Deputeti Bledjon Nallbati i cili ishte protagonist në seancën plenare, ku u përplas fizikisht me deputetin e Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, pasi po tentonte që t’i merrte kartën, thotë se reagimet e tyre janë një revoltë kundër mazhorancës, pasi u ka marrë të drejtat.

I ftuar në emisionin ‘Frontline Intervieë’ me gazetaren Marsela Karapanço, Nallbati pranoi se incidenti ishte i pahijshëm dhe se ndodhi në një moment gjaknxehtësie.  

'Kur dikush kërkon fjalën në Kuvend kryetarja e Kuvendit duhet t’ja japë fjalën. Vajta dhe i hoqa kartën Sinajt. Ishte një moment gjaknxehtësi. Ta kisha seriozisht, e kisha përplasur poshtë tavolinës. Nuk kam pasur fare synim të përplasem fizikisht. Kisha një komunikim me Sinajn. Skam asnjë problem personal. Për veprimin, shumë njerëz dalin e na bëjnë moral duke thënë se ça janë këto akte, unë e pranoj nuk është e hijshme. Pro në një parlament ku shkelet me këmbë një opozitë e tërë. Në momentin që ne nuk marrim do të drejtat tona që na takojnë me kushtetutën si do të reagojmë.’- tha Nallbati.

Nallbati tha se aksioni i opozitës do të vijojë dhe se nuk do të ndalojnë aksionin e tyre. Sipas Nallbatit, parlamenti nuk bën asgjë tjetër përveçse noterizon vendimet e qeverisë.

'Ne nuk kemi përjashtuar asgjë, bojkoti është një momenti i ikjes  Po bëjnë komisione online në mënyrë të kundraligjshme. Ne do të bëjmë gjithçka që seancat të bllokohen dhe mos të jenë normale. Pse mos të jetë normal e mbajtja e grevës në parlament. Sa kohë që parlamenti nuk bën asgjë tjetër përveçse noterizon vendimet e qeverisë çfarë funksioni ka që 140 veta të marrin rrogën. Vlerë ka kur diskutohet dhe pranohet argumenti dhe logjika kur është në shërbim të qytetarëve.’- tha Nallbati.

13 deputetët e PS-së kërkuan masë disiplinore për deputetë të cilët në seancën e 30 tetorit 2023 në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bllokuan foltoren e Kuvendit dhe hoqën kartat e deputetëve të PS-së. Situata arriti deri në përplasje fizike midis deputetit Vullnet Sinaj dhe deputetit Bledion Nallbati.