Përpjekje për t’u vetëshpallur “viktima” të Perëndimit!

Përpjekje për t’u vetëshpallur “viktima” të Perëndimit!

Sali Berisha

Sali Berisha me sa duket është bërë xheloz që po hapen fjalë vetëm për burgosjen e Ilir Metës. Për t’ia bërë më të fortë ndjesinë se ata janë të dy të rrezikuar nga burgu dhe se ndaj tyre ka një komplot ndërkombëtar, ai nuk duroi dot dhe dje në mbrëmje, 24 orë pasi po debatohej për letrën e Adriatik Llallës, ai shpiku një lajm tjetër. Këtë radhë për ta bërë të plotë “tablonë sinoptike” të armiqve të tyre, ai përfshiu ambasadoren Vlahutin, e cila paskësh kërkuar arrestimin e tij. Dhe këtë e ilustroi dhe me një “diplomat digital”, i cili i kishte treguar se ambasadorja kishte dyshimet se Berisha e përgjonte në zyrë.

E gjitha kjo është vazhdimi i përpjekjes për ta shantazhuar Ilir Metën dhe për ta mbajtur të lidhur fort në paranoja, fatin e tij me opozitën, dhe për ta rreshtuar në një front kundër diplomatëve të SHBA dhe BE në Shqipëri.

Ajo që opozita duket se ka nevojë, është të ndjehet viktimë e një shantazhi Perëndimor për “peshq të mëdhenj” në Shqipëri, dhe përmes kësaj linje viktimizimi, të mbajë të lidhur LSI me PD, në zgjedhjet që po afrohen.

Edhe pse nuk ka ndonjë pasiguri se LSI mund të iki nga aleanca me PD, frika nga pazaret e rritura para zgjedhjeve dhe paqëndrueshmëria politike e tyre, janë një arsye e fortë që të forcojnë paranojën, se ata i pret një fat i përbashkët, dhe shumë i keq.

Në të vërtetë, nuk do ishte gabim të arrestohej secili prej politikanëve të rëndësishëm të Shqipërisë këto 25 vjet. Kudo që të vësh dorën, nuk bën ndonjë gabim të madh. Problemi është se nuk ka ndonjë plan për arrestime, përveçse një projekti për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për të trimëruar drejtësinë të trokasë në dyert e politikës së lartë.

Dhe Berisha, Meta e kushdo tjetër, e di këtë. Beteja e tyre kundër reformës në drejtësi, nuk ka të bëjë me frikën nga drejtësia shqiptare, por me ndikimin që kanë siguruar Perëndimorët në strukturat e drejtësisë dhe për këtë këtë janë nisur të ngrejnë një paranojë të re kundër tyre.

Ajo që është shpikur në letrën e Adriatik Llallës dhe që natyrisht është hetuar nga SHBA si e pavërtetë, tani po vazhdohet prej Berishës për Brukselin, për të kompletuar dhe gjeografikisht dhe politikisht linjën e viktimizimit të tyre nga Perëndimi.

Edhe pse është diçka e sajuar prej Berishës, i cili kërkon të duket viktimë e Perëndimit, ajo në fakt po zgjon një shpresë të rremë në shoqëri dhe po besohet më shumë nga kundërshtarët e Berishës, se sa nga mbështetësit e tij. Berisha mendon se shqiptarët mërziten nëse ai arrestohet, por në fakt mund të ndodhë e kundërta.

Kështu që përpjekja për të sulmuar Perëndimin përmes viktimizimit të tyre, nuk vlen. Ky sulm vlen vetëm për të bërë bashkë Sali Berishën e Ilir Metën kundër Perëndimit.

Duke dashur të njehsojë Metën me luftën e ndyrë politike kundër Perëndimit, Berisha po tenton ta fusë atë në një spirale pa kthim, të përpjekjes për t’i rezistuar reformës në drejtësi dhe sidomos nuklit Perëndimor brenda saj.

Kjo është lëvizja e vetme më e strukturuar politike kundër fyrmës Perëndimore në Shqipëri, duke tentuar ta paraqesin Perëndimin, si “gjuetar shtrigash” në Shqipëri dhe sistemin e ri të drejtësisë, një mekanizëm spastrimi politik në duart e tyre. Për më tepër tani në prag të hapjes së negociatave, kjo frymë është e vetmja lëvizje anti-Perëndimore në Shqipëri.

Letra e Adriatik Llallës drejtuar Departamentit të Shtetit, dhe deklarata e djeshme e Berishës kundër ambasadores Vlahutin, janë koncentrat i kësaj lëvizjeje. Shqipëria do të hyjë në histori, si vendi që ka pasur një Prokuror të Përgjithshëm që i kërkon llogari ambasadorit amerikan, pse nuk ka bërë sa duhet në luftën kundër drogës, ndërkohë që vetë paguhej për atë punë. Është po ashtu historike që ky vend ka pasur një Kryeministër dhe President, i cili ka shpenzuar një jetë të tërë politike, për çerek shekulli, duke arrestuar kundërshtarë, duke vrarë qytetarë që protestojnë dhe duke përgjuar shqiptarët, dhe tani akuzon Perëndimin se kërkon ta arrestojë.

Janë përpjekje për të prodhuar një “faj” të Perëndimit në Shqipëri, i cili u duhet si një arsye për të qenë të bashkuar kundër tij. Ndoshta ngaqë e dinë se çfarë kanë bërë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja