Pas dërgimit të një kontigjenti të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, Prishtina dërgon të tjera ndihma për njerëzit e përmbytur në jug të Shqipërisë. 15 kamionë me ndihma ushqimore dhe veshmbathje kanë kaluar pikën kufitare të Morinës për të shkuar më pas drejt jugut, në familjet e përmbytura.
Ndihmat janë mbledhur nga 300 biznese kosovare, ndërsa vlera totale e këtyre ndihmave është mbi 200 mijë euro. Procesin e shpërndarjes së ndihmave do e ndjek nga afër ambasadori i Shqipërisë ne Kosove Qemal Minxhozi.
Minxhozi: Ka një solidaritet shumë të madh "Është një sensibilizim i bizneseve të Kosovës për situatën e vështirë në zonat e Vlorës, lidhur me përmbytjet e fundit. Ne si ambasadë dje organizuam një takim me këto biznese dhe kishte një angazhim shumë të madh. Karvani me 15 kamionë janë nisur drejt Shqipërisë, ndihmat konsistojnë në ushqime për njerëzit dhe bagëtitë, si dhe batanije e veshmbathje. Është një ditë e ftohtë dimri këtu në Morinë por një ditë shumë e ngrohtë solidariteti”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në një lidhje telefonike për A1 Report.