Përpjekjet për të qëndruar në garë mes thirrjeve të demokratëve për t’u tërhequr, një provë për fushatën e Presidentit Biden

Përpjekjet për të qëndruar në garë mes thirrjeve të demokratëve për t’u tërhequr, një provë për fushatën e Presidentit Biden

Megjithë një javë aktivitetesh elektorale, intervistash dhe këmbënguljeje se ai është kandidati më i mirë për t’u përballur me republikanin Donald Trump, presidenti Joe Biden nuk ka arritur të zbusë përpjekjet për largimin e tij nga gara për zgjedhjet e nëntorit.

Presidenti Biden po peshon gjatë fundjavës alternativat që mund të përcaktojnë drejtimin e vendit dhe të partisë së tij, ndërsa Amerika shkon drejt zgjedhjeve me një Parti Republikane të mobilizuar pas Kuvendit Kombëtar që i dha emërimin zyrtar si kandidat ish-presidentit Trump.

Ligjvënësi Mark Takano, përfaqësuesi më i lartë demokrat në Komisionin e Çështjeve të Veteranëve të Dhomës së Përfaqësuesve, shtoi të shtunën emrin e tij në listën e 36 demokratëve në Kongres, të cilët thonë se është koha që presidenti Biden të largohet nga gara. Ligjvënësi nga Kalifornia i bëri thirrje presidentit Bidenit që t'ia kalojë stafetën nënpresidentes Kamala Harris.

Ndërkohë, Senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren, i tha kanalit televiziv MSNBC të shtunën se nënpresidentja është "e aftë të marrë përsipër" bashkimin e partisë dhe përballjen me ish-presidentin Trump, nëse presidenti Biden vendos të tërhiqet.

Ligjvënës të tjerë njoftohet të flasin haptazi në ditët në vijim. Donatorët kanë ngritur shqetësime. Ndërkohë një organizatë që po i bën thirrje presidentit Biden të "Kalojë Stafetën", planifikon një tubim të shtunën përpara Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Biden ka këmbëngulur se ai është plotësisht i angazhuar për të kandiduar.

"Nuk është ndjesi e mirë të pranosh se ai nuk duhet të jetë kandidati ynë zyrtar në nëntor", tha ligjvënësi demokrat Morgan McGarvey nga Kentaki, një nga demokratët e zgjedhur që kërkojnë largimin e presidentit Biden nga gara. "Por ajo që përcaktojnë këto zgjedhje është tepër e rëndësishme dhe ne nuk mund të rrezikojmë që fokusi i fushatës të jetë diçka tjetër përveç Donald Trump-it".

Situata e tensionuar është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme për partinë dhe drejtuesit e saj, një muaj para Kuvendit Kombëtar Demokrat që duhet të ishte një moment unifikues për të emëruar presidentin e tyre aktual për t'u përballur me zotin Trump. Në vend të kësaj, partia gjendet në një udhëkryq të paparë prej disa brezash.

Këto zhvillime në kampin demokrat janë në kontrast të qartë me republikanët, të cilët, pas vitesh mosmarrëveshjesh të ashpra dhe kaotike të brendshme rreth zotit Trump, kanë përqafuar në thelb mbizotërimin e krahu më konservator të djathtë të ish-presidentit mes republikanëve, pavarësisht shpalljes së tij fajtor për pagesat e bëra në Nju Jork, dhe faktit se ai është në pritje të rezultatit të aktakuzës penale federale për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përpara sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol.

Nga shtëpia e tij në Delauer, 81 vjeçari Biden, është i izoluar fizikisht për shkak të infeksionit nga COVID-i, por edhe politikisht, mes një rrethi të vogël familjarësh dhe këshilltarësh të ngushtë. Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Kevin O’Connor tha të premten se presidenti ka ende një kollë të thatë dhe fyt të acaruar, por se simptomat janë përmirësuar.

Ekipi i presidentit këmbëngul se ai është gati të rikthehet në fushatë këtë javë, për t’iu kundërvënë atij që ai e quajti një "vizion të zymtë" të paraqitur nga ish-presidenti Trump.

"Së bashku, si parti dhe si vend, ne mund dhe do ta mposhtim atë në kutinë e votimit", tha presidenti Biden në një deklaratë të premten. “Rëndësia (e këtyre zgjedhjeve) është e madhe dhe zgjedhja është e qartë. Së bashku do të fitojmë”.

Por përtej Rehobothit, qytetit të tij në Delauer, debati dhe pasionet po intensifikohen.

Një telefonatë me rreth 300 donatorë të premten u përshkrua si humbje kohe nga një pjesëmarrës, që foli rreth takimit me kusht ruajtjen e anonimitetit. Ndërsa personi shprehu vlerësimin për nënpresidenten Harris, e cila foli për pesë minuta, pjesa tjetër e kohës u mor nga zyrtarë të tjerë që lanë mënjanë shqetësimet e donatorëve, sipas pjesëmarrësit.

Demokratët jo vetëm që janë të ndarë për atë se çfarë duhet të bëjë presidenti Biden, por atyre u mungon gjithashtu konsensusi se si të zgjedhin një pasardhës.

Demokratët që po kërkojnë që presidenti Biden të largohet, momentalisht nuk duket se janë të bashkuar rreth një plani për atë që do të ndodhte më pas. Shumë pak nga ligjvënësit e kanë përmendur zonjën Harris në deklaratat e tyre dhe disa kanë thënë se favorizojnë një proces të hapur emërimi që do t’ia jepte mbështetjen e partisë një kandidati të ri.

Senatorët demokratë Jon Tester nga Montana dhe Peter Welch nga Vermonti kanë bërë thirrje që presidenti Biden të largohet nga gara dhe thanë se do të mbështesnin një proces të hapur emërimi në kuvend.

“Një proces i hapur do të forconte cilindo që të jetë i emëruari përfundimtar”, tha senatori Welch në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press.

Demokratë të tjerë thonë se do të ishte politikisht e paimagjinueshme të anashkalohej zonja Harris, nënpresidentja e parë grua e vendit, e cila është me origjinë afrikano-amerikane dhe nga Azia juglindore, si dhe praktikisht e pamundur nga pikëpamja logjistike ndërsa një votim virtual për emërimin pritet të bëhet në fillim të muajit të ardhshëm, përpara se të çelet Kuvendi Demokrat në Çikago më 19 gusht.

Ligjvënësja nga Minesota, Betty McCollum, e cila i ka bërë thirrje presidentit Bidenit të largohet, dha haptazi mbështetjen për zonjën Harris si zëvendësuese e mundshme.

"Për t'u dhënë demokratëve një shans të fortë dhe të qëndrueshëm për të fituar Shtëpinë e Bardhë, unë po i bëj thirrje presidentit Biden të lërë të çlirojë delegatët e tij nga vota për të dhe të fuqizojë nënpresidenten Harris që të marrë përsipër të bëhet kandidatja demokrate për presidente", tha ligjvënësja McCollum në deklaratën e saj.

Është e paqartë se çfarë veprimi tjetër mund të ketë mbetur që presidenti mund ta ndërmerrte për të ndryshuar kurs dhe për të rifituar ligjvënësit dhe votuesit demokratë, të cilët kanë shqetësime për aftësinë e tij për ta mundur ish-presidentin Trump dhe për të shërbyer edhe për një mandat tjetër, pas paraqitjes së tij të dobët në debatin presidencial muajin e kaluar.

Gati dy të tretat e demokratëve thonë se presidenti Biden duhet të tërhiqet nga gara dhe të lejojë partinë e tij të emërojë një kandidat tjetër, sipas një anketimi të ri të Qendrës për Studime Publike dhe agjencisë së lajmeve Associated Press. Kjo dobëson ndjeshëm argumentin e tij pas debatit, se "demokratët e zakonshëm" janë ende me të edhe nëse disa “emra me peshë” po i kthehen kundër.

Në të njëjtën kohë, shumica e demokratëve besojnë se Kamala Harris do të bënte një punë të mirë si udhëheqëse, sipas një anketimi tjetër të Qendrës për Studime Publike dhe agjencisë së lajmeve Associated Press. Presidenti Biden, i cili u drejtoi një letër sfiduese demokratëve në Kongres duke u zotuar se do të qëndronte në garë, nuk ka shkuar ende në Kapitol për të siguruar më shumë mbështetje rreth tij, një mungesë e vënë re nga senatorët dhe ligjvënësit.

Presidenti bëri një raund bisedash virtuale me grupe të ndryshme ligjvënësish gjatë javës së kaluar – disa prej të cilave përfunduan keq. Gjatë një telefonate me Grupin Hispanik të Kongresit, ligjvënësi demokrat Mike Levin nga Kalifornia, i tha presidentit Biden se ai duhet të tërhiqej. Gjatë një takimi tjetër me Grupin Progresiv të Kongresit, presidenti Biden kaloi në pozita mbrojtëse kur ligjvënësi Jared Huffman i Kalifornisë i kërkoi të merrte në konsideratë mundësinë e një takimi me udhëheqësit kryesorë të partisë për të përcaktuar se si do të veprohet në të ardhmen.

Ligjvënësi Huffman ishte një ndër katër ligjvënësit demokratë që kërkuan të premten që presidenti Biden të tërhiqej. Por presidenti Biden ka ende mbështetës të fortë. Me gjithë zërat për tërheqjen e tij nga disa nga këto grupe, ai mori mbështetje të premten nga krahu elektoral i Grupit Hispanik të Kongresit dhe ka mbështetjen e drejtuesve në Kongres të Grupit Afrikano-Amerikan dhe Grupit Progresiv./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë