Policia e Durrësit ka vendosur në pranga shoferin i cili një ditë më parë përplasi me makinë për vdekje të moshuarën në aksin Peqin - Rrogozhinë.
Pas aksidentit fatal, 58-vjeçari banues në Kavajë u largua nga vendi i ngjarjes.
Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit të aksidentit rrugor të ndodhur mbrëmë, në aksin “Peqin – Rrogozhinë”, ku si pasojë e përplasjes me automjet, humbi jetën shtetasja M. K., 82 vjeçe, specialistët e qarkullimit rrugor, pak orë pas aksidentit dhe largimit nga vendngjarja, lokalizuan drejtuesin e automjetit që përplasi 82-vjeçaren, shtetasin D. G., 58 vjeç, banues në Kavajë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 58-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente









