TIRANË-Mazhoranca ndryshon rregullat, duke shkurtuar kohën dhe procedurat për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit për rikthimin e ligjeve të miratuara në Kuvend. Ndryshimet pritet t’i përgjigjen intensitetit të kthimit të ligjeve nga presidenti aktual Ilir Meta.
Vetëm gjatë kësaj jave, kreu i shtetit Ilir Meta, ka vendosur të rikthejë për rishqyrtim në Kuvend pesë ligje, konkretisht ndryshimet në Kodin Penal, ligjin për koncesionet dhe PPP-të, ligji për miratimin e kontratës për rrugën Milot-Balldren, ligjin për miratimin e kontratës për rrugën Orikum-Llogara dhe ligjin për Akademinë e Shkencave. Përfaqësuesit e shumicës, Taulant Balla dhe Elisa Spiropali kanë paralajmëruar se këto dekrete do të rrëzohen menjëherë në shtator. Po cilat janë rregullat e reja për shqyrtimin e dekretit të Presidentit? Në seancën e fundit të sesionit të kaluar, 19 korrik 2019, u miratuan me 106 vota pro ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Mes 75 neneve të ndryshuara u amendua edhe neni 86, për shqyrtimin e dekreteve të kreut të shtetit për kthimin e ligjeve. Varianti i ri i miratuar parashikon që dekreti i Presidentit për rishqyrtim ligji futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit dhe se komisioni përgjegjës përgatit raportin për seancën plenare me propozimin për pranimin ose rrëzimin e dekretit të Presidentit brenda 4 javëve nga data e depozitimit të tij në Kuvend. Ndërkaq, varianti i mëparshëm parashikonte që komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Pra, ndryshimi i miratuar përgjysmon afatin brenda të cilit komisioni përgjegjës duhet të paraqesë në Kuvend raportin për miratimin apo rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit.
Shkurtohen procedurat
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit shkurtojnë edhe procedurat për shqyrtimin e dekreteve të kreut të shtetit për kthimin e ligjeve. Varianti i miratuar parashikon që komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura në arsyetimin për kthimin e ligjit nga Presidenti i Republikës. Vetëm në rastin e pranimit të dekretit, raporti përmban formulimet për nene të veçanta të ligjit. Po ashtu, Kuvendi në seancë plenare voton me shumicën e kërkuar në Kushtetutë për pranimin ose rrëzimin e dekretit. Ndërkaq, versioni i përparshëm parashikonte që raporti i komisionit përgjegjës përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit.
Neni 86 i Rregullores së Kuvendit i ndryshuar
Dekreti i Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligji
1. Kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. Dekreti i Presidentit për rishqyrtim ligji futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit.
2. Dekreti për kthimin e ligjit për rishqyrtim bëhet pjesë e rendit të ditës të mbledhjes më të parë.
3. Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura në arsyetimin për kthimin e ligjit nga Presidenti i Republikës
4. Komisioni përgjegjës përgatit raportin për seancën plenare me propozimin për pranimin ose rrëzimin e dekretit të Presidentit brenda 4 javëve nga data e depozitimit të tij në Kuvend. Në rastin e pranimit të dekretit, raporti përmban formulimet për nene të veçanta të ligjit.
5. Dekreti për kthim për rishqyrtim të ligjit bëhet pjesë e rendit të ditës të seancës plenare, por jo më parë se 48 orë.
6. Seanca plenare e shqyrton dekretin për kthim për rishqyrtim të ligjit vetëm për arsyet e kthimit të tij.
7. Kuvendi në seancë plenare voton me shumicën e kërkuar në Kushtetutë për pranimin ose rrëzimin e dekretit.
8. Në rast pranimi të dekretit, Kuvendi voton në parim propozimet që komisioni përgjegjës ka paraqitur në raport. Kuvendi voton vetëm nenet që reflektojnë propozimet e miratuara në komision, si dhe bëhet votimi në tërësi për ligjin.
9. Ligji i votuar në tërësi mban numrin që ka marrë me miratimin e parë, kurse data do të jetë e votimit më të fundit në tërësi.”.
Neni 86 i Rregullores së Kuvendit si ishte
Dekreti i Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligji
1. Kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht.
2. Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit.