Përmbytjet në jug, qeveria 
përgatitet për ndryshim buxheti

Përmbytjet në jug, qeveria <br />përgatitet për ndryshim buxheti
TIRANE - Përmbytjet masive të tokave bujqësore dhe dëmtimi i mijëra shtëpive si pasojë e reshjeve të shumta pritet të kenë një kosto të lartë për buxhetin e shtetit, në rast se qeveria vendos të dëmshpërblejë nga buxheti të dëmtuarit.

Duke marrë në konsideratë kostot e mëparshme nga përmbytje të tjera në vendin tonë, kryesisht në zonat veriore, mund të bëhet vetëm një bilanc i përafërt i këtyre kostove. Sipas të dhënave nga ministria e Brendshme, aktualisht janë rreth 13.500 hektarë tokë të prekura nga katastrofa dhe 1.700 shtëpi të dëmtuara.

Zona e nën-Shkodrës dhe fusha e Lezhës gjatë periudhës së ndërrimit të viteve 2009 – 2010 pësuan një përmbytje të ngjashme me zonat jugore të vendit, për shkak të reshjeve të shumta. Në atë kohë, hidrocentralet në basenin e lumit Drin u detyruan që të hapin portat e shkarkimit duke përmbytur zona të gjera dhe duke rrezikuar jetën e banorëve në komuna të shumta.

U përmbytën 10 mijë hektarë tokë, ndërsa u prekën nga dëmtimet 470 shtëpi. Kostoja totale e kësaj katastrofe, pas përllogaritjes së ministrisë të Bujqësisë arriti në 12 milionë dollarë. 

Sigurisht që përmbytjet e shkaktuara këto ditë në Jug të vendit janë më të mëdha, edhe për faktin se kanë një shpërndarje gjeografike më të gjerë duke prekur më shumë qytete dhe komuna.

Kështu, duke marrë shkas nga fatkeqësitë e mëparshme, ku për 10 mijë hektarë tokë bujqësore të përmbytur u deshën 12 milionë dollarë, pritshmëritë për kostot e përmbytjes aktuale të diçka më shumë se 13.500 hektarë tokë arrijnë në 15 deri në 20 milionë dollarë.

Qeveria po shikon aktualisht variantin e rishikimit të shifrave të buxhetit 2015, sipas ministrisë së Financave, e pyetur nga TV A1 Report. Kështu pritet që të përdoret një pjesë e fondit rezervë të qeverisë, që është për këtë vit 1.5 miliardë lekë. Kjo, që në fillim të vitit, do ta pakësonte rezervën duke rritur riskun për pjesën tjetër të vitit.

Nga ana tjetër, e mundur është edhe rishikimi i shifrave të buxhetit, për të alokuar fonde nga programe të tjera në favor të fondit rezervë dhe ministrive të Bujqësisë e Ujërave dhe asaj të Brendshme, për të përballuar situatën e krijuar, në ndihmë të familjeve të dëmtuara.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE