Prej gati një jave vendi ynë u përfshi nga moti i keq dhe me reshje të dendura shiu të cilët shkaktuan përmbytje, daljen e disa lumenjve nga shtrati, rrëshqitje dherash apo shembjen e disa urave.

Në lidhje me këtë gjendje i ftuar në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’, ishte Agron Haxhimali, Drejtori i Institutit për Bashkitë Shqiptare.

“Jam i keqardhur që kemi një jetë të humbur, fshatra të izoluar, dëme të mëdha, shpresoj që të kalojnë shumë shpejt. Shqipëria është një vend shumë i brishtë, nuk kemi imunitetin e duhur për të përballuar situata të tilla”, tha eksperti Haxhimali.

Ndër të tjera ai shtoi se për të parandaluar fatkeqësi të tilla duhet të punohet në çdo ditë të vitit, jo vetëm në kohën kur ‘pushtohemi’ nga moti i keq.

“Për 2026-ën, 61 bashkitë kanë si fond 11 milionë euro për kullimin dhe vaditjen. Por a mjafton kjo? Sistemi ynë është i amortizuar, terreni është i disfavorshëm për situata të tilla. Puna për përmbytjet duhet të bëhet në çdo ditë të vitit, për shembull nuk duhet të bëhen ndërtime afër digave apo buzë lumit”, shtoi ai.

Në fund të fjalës së tij Haxhimali theksoi se duhet të punojmë më tepër që bashkitë të përballojnë fatkeqësi natyrore të tilla.

“Ne duhet të forcojmë bashkitë për të parandaluar situata të tilla. Jemi në situatë krize. Gati çdo muaj ka emeregjenca. Thuajse 12 qarqet u prekën nga kjo situatë”, tha eksperti Haxhimali ndërsa theksoi se grupet e punës nga bashkia duhet të fillojnë menjëherë punën për dëmshpërblimin e qytetarëve.