VLORË- Më shumë se 11 muaj ju deshën prokurorisë së Vlorës të hetojë për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Joana Avdiaj që lahej në plazhin e Potamit në Himarë, 2 gushtin e vitit 2022.

Ish-efektivi i policisë Arjan Tase që lundronte me skaf erdhi buzë deti dhe e përplasi për vdekje të voglën. Organi i akuzës e mori zyrtarisht të pandehur ish efektin, që tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Për këtë vepër penale, parashikohet dënim maksimal deri në 15 vite burg.

Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese, dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren në plazh, disa metra larg bregut.

Në bankën e të akuzuarit do të ulen edhe 8 policë të tjerë për shpërdorim detyre, që Prokuroria e Vlorës i gjen me përgjegjësi për vdekjen e pushueses për shkak të masave që duhej të kishin marrë për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik.

Bëhet fjalë për shefin e kufirit në Vlorë, shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, 3 efektivë me detyrë trupa shërbimi në mjet lundrues, të ngarkuar me kontrollin e vijës bregdetare në Dhërmi, specialisti i rendiy në Komisariatin e Himarës dhe 2 përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake të Himarës.

Joana Avdiaj jetonte jashtë shtetit me familjen, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Tase më herët ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por ish-kryepolici Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Për këtë ngjarje u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.

Konkretisht akuzohen për shpërdorim detyre:
-Fatos Muka - shef i sektorit të kufirit, Vlorë
-Neritan Buzi - shef stacioni i Policisë Kufitare, Dhërmi
-Lavdosh Alushaj - trup shërbimi kontrolli në bregdet
-Bardhyl Mahilaj - trup shërbimi kontrolli në bregdet
-Kristi Halili - trup shërbimi kontrolli në bregdet
-Adhurim Duraj - specialist rendi në Komisariatin Himarë
-Bardhosh Alikaj - punonjës i Policisë Bashkiake Himarë
-Altin Bunaj - punonjës i Policisë Bashkiake Himarë

Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdiau godit për vdekje nga një gomonja me drejtues policin Arjan Tase, teksa ajo po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.