Deputeti dhe drejtuesi politik i qarkut të Beratit, Eno Bozdo, ka denoncuar situatën e përmbytjeve në Kuçovë, veçanërisht në fshatrat Kozare, Salce-Kozare dhe Ferras.

Përmes një deklarate për mediat, Bozdo është shprehur se përmbytjet në Shqipëri u shkaktuan kryesisht nga vjedhja e fondeve për të përballuar raste të kësaj natyre.

Duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, Bozdo tha se PD po përgatit padinë për shkaktarët e këtyre përmbytjeve, që sipas tij, ishte tërësisht e parandalueshme.

Bozdo shënjestroi direkt edhe pushtetin vendor, në rastin konkret Bashkinë Kuçovë, e cila sipas tij duhet të kishte lajmëruar banorët e saj për hapjen e portave shkarkuese, në mënyrë që këta të merrnin masa për të minimizuar dëmet.

Deklarata e plotë:

Prej një jave tashmë, banorët e qarkut Berat, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Durrës dhe Lezhë po vuajnë pasojat e neglizhencës dhe korrupsionit të qeverisë dhe ndodhen aktualisht në mëshirë të fatit prej përmbytjeve të shkaktuara jo aq nga moti, sa nga vjedhja e fondeve për të përballuar raste të tilla!

Qindra hektarë tokë janë përmbytur në Kuçovë, veçanërisht në Kozarë, Salcë-Kozarë dhe Ferras. Përmbytja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka ardhur si pasojë e hapjes pa asnjë paralajmërim të portave shkarkuese të hidrocentralit të Banjës.

Banorët e Kuçovës dhe në veçanti të Kozarës, Salcë-Kozarë dhe Ferras, janë gdhirë papritur dhe pa paralajmërim nën mëshirë të fatit, nën përmbytjen totale të shkaktuar nga ujrat e Devollit dhe nga ato që hapen menjëherë me portat shkarkuese.

Qindra e ndoshta mijëra hektarë tokë janë përmbytur, qindra familje dhe fermerë kanë pësuar dëme të pallogaritshme nga kjo katastrofë jo aq natyrore, por e shkaktuar nga keqmenaxhimi, dhe jo vetëm nga ana e subjektit që operon në lumin Devoll, por mbi të gjitha nga ana e pushtetit vendor, i cili duhet t’i kishte paraprirë kësaj situate dhe të kishte njoftuar me kohë banorët për përmbytjen e shkaktuar nga njeriu, dhe jo nga kushtet e motit.

Këtë procedurë e kërkon ligji, dhe ligji është shkelur tërësisht!

Menaxhimi i shkarkimeve është qartazi i përcaktuar në Rregulloren e Digave, dhe sigurisht, nëse procedura do të ishte ndjekur me rigorozitet, shkarkimet pjesore do të kishin filluar prej ditësh, sepse ishte shumë i qartë fakti se parashikimi i motit tregonte për reshje të shumta gjatë gjithë javës së kaluar.

Për më tepër, pushteti vendor, domethënë Bashkia Kuçovë, duhet të kishte lajmeruar banorët e saj pikërisht për hapjen e portave shkarkuese, në mënyrë që këta të merrnin masa për të minimizuar dëmet. Por as kjo nuk është bërë. Kjo tregon një paaftësi dhe neglizhencë totale nga ana e Bashkisë Kuçovë, dhe për këtë gjë, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

Dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha. Për momentin, asnjë ndihmë konkrete në terren, përveç premtimeve për mbështetje. Dy muaj më parë, e njëjta histori përmbytje ndodhi me Dimalin, Kuçovën dhe Beratin. Kërkesën tonë për dëmshpërblim të plotë të familjeve dhe fermerëve, qeveria e hodhi poshtë me arrogancë.

Por në rastin konkret, kemi të bëjmë me një përmbytje plotësisht të menaxhueshme, nëse do të funksiononin hallkat e qeverisjes qendrore dhe vendore. Kështu kjo është një përmbytje e shkaktuar nga njeriu, dhe jo nga Perëndia.

Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e gjendjes së “Fatkeqësisë Natyrore”, prandaj po e ripërsëris këtë thirrje! Për familjarët dhe fermerët e Kuçovës dhe Dimalit, si dhe për çdo familje, fermer, qytetar të prekur sadopak nga kjo përmbytje, kërkojmë edhe një herë dëmshpërblim të plotë 100% për dëmin e shkaktuar.

Në rastin konkret, po përgatisim padinë për shkaktarët e kësaj përmbytje, e cila ishte e parashikueshme dhe mund të minimizohej.

Shkaktarët do të përballen me ligjin.