Përplasja me Bumçin,Bregu:S'e
pranoj PD-në kundër integrimit

Përplasja me Bumçin,Bregu:S'e<br />pranoj PD-në kundër integrimit
Ish-Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka vlerësuar rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.
 
Deputetja demokrate Majlinda Bregu, në një intervistë për mediat shpreh bindjen se Këshilli Europian do të presë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri për të vendosur për datën zyrtare të çeljes së negociatave.
 
Bregu sqaroi dhe debatin me kolegun demokrat Bumçi në Komitetin e Asociim Stabilizimit. Sipas saj, PD ka qenë promotore e procesit të integrimit dhe sot nuk mund të pranohet votë kundër.  
 
Ishte vota juaj në Komitetin e Asociim Stabilizimit, e cila gjithashtu u komentua si një votë kundër PD për shkak të amendamenteve të propozuara që lidheshin me kërkesa të tjera nga ato që ishin në amendamentin e Komisionit. Mund të na e shpjegoni?
Unë nuk e di se çfarë vote mund të jetë kundër PD, kur PD është partia e cila e ka nisur prej 25 vitesh procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kur PD është partia që e ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, shqiptarët kanë përfituar përfitimin më të madh realisht të prekshëm nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë që është liberalizimi i vizave. Kur sot mundësia dhe marrëdhënia që është me BE ecën në bazë të një marrëveshje të përbashkët Shqipëri-BE që është marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe kur PD në ditën e parë në opozitë ka deklaruar se do të jetë gjithmonë në mbështetje të procesit të integrimit. Ndaj nuk ka për askënd që voton pro procesit të integrimit të Shqipërisë, nuk ka votë kundër. Dje ka pasur një situatë pak të çuditshme edhe në Parlamentin Europian.
 
Çfarë ndodhi mes jush dhe kolegut Bumçi?
Nuk është problemi aty, problem është që këto takime ose duhet të kenë një lloj formatimi tjetër, pra ose më të vërtetë duhet të prodhojnë diçka, ose në rast se do të vazhdojnë të prodhojnë vetëm debate të pafrytshme dhe debate të cilat përcjellin konfliktin që ne e bëjmë vazhdimisht në Tiranë edhe në mes të Brukselit, duke lënë nam i themi ne shkurt në shqip, atëherë nuk janë më të vlefshme. PE në bazë të traktatit të Lisbonës, të detyrimeve që ka, është i detyruar ti kërkojë Komisionit dhe Këshillit që të vazhdojmë dhe ky ishte problemi i një amendamenti dje me një propozim konkret për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Nuk ka pasur dakordësi për një pjesë të madhe të amendimeve, por në fund të ditës unë kam votuar një amendament i cili ishte dhe amendament kompromisi i propozuar nga PE që grupi tjetër i anëtarëve të delegacionit të PD nuk e votoi, pjesa tjetër e deklaratës ka shkuar njëlloj në të gjitha qëndrimet.
 
Debati me kolegun Bumçi konsistonte në faktin se...
Mes shokësh ne flasim edhe ndryshe, nuk e di, turpi ose më saktë gjëja e shëmtuar, ishte që dikush nga kolegët tanë filmon një bisedë e cila mes miqsh mund të jetë dhe jo me fjalët zyrtare që flasim zakonisht në tryeza.
 
A patët mundësi të komunikonit me deputetë europarlamentarë të cilët ishin të pranishëm dhe kur bëhej ky debat, çfarë imazhi përcjellim ne tek ata kur ndodh kjo bisedë në sy të tyre...
Kjo është një vuajtje me të cilën unë kam vite që jam dënuar për të jetuar dhe bashkëjetuar, ku bëjnë përshtypje më së shumti gjëra të cilat janë jo thelbësore dhe zakonisht dhe fatkeqësisht dhe me sjelljen dhe animozitetin të cilin ne e përcjellim këtu në Bruksel.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social