Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike gjatë ditës së sotme, u shoqërua me debate të forta mes ish-kandidates për deputete Ilirjana Kuçana me kryetaren e Këshillit Kombëtar, Julia Emiri dhe kryedemokratin Sali Berisha.
Shkak i tensioneve ishte mos-futja në rend ditë e një rezolutë, e hartuar nga Kuçana dhe Lisandër Hoxha, që kishte si pikë kryesore të saj “çrrënjosjen e mulizmit klanor”.
Në dokument nuk përmendet me emër Flamur Noka, por formulimet e rezolutës lidhen me postin e Sekretarit të Përgjithshëm, për të cilin ai rikandidon.
Rezoluta nuk u pranua për t’u futur në rendin e ditës, me argumentin se mbledhja kishte një rend dite të miratuar më herët.
Në rezolutë kërkohej mes të tjerash që PD të ndërmarrë një reformë të thellë për riorganizimin e saj të brendshëm, të mbështesë zyrtarisht protestat qytetare dhe kërkesat e Grupit Koordinues të Protestës, të krijojë një Forum të Intelektualëve dhe një Forum Studentor.
Përplasjet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së çuan më pas në ndërprerjen e përkohshme të transmetimit live.
Dokumenti i plotë:
DREJTUAR: Z. Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike
PËR DIJENI: Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
NGA: Një grup deputetësh dhe anëtarësh të Këshillit Kombëtar
LËNDA: Propozim për Rezolutë Urgjente dhe Reforma
I. KONSTATIMET E SITUATËS POLITIKE
I nderuar z. Kryetar,
Në emër të përgjegjësisë politike që mbajmë përpara demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë, ne, një grup deputetësh dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kemi ndjekur me vëmendje të lartë qytetare protestat popullore të zhvilluara në mbarë Shqipërinë dhe në diasporë kundër keqqeverisjes së Partisë Socialiste.
Në analizë të situatës politike aktuale, konstatojmë se:
1 Ekzistenca e një hendeku përfaqësimi: Këto protesta dëshmojnë se një pjesë e
konsiderueshme e shoqërisë civile nuk e ndjen ende zërin, kauzën dhe aspiratën e saj të
përfaqësuar plotësisht nga Partia Demokratike.
2 Evoluimi i lëvizjes qytetare: Tubimet kanë tejkaluar qëllimin e tyre fillestar, duke u shndërruar në një uragan popullor me kërkesa të qarta politike.
3 Pamjaftueshmëria e reagimit institucional: Deklaratat publike dhe qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike në mbështetje të kësaj lëvizjeje rezultojnë të pamjaftueshme për t'iu përgjigjur peshës dhe rëndësisë së situatës.
4 Devijimi nga parimet e Rithemelimit: Me shqetësim vërejmë se Partia Demokratike jo vetëm që ka devijuar nga parimet e premisat e procesit të Rithemelimit, por ka aplikuar një proces të sforcuar të hapjes, gjë që në fakt ka prodhuar një bunkerizim të ri brenda kupolës së saj drejtuese.
Mbi këtë bazë, ne e vlerësojmë protestën qytetare si një sfidë reale për legjitimitetin, besueshmërinë dhe të ardhmen e vetë Partisë Demokratike.
II. REZOLUTA URGJENTE E KËSHILLIT KOMBËTAR
Për sa më sipër, kërkojmë nga Ju, z. Kryetar, mbledhjen e menjëhershme të Këshillit Kombëtar për miratimin e një Rezolute:
• Mbështetja pa kushte e protestës: Partia Demokratike të deklarojë mbështetjen e saj të plotë për protestën qytetare, duke u bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj t'i bashkohen asaj si protestues, pa u përfshirë në organizimin e saj.
• Legjitimimi i kërkesave politike: Të mbështeten zyrtarisht kërkesat me pesë pika të shpallura nga Grupi Koordinues i Protestës më datë 26 qershor 2026, ku prioritet absolut mbetet dorëheqja e qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie teknike.
• Dënimi i dhunës shtetërore: Të dënohet me forcë dhuna policore e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë dhe të kërkohet mbajtja e përgjegjësisë direkte ligjore për të gjithë efektivët e drejtuesit e Policisë së Shtetit të përfshirë në këto akte.
III. PLATFORMA PËR HAPJEN DHE RINOVIMIN E PARTISË
Me qëllim kthimin te parimet e Rithemelimit dhe shndërrimin e Partisë Demokratike në një ofertë reale qeverisëse për shqiptarët, propozojmë:
1 Ngritjen e Forumit të Intelektualëve: Krijimin e një forumi të hapur publik, i cili do të shërbejë si një urë e fuqishme ndërlidhëse mes shoqërisë dhe Partisë Demokratike. Kjo strukturë do të bëjë bashkë personalitete e mendimtarë nga vendi dhe diaspora, të cilët nuk kanë detyrimisht një kartë anëtarësie partiake, duke thyer kështu izolimin politik të kupolës.
2 Krijimin e “Forumit Studentor për Shpëtimin e Shqipërisë”: Ngritjen e një platforme të hapur e të gjerë dialogu me pjesëmarrjen e studentëve nga Shqipëria dhe diaspora. Ky forum do të funksionojë si një hapësirë ku gjenerata e re merr rol vendimmarrës, duke garantuar se elitat e reja universitare kontribuojnë direkt në ofertën politike opozitare.
IV. PAPAJTUESHMËRIA ME MANDATIN DHE ÇRRËNJOSJA E “MULIZIMIT”
KLANOR
Partia Demokratike lindi si një lëvizje vlerash dhe mendimi të lirë. Është krejtësisht e papranueshme që pas më shumë se tri dekadash ekzistencë, ajo të rrezikojë të drejtohet nga një grup injorantësh funksionalë ose nga individë pa integritet.
Për të rikthyer besueshmërinë tonë në publik, kërkojmë forcimin e kritereve etike dhe politike:
• Parimi i Papajtueshmërisë me Mandatin Drejtues: Mbështetur në propozimin e paraqitur më herët në Këshillin Kombëtar, si një pikë esenciale që i rikthen moralin, dinjitetin dhe besueshmërinë publike Partisë Demokratike, kërkojmë sanksionimin e prerë të normës së papajtueshmërisë me mandatin drejtues. Çdo individ që ka lidhje direkte apo indirekte interesash ekonomike dhe biznesi me oligarkët e lidhur me qeverinë më të korruptuar të Europës, e ka të papajtueshëm ushtrimin e çdo funksioni drejtues në strukturat e PD-së, qofshin këto në qendër apo në bazë. Ky standard etik na ndan përfundimisht nga sistemi korruptiv që po mbron pushtetin aktual.
• Zhdukja e “Mulizimit” dhe Çlirimi i Garës së Brendshme: Duke parë degradimin e jetës institucionale të partisë, refuzojmë kategorikisht “Mulizimin” si një model anadollak që e kthen organizatën në një çiflik klanor. Nuk mund të pranojmë që pozicioni kritik i Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve apo Sekretariateve të kthehet në një mekanizëm emërimesh në errësirë, që mbjell pabarazi, vret meritokracinë dhe prodhon veçse përçarje e kriza të njëpasnjëshme. Për të shmangur një kolaps të ri politik, kërkojmë transparencë absolute në hartimin e listave zyrtare dhe çrrënjosjen e menjëhershme të kësaj praktike primitive, e cila cenon rëndë rregullat e brendshme dhe frymën e konkurrencës së ndershme.
Ne kemi besim të plotë se këto kërkesa jetike do të realizohen me maturi dhe vizion nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha. Ky proces reformimi dhe reflektimi do t'i shërbejë
drejtpërdrejt suksesit elektoral dhe politik të Partisë Demokratike, duke e shndërruar atë në forcën e vetme dhe të pakonkurrueshme udhëheqëse për ndryshimin e madh që pret vendi.
Komente











