Prej më shumë se një muaji, në lagjen Sede të Përmetit ka rrëshqitur masivi i dherave nga mali, duke përmbytur 10 banesa. Situata është mjaft kritike dhe Bashkia ka kërkuar ndihmën e Shërbimit Gjeologjik për të bërë një vlerësim, pasi erozioni është kërcënim i vazhdueshëm për banorët.
***
Pamjet me dron që sjell Report TV tregojnë qartë përmasat e rrëshqitjes masive të dheut që ka zbritur nga mali drejt zonës së banuar. Më datë 7 janar, 10 familje që jetojnë në lagjen Sede u evakuuan përkohësisht në konvikte. Tashmë ata janë kthyer në banesa, ku gjithcka është nën pushtetin e baltës dhe inerteve. Pemët janë shkulur, ndërsa toka duket e spostuar në disa metra, me çarje të dukshme përgjatë shpatit.
“Kërkojmë ndihmë, sepse deri më sot nuk kemi marrë asnjë. Rrezikojmë, shtëpia mund të bjerë”, thotë një banor.
“Ishte ora 21:00. Ra si tërmet dhe balta na erdhi te dera. Erdhi policia dhe na nxori. Toka ka shkarrë mbi 20 metra thellë”, shprehet një tjetër.
“Ra mali natën dhe balta na hyri brenda. Na çuan në konvikt. Jemi kthyer, por jemi të pasigurt”, thotë një tjetër.
Edhe pse reshjet kanë pushuar, nga pamjet me dron shihet se rreziku është ende prezent nga masa e madhe e dherave që qëndron mbi banesa.
Bashkia e Përmet ka kërkuar ndihmën e Shërbimi Gjeologjik Shqiptar për një vlerësim teknik të situatës, ndërsa priten konkluzionet për ndërhyrje emergjente.
“Në datë 6-7 janar ka pasur rrëshqitje të interteve në lagjen Sede të Permetit. Kemi kontaktuar Shërbimin Gjeologjik. Ne jemi në pritje të këtij studimi për të marrë masa. Janë bllokuar ditën e ngjarjes 4 familje. Nuk e dimë si do te ndërhyjme se ne s’kemi burime njerëzore, s’kemi specialist për të bërë një vlerësim të situatës së shkaktuar nga erozioni”, thotë Flori Hasani, nënkryetari i Bashkisë.
Kur ka kaluar një muaj pa përgjigje, banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa frika për një tjetër rrëshqitje mbetet e pranishme çdo ditë.
Komente









