Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish shefin e Komisariatit Arjan Tasen, i akuzuar për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia teksa drejtonte gomonen në plazhin e Potamit në Himarë. Në seancën gjyqësore, Tase nuk ka kundërshtuar masën e sigurisë dhe i ka kërkuar falje familjes së të miturës dhe policisë së Shtetit. “Ngushëllime familjarëve, falje policisë së shtetit”, ka thënë Tase. Gjithashtu në dëshminë e tij ka thënë se nuk donte të ndodhte, por nëse do të rrotullonte skafin në anën e kundërt, mund të kishte vrarë familjen e tij pasi në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. 

Ndaj tij rëndon akuza 'vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte' , vepër që dënohet 15 deri 20 vjet burg. Ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e arrestoi me një akuzë më të lehtë “vrasje nga pakujdesia”, që nuk shkonte më shumë se 5 vite burg. Por prokurorja Laze, pas analizimit të provave vlerësoi se vrasja nuk kishte ardhur nga pakujdesia, pasi oficeri ka shkelur ligjin duke hyrë me dashje në zonën e përcaktuar për pushuesit. Ndërkohë prokuroria ka paraqitur një video në cilësinë e provës materiale ku dallohet se mjeti lundrues ka dalë jashtë kontrollit. Në gjykatën e Vlorës ditën e sotme nuk ka pasur asnjë familjar apo dhe qytetarë. Seanca e cila zgjati rreth 80 minuta u shoqërua me forca të shumta policie. 

Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në Plazhin e Potamit. E mitura po lahej në det kur u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Për këtë ngjarje të rëndë është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nanos.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:41
Përplasi për vdekje të miturën me gomone, Arjan Tase: Nëse do rrotulloja skafin në anën tjetër, do vrisja familjen time

1659703364_page.jpg

Në seancën gjyqësore, Arjan Tase është shfaqur i tronditur pas ngjarjes së rëndë në Himarë, ku përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia.

"Nuk do të doja kurrësesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese, ka thënë Tase. Dua t’ju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrësesi,  por fati im i keq. Në skaf kishte hipur vetëm nëna ime dhe djali im i vogël. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time. Nuk doja të ndodhte. Pashë që kishte dallgë, po qëndroja pak larg njerëzve”, tha Tase.

Ora 13:45
Lihet në burg Arjan Tase! Në seancën gjyqësore i kërkon falje familjes se 7-vjeçares dhe policisë

1659611634_ArjanTase.jpeg

Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për komisarin Arjan Tase, i cili hyri me gomone në zonën e plazhit dhe përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia. Në seancën gjyqësore, Tase nuk ka kundërshtuar masën e arrestit dhe i ka kërkuar falje familjes së të miturës dhe policisë.