Është identifikuar personi i dytë, i cili akuzohet se ka përndjekur nga pas një 16-vjeçare, e cila siç u raportua dy ditë më parë, në gjendje të rënduar psikologjike tentoi të dëmtonte veten me mjet prerës.
I identifikuari është A. H., 27 vjeç, i cili ishte urdhëruar nga Jetmir Llanaj, aktualisht i burgosur në burgun e Peqinit, për të ndjekur 16-vjeçaren, me të cilën ai kishte pasur raport përpara se të arrestohej në mars.
E mitura denoncoi rastin në polici, ku gjatë dhënies së deklaratës, ajo ka goditur dhe oficeren e policisë.
Nën hetim është vendosur gjithashtu dhe nipi i 27-vjeçarit, gjithashtu i mitur, pasi ka kanosur nëpërmjet telefonit, 16-vjeçaren për të tërhequr kallëzimin.
“-në vijim të njoftimit të dhënë më datë 21.10.2025, mbi kallëzimin e një të miture, se ishte përndjekur nga 2 shtetas (njëri prej tyre, aktualisht në IEVP), informojmë se si rezultat i hetimeve të kryera në lidhje me këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 identifikuan shtetasin tjetër që dyshohet se ka përndjekur 16-vjeçaren, A. H., 27 vjeç. Vijojnë kërkimet për kapjen e 27-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, në gjendje të lirë për një të mitur(nipi i shtetasit J. Ll) pasi dyshohet se ka kanosur në anë të celularit 16-vjeçaren, për të tërhequr kallëzimin”, njofton policia.
Report Tv, raportoi dy ditë më parë, se Jetmir Llanaj ka pasur lidhje me 16-vjeçaren përpara se të arrestohej në mars. Pas arrestimit të tij, e mitura njohu një tjetër djalë. Llanaj urdhëroi 27-vjeçarin të ndiqte të miturën dhe t’i raportonte çdo lëvizje të saj. Kjo përndjekje e vazhdueshme ka çuar në përkeqësim të gjendjes psikologjike të vajzës.
Jetmir Llanaj 46 vjeç, ka qenë më herët i dënuar për vrasje, pasi u hakmor për vrasjen e djalit të tij 9-vjecar. Së fundi është arrestuar për gjobvënie.
Komente









