo mazhorancë po e mbron zv.kryeministren, kur deri dje nuk ka mbrojtur asnjë? Sepse deri dje SPAK ishte i kapur nga Rama.
Si ka mundësi që ish-Presidenti Meta, që i dha pushtet, tepsi e tigan Ramës, po mbush një vit e gjysmë në paraburgim, me akuza që po t’i lexosh janë 5-7 vite po të provohen. Pse nuk ka masë lehtësuese për ish-Presidentin për të qenë në masën ‘arrest shtëpie’? Do të thotë që kemi një veprim me 2 standarde nga kryeministri. Vetë vajtja e Ballukut, njëherë 3 orë dhe njëherë 7 orë, duke vënë në rresht edhe Manjën atje, e morën për konsultim, i tregoi Ramës që ‘mua nuk më merr dot, e pësoi gjyshi im, por unë kam prova të patundshme për ty’. Sepse e dinë të gjithë që çdo gjë ndodh me dijeninë e Edi Ramës”, tha mes të tjerash Maliqi.
Kujtojmë se ditën e sotme, në një mbledhje që zgjati 5 orë, Këshilli i Imuniteteve shqyrtoi kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, pozita e së cilës, siç thanë prokurorët e posaçëm, është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg.
PS dhe PD do të dalin me dy raporte, që pritet të hidhen në votim seancën e 5 marsit. Sipas qëndrimeve aktuale, duket se socialistët nuk do ta lejojnë arrestimin e Ballukut.
Komente












me vjen keq por ky Maliqi nuk mbush fare,po fare.Gjynah i shkreti!
Përgjigju