Përmbytjet e ditëve të fundit kanë prekur sërish fushën e Spitënit në Lezhë. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit prej 10 ditësh, duke shkaktuar dëme të shumta në sektorin e bujqësisë.

Përballë përmbytjeve të vazhdueshme, fermerët janë ngritur në protestë. Ata thonë se kjo është hera e tretë që përballen me këtë situatë në harkun kohor të 40 ditëve dhe humbjet për ta janë tepër të mëdha.

“Këto janë 15 parcela në Spitën, që janë të përmbytura. Është hera e tretë në 40 ditë. Kam 60 dynym grurë dhe 150 dynym jonxhë. U regjistruam te njësia bashkiake, nuk ka ardhur akoma akoma fondi për përmbytjen e dytë. Keqmenaxhimi nga ana e pushtetit, mosfunksionimi i hodrovorit. Vetëm unë mund të kem 15 milionë lekë të vjetra dëm”, tha një fermer.

“Nuk është viti i parë, është hera e tretë që përmbytemi. Nuk ka ardhur askush, dëmet janë kolosale. Vijnë njëherë, premtime boshe. Absolutisht nuk kemi marrë lekë dhe as nuk do t’i marrim. Na dëmton jashtëzakonisht rëndë, diskutohet garantimi i bukës për 12 muaj, ushqimi i blegtorisë, dëme sa të duash.”, u shpreh një fermer tjetër.

Fermerët e Spitënit kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara, pasi sipas tyre përmbytjet kanë ardhur si pasojë e neglizhencës dhe mosveprimit të institucioneve.

“Dëme sa të duash, hera e parë ka qenë më 19 nëntor. Jonxha, 220 rrënjë ullinj i kam në ujë. Erdhi e dyta, tani nuk kam shpresë më. Shi ra, por jo aq sa të kemi përmbytje masive. Kanalet janë të papastruara. Të verifikohen dëmet, çdo fermer ka dëme, kush më shumë e kush më pak”., sipas një fermeri.

“Për mua, është vepër e njeriut, jo e natyrës, u hap argjinatura. E mbyllën argjinaturën, u hap për së dyti. Dikujt i prishet interesi për të hedhur ujë në lagunë. Atje janë hedhur inerte për të ndërtuar, i prishet interesi për të thith pompat. Dy javë në qetësi ne, që të kullojë toka. Bujqësinë, aplikuam për herë të parë, nuk na parë njeri”, deklaroi një tjetër fermer.

Përgjatë viteve të fundit, në fushën e Spitënit, Bashkia Lezhë ka ndërhyrë në hapjen e kanaleve kulluese, por toka është në kuota të ulëta dhe kur ka reshje shiu me intensitet të lartë, uji nuk evadohet, duke krijuar përmbytje.