Vërshimi i ujërave nga hapja e portave të hidrocentralit të Banjës ka lënë pas dëme të konsiderueshme në plantacionet e drurëve frutor kryesisht në bashkinë e Dimalit.

Më i prekuri është fshati Hinkë. Qindra hektar me mandarina dhe portokalle janë ende sot nën ujë. Disa nga fermerët nuk arritën dot as të mblidhnin prodhimet, ndërkohë që balta nuk lejon hyrjen brenda parcelave.  Për dëmet banorët e fshatit Hinkë fajësojnë hapjen pa paralajmëruar të portave të hidrocentralit.

“Dëmi u shkaktua si pasojë e paaftësisë të atyre që hapen portat duhet të njoftoheshim të paktën 24 orë përpara që të mernim masa për të mbrojtur çfarw të mundnim”, thotë një banorë.

Edhe pse pohojnë se komisioni i vlerësimit nga bashkia ka dal në terren, pretendojnë se nuk po bëhet një vlerësim i drejt e madje nuk kanë besim as tek dëmshpërblimi.

“Kanë ardhur nga bashkia e Dimalit, na kanë marr emrat. Nuk është bërë vlerësim real. Nuk është njëjtë si ata që i kishin drurët plot fruta si ato që kanë vitin e parë që i kanë mbjellur”, tha një banorë.

Uji që ka arritur në mbi një metër në parcelat e mandarinave dhe portokalleve sipas fermerëve të Dimalit rrezikon të thaj nga rrënjët gjithë drurët frutor, çfarë do të ishte një dëm kolosal mbi mundin e dhjetëra viteve në parcelat e tyre.

“Dëmet janë të mëdha. Për një muaj u përmbytem dy herë. Shteti të na mbështes. Pemët e përmbytura rrezikojë kalbjen nga rrënjët”, tha banori.

Për fermerët, mungesa e dëmshpërblimit as për të dytën herë brenda një muaji do të thotë falimentim që detyron emigrimin jashtë vendit.