Furgoni me turistë shqiptarë përplaset në Katania të Siçilisë, 16 të plagosur (FOTO)
Një furgon me turistë shqiptarë është përfshirë në një aksident rrugor në Katania të Siçilisë. Dyshohet se pas një defekti me frenat, shoferi i furgonit ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një mur.
SIÇILI- Një furgon me turistë shqiptarë është përfshirë në një aksident rrugor në Katania të Siçilisë. Dyshohet se pas një defekti me frenat, shoferi i furgonit ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një mur në zonën Santa Venerina, në afërsi të Piazza Princessa.
16 persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej tyre është transportuar me autoambulancë në spital. Fatmirësisht, asnjë prej personave nuk ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se 13 prej tyre kishin lidhje familjare me njëri-tjetrin, dhe kishin ardhur nga SHBA dhe vende të tjera për turizëm në Itali.
Aksidenti ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 16:00. Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit por mund të ketë qenë një defekt i frenave. 118 karabinierët dhe zjarrfikësit e Acireale dhe Riposto ndodheshin në vendngjarje.
Ministria e jashtme bëri të ditur se pas aksidentit kanë kontaktuar me autoritetet italiane përmes konsullatave në Bari e Milano, ndërsa vet ministri Hasani ka komunikuar me një prej personave që u përfshinë në aksident. Përfaqësuesit e ambasadës dhe konsullatave po monitorojnë situatën e janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:17
Furgoni me turistë shqiptarë u përplas në Katania, Ministria e Jashtme: Të gjithë jashtë rrezikut për jetën, ambasada po ndjek situatën
Ministria e Jashtme ka reaguar pas lajmit se një furgon me turistë shqiptarë u përplas në Katania të Siçilisë. Në një deklaratë për mediat, ministria thotë se turistët shqiptarë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet.
Ndërkohë, ministria thotë se ambasada po ndjek situatën.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, menjëherë pas informacionit mbi aksidentin automobilistik në Katania, është vënë në komunikim me autoritetet italiane, përmes ambasadës së RSH në Romë dhe konsullatave të RSH në Milano e Bari.
Sipas informacioneve paraprake, të gjithë të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet shëndetësore e janë jashtë rrezikut për jetën. Me porosi të Ministrit Igli Hasani, përfaqësuesit e ambasadës dhe konsullatave po monitorojnë situatën e janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane”, thuhet në deklaratë.