Partia e Lirisë ka reaguar sot për situatën e përmbytjeve në Durrës, duke e cilësuar atë si pasojë të drejtpërdrejtë të një modeli qeverisjeje që, sipas saj, ka lënë prej vitesh interesat e qytetarëve në plan të dytë.

Në një deklaratë për shtyp, anëtarja e PL-së në Këshillit Bashkiak të Durrësit, Anisa Ibraj, ka kritikuar keqpërdorimin e parave publike, të cilat, sipas saj, nuk janë kthyer në investime konkrete në infrastrukturë që do të mbronin qytetin nga përmbytjet e përsëritura.

"Situata e përmbytjeve në qytetin e Durrësit nuk është as e papritur dhe as e pashpjegueshme. Ajo është pasojë direkte e në menyrë qeverisjeje ku interesat e qytetarëve jane lënë prej vitesh në plan të dytë, ndërsa paratë publike nuk janë kthyer në sherbime dhe mbrojtje per komunitetin.Durrësi sot nuk vuan nga kushtet atmosferike, por nga një model administrimi ku investimet jane të copëzuara, të përkohshme dhe pa ndikim afatgjatë. Infrastruktura urbane është lënë pa mirëmbajtje, ndërhyrjet janë sporadike dhe reagimi vjen vetëm pasi dëmi është konsumuar" tha ajo 

Si anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit, Ibraj u shpreh se do të kërkojë transparencë në përdorimin e fondeve publike dhe që interesat e qytetarëve të jenë prioritet në vendimmarrjen vendore. Ajo theksoi se qyteti nuk duhet të mbetet peng i një administrimi që, sipas saj, nuk ua kthen taksat qytetarëve në shërbime konkrete.

"Durrësi ka nevoje për një orientim të qartë të fondeve publike drejt infrastrukturës bazë, për planifikim afatgjatë dhe për nderhyrje që mbrojnë jetën, pronën dhe aktivitetin ekonomik të qytetarëve" tha ajo.