Gjykata e Shkodrës ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” për dy të rinjtë, Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç, të dyshuar si organizatorët kryesorë të rrahjes masive mes adoleshentësh, e ndodhur disa ditë më parë pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”, në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht të moshës 17–18 vjeç. Konflikti nisi me grushte dhe më pas u përshkallëzua me përdorimin e sendeve të forta, ndërsa gjatë përleshjes dyshohet se është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë).
Si pasojë e dhunës, tre adoleshentë mbetën të plagosur lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve.
19-vjeçari Doronesto Kulla dyshohet se është përfshirë në sherr për të ndihmuar vëllain e tij 17-vjeçar, nxënës i shkollës “Shejnaze Juka”, duke u bashkuar në përleshje me persona të tjerë.
Pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe nisin përplasjen fizike, e cila zgjat rreth një minutë, përpara se të shpërndahen.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar prova filmike dhe duke nisur hetimet.
Fillimisht, dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë u arrestuan, ndërsa për pesë të miturit (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) do të hetohen në gjendje të lirë.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori për një 17-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Shkaqet e sakta të rrahjes mbeten ende të paqarta, por dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.
Në një intervistë për mediat, Anton Kosteri, avokat i të ndaluarve për sherrin masiv në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Shkodër, është shprehur se vendimi i gjykatës për uljen e masës së sigurisë ka qenë në përputhje me kërkesën e mbrojtjes.
Ai shprehet se nuk është e provuar që të ndaluarit kanë përdorur armë të ftohtë dhe se hetimet do të vazhdojnë me metoda të specializuara, ndërkohë që familja dhe të ndaluarit kanë marrë përsipër sqarimin e rrethanave të sherrit me personat e tjerë.
Nga ana tjetër, ai shprehet se raste të tilla të përsëritura të dhunës që po ushtrohet nga të mitur janë një këmbanë alarmi për të gjitha institucionet.
Komente










Nga nje qe quhet Doronesto nuk pritet gja te mire
Përgjigju