SHKODËR - Plot 18 familje që banojnë pranë lagjes Livadheve në qytetin e Shkodrës nuk kanë pranuar të evakuohen nga banesat e tyre edhe pse ishte dhënë urdhër për t’i lëshuar ato pasi rritja e nivelit të ujit përreth banesave mund të shkaktonte përmbytjen.

Në fakt kanë qënë vete banorët që në fillim kanë kërkuar të evakuohen por pasi kanë mbërritur forcat e ndërhyrjes së shpejtë për evakuimin e tyre, banorët nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zona periferike e Livadheve është përfshirë në hartën e përmbytjes për shkak të fryrjes së liqenit të Shkodrës gjatë 48 orëve te fundit. Përvec përmbytjes tashmë këtyre banorëve u duhet të përballen edhe me mungesën e ujit të pijshëm. Bashkia e Shkodrës kishte vendosur në dispozicion të këtyre banorëve konviktin e shkollës industriale për ti akomoduar deri sa uji të tërhiqej dhe të rikthehej normaliteti. Por pavarësisht kësaj situate banorët kanë refuzuar duke qëndruar pranë banesave të tyre ku tashmë u duhet të përballen me probleme të shumta.
 
Dje dalja nga shtrati e Liqenit të Shkodrës ka bërë që uji të dalë në pedonale pranë urës së vjetër të Bunës.

Shkak i rritjes së nivelit janë bërë prurjet e mëdha nga lumi Moraca në Mal të Zi si dhe shkrirja e dëborës. Ndërkohë që rritja e nivelit të lumit Drin pengon derdhjen e liqenit në det. Si pasojë e fryrjes së liqenit uji ka dalë edhe në aksin Shkodër- Shirokë në 3 vende të ndryshmë të këtij aksi, ndërsa në qendër të Shirokës ka prezencë uji. Situata ka vazhduar të përkeqësohet që prej mbrëmjes së djeshme.

DJE NE TOPHANE 40 BANESA TE RRETHUARA NGA UJI

Ndonëse ishte parashikuar që Bypassi të pengonte përmbytjen e qytetit kjo nuk ka ndodhur. Afro 40 banesa në zonën e Tophanës janë të rrethuara nga uji. Banorët shprehen se ndihen te frikësuar pasi niveli i ujit është në rritje ndërkohë deri tani askush nuk është interesuar për të parë situatën e vështirë në të cilën ato ndodhen

Duket se investimi i papërfunduar i Bypassit nuk ka parandaluar vërshimin e ujit drejt banesave pranw “Ish-shtëpise së Mushkonjave”, në zonën e Livadheve si dhe pranë “ish Zukthkashtës”. Banorët e këtyre zonave i kanë humbur shpresat për dëmshpërbilim duke qënë së në 2010-tën komisioni i verifikimit të dëmeve ka qënë në këtë zonë por asnjëherë nuk kanë përfituar nga dëmshperblimet
Redaksia online
(ar.sh/sg./shqiptarja.com)