Pedro Sánchez nuk lëviz nga qëndrimi i tij: “Jo luftës”, edhe pse nga Uashingtoni kanë ardhur kërcënime nga presidenti Donald Trump.
Kryeministri spanjoll tha se Spanja nuk do të bëhet pjesë e një lufte që, sipas tij, mund të jetë katastrofike për botën.
“Nuk do të bëhemi bashkëpunëtorë në diçka shumë të keqe për botën vetëm nga frika e hakmarrjes së dikujt”, tha ai në një deklaratë pa praninë e gazetarëve.
Sanchez mbrojti qëndrimin e qeverisë së tij progresiste dhe kujtoi çfarë ndodhi me luftën në Irak. Ai përmendi aleancën e fortë të asaj kohe mes George W. Bush, Tony Blair dhe ish-kryeministrit spanjoll José María Aznar nga Partia Popullore.
“Ishte e papranueshme”, tha ai. “Ne nuk mund të luajmë ruletë ruse me të ardhmen e miliona njerëzve”.
Kryeministri spanjoll u distancua nga regjimi iranian, por tha se lufta nuk është zgjidhje.
“Ne e refuzojmë regjimin e ajatollahëve, por gjithashtu refuzojmë këtë konflikt dhe kërkojmë një zgjidhje diplomatike dhe politike. Është naive të mendosh se zgjidhja është dhuna. Spanja kërkon fundin e armiqësive”.
Sipas tij, çështja nuk është nëse vendet janë apo jo në anën e ajatollahëve.
“Askush nuk është me ta. Pyetja është nëse jemi në anën e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare” tha ai.
Pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin Donald Trump, Sanchez la të kuptohet se operacioni i SHBA dhe Izraelit kundër Iranit mund të ketë edhe interesa të tjera pas, duke thënë se synon të “mbushë xhepat e pak njerëzve”.
Ai u dërgoi edhe një mesazh liderëve europianë, duke thënë se ndjekja servile nuk është mënyra për të udhëhequr përgjigjen ndaj një konflikti të ri në Lindjen e Mesme.
Në të njëjtën kohë kërkoi respekt për Spanjën si anëtare e Bashkimit Europian, e NATO-s dhe si aktor ndërkombëtar.
Në fund, Sanchez kërkoi që Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Irani të ndalin armiqësitë dhe ta zgjidhin konfliktin me diplomaci.
“Duhet të kërkojmë që të ndalen para se të jetë shumë vonë. Një akti të paligjshëm nuk mund t’i përgjigjesh me një tjetër. Kështu nisin katastrofat e mëdha të njerëzimit”, tha ai.
Sanchez mendoi gjatë përpara se të jepte këtë përgjigje zyrtare ndaj kërcënimeve të presidentit Donald Trump. Një ditë më parë, Trump kishte njoftuar ndërprerjen e tregtisë dypalëshe pasi Madridi refuzoi përdorimin e bazave amerikane në territorin spanjoll për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
“Spanja është një aleat i keq. I kam thënë Scott Bessent se po i presim të gjitha lidhjet me Spanjën”, tha Trump.
Ai shtoi gjithashtu se Spanja kishte thënë se SHBA nuk mund të përdorë bazat e saj, por sipas tij Uashingtoni mund të përdorë çdo bazë që dëshiron.
“Ne mund të fluturojmë thjesht atje dhe t’i përdorim. Do të vendosim vetë çfarë të mos përdorim”, tha ai.
Më herët gjatë javës, ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares tha se bazat që përdoren bashkë me SHBA janë nën sovranitetin e Spanjës dhe funksionojnë sipas traktatit mes dy vendeve.
“Sovraniteti ynë dhe traktati përcaktojnë si mund të përdoren këto baza”, tha ai, duke shtuar se Madridi nuk pret pasoja nga kjo çështje.
Në mes të këtij tensioni të fortë, qeveria spanjolle thekson se Spanja është një anëtare kyçe e NATO-s, respekton angazhimet e saj dhe kontribuon në mbrojtjen e territorit europian.
Spanja është gjithashtu një nga eksportueset kryesore të Bashkimit Europian dhe ka marrëdhënie tregtare me 195 vende në botë, përfshirë edhe SHBA-në.
Qeveria spanjolle thotë se nëse administrata amerikane dëshiron të rishikojë këto marrëdhënie, kjo duhet të bëhet duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas Madridit, vendi ka burime për të zbutur çdo ndikim të mundshëm ekonomik dhe për të mbështetur sektorët që mund të preken, duke diversifikuar edhe zinxhirët e furnizimit.
Mesazhi i qeverisë është se ajo do të vazhdojë të punojë për tregti të lirë dhe bashkëpunim ekonomik mes vendeve, mbi bazën e respektit reciprok dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Qytetarët kërkojnë dhe meritojnë më shumë prosperitet, jo më shumë probleme”, thuhet në qëndrimin e qeverisë spanjolle./CorrieredellaSera
Komente












