Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 32-vjeçarin Hajri Bajramaj, i cili aksidentoi për vdekje 17-vjeçarin Leandro Shametaj. Ky i fundit sapo kishte lënë punën rreth orës 12 të natës të datës 28 tetor dhe po kthehej në shtëpi me motor.

Mësohen se në sallën e gjyqit Barjamaj ka kërkuar falje dhe gjithashtu pranë ambienteve të gjykatës ka pasur prezencë të familjarëve të të ndjerit.

Patriot Deraj, daja i 17-vjeçarit dhe të tjerë familjarë, ka kërkuar që të ashpërsohet dënimi për Bajramajn pasi sipas tyre, ajo ngjarje është vrasje me dashje dhe kjo thjeshtë shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

“Vërtet e ka marrë atë që meriton, por ne kërkojmë që të ashpërsohet ligji se kjo është vrasje me dashje. Të ecësh në bulevard me 200 km, të jesh i papërgjegjshëm, dy testet e alkoolit të dalin pozitiv, për ne kjo është... nuk ka fjalë, nuk po e besojmë këtë që na ka ndodhur.

Kërkojmë të ashpërsohet ligji, kjo nuk është shkelje e kodit rrugor, është vrasje me dashje”, tha daja i Leandro Shametajt.

32-vjeçari u arrestua në flagrancë për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Hajri Bajramaj po drejtonte automjetin e tij luksoz tip ‘Porsche’ në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë kur ka përplasur të riun. Leandro Shametaj fatkeqësisht ndërroi jetë në spital duke mos i mbijetuar plagëve të marra.


Lajmi kryesor:

Vdiq në aksidentin tragjik në Vlorë, momenti kur ‘Porsche’ me shpejtësi merr zvarrë 17-vjeçarin me motor (VIDEO)