Përplasja në PD/ Revoltohet Topalli 
'Basha nga fjalët të kalojë te veprat'

Përplasja në PD/ Revoltohet Topalli <br />'Basha nga fjalët të kalojë te veprat'
TIRANE - Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se mbështet protestën e ligjshme të studentëve, ka qenë e pamjaftueshme për ish nënkryetaren e PD, Jozefina Topalli. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura, Topalli i ka kërkuar Bashës që të pozicionohet qartë është apo jo në mbështetje të protestave të studentëve si dhe njëherazi, Partia Demokratike të kundërshtojë publikisht ndryshimet e bëra në ligjin e “Arsimit të Lartë”, i cili sipas saj është diskriminues dhe u mbyll dyert e Universitetit mijëra të rinjve që vijnë nga familje të varfra dhe s’kanë mundësi financiare.

“Prej më shumë se 1 viti, studentët janë në protesta kundër ndryshimeve në ligjin për “Arsimin e Lartë”. Edhe pse janë organizuar dhjetëra tubime, ne s’kemi qenë asgjëkund. Ku ishte PD kur studentët kërkonin ndryshimin e ligjit, ishte në parlament dhe po diskutohej nga qeveria, ashtu siç e diskutuan dhe e miratuan pa pyetur? Mbi ç’baza dhe si do ta mbështesë konkretisht PD këtë protestë? Mendoj se nuk jemi në një linjë me fjalën tënde, sepse unë besoj se duhet kaluar nga fjalët në vepra. Çfarë të të them kjo opozitë nuk është kurrkund. Janë ngritur të gjithë studentët në këmbë se ata kanë miratuar një ligj që i diskriminon dhe i mohon Universitetin të rinjve që vijnë nga familje pa mundësi ekonomike”, është shprehur Topalli.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha i cili është shprehur se PD i ka kundërshtuar ndryshimet në ligjin për “Arsimin e Lartë”, duke i cilësuar ato si klienteliste dhe korruptive që i mohojnë të rinjve shqiptarë mundësinë e arsimimit universitar, por ka sqaruar se është zgjedhje e vetë studentëve që protestave të tyre të mos u japin ngjyrime politike.

“Ne mbështesim pa asnjë kufizim, ne mbështesim tërësisht protestën e ligjshme të studentëve. Ne jemi në krahun e tyre dhe kërkojmë zhbërjen e këtij ligji klientelist dhe korruptiv dhe dhënien e të drejtës kushtetuese të arsimit publik me tarifa të përballueshme nga prindërit dhe familjet e studentëve shqiptarë. Por, të mos harrojmë se studentët kanë zgjedhur që protestave të tyre të mos i japin nuanca politike, duke e parë atë si shqetësim brenda universitetit. Megjithatë, ne jemi në çdo moment në mbështetje të të drejtës së tyre legjitime, për të protestuar kundër atij ligji klientelist dhe korruptiv”, ka deklaruar Basha.

Ajo ka insistuar sërish që opozita s’duhet të rrijë në vend përballë keqqeverisjes së mazhorancës dhe shqetësimeve të qytetarëve për gjendjen ekonomike, por duhet të thërrasë protestat. Gjithashtu, ish numri dy në PD, Jozefina Topalli nuk është mjaftuar me shpjegimin e Bashës për protestat e studentëve, por ka bërë thirrje për kryengritje përmes një statusi në Facebook

Edhe sot studentet u ngritën në protestë kundra Edi Ramës! “Nuk mund t'i mbyllet dera e Universitetit të rinjve që nuk kanë para apo vijnë nga familje të varfra!” Ky ishte thelbi i drejtë i revoltës së studentëve! Protesta e tyre është shprehje e shpirtit të lirë e të pakomprometuar të tyre! Është koha për protestë! Protesto për të drejtat tuaja! Protesto kundra korrupsionit! Protesto! Mos prit më! Bëj kryengritjen tënde”, shkruan Topalli në Facebook.
 
Basha: S’do ketë negociata pa bërë dekriminalizimin, ka frymë revolte 
Fjalën e tij të hapjes në mbledhjen së grupit parlamentar kryetari i demokratëve, e nisi me progres raportin e publikuar nga KE për Shqipërinë të një dite më parë. Basha tha se ishte një lajm i keq i pritshëm dhe se nuk është asgjë e re ku përgjegjës është qeveria Rama. Nuk është reforma në drejtësi i vetmi kush për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.Ajo ëhstë vetëm një alibi e kryeministrit

“Për të mbyllur përgjegjësitë e rënda për krimin dhe korrupsionnn në shkatërrimin e zgjedhjeve, Edi Rama kapet me alibinë e reformës në drejtësi. Reforma është e domosdoshme dhe urgjente. Kemi investuar vullnetin dhe kapacitetet tona më propozime dhe amendamente konkrete, por spektri i shqetësimeve dhe kërkesave të raportit për Shqipërinë është shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë”, deklaroi në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, Lulzim Basha.

Pa bërë dekriminalizimin tha Basha s'do ketë nisje të negociatave

“Raporti e thotë qartë se korrupsioni është përhapur gjerësisht, se infiltrimi i krimit në sektorin publik mbetet problem madhor. Nuk ka negociata pa miratuar dhe zbatuar ligjin e dekriminalizimit, nuk ka pëparim në integrimin e vendit me batërdinë e korrupsionit dhe krimit”, tha Basha.
 
Një analizë të gjerë ka nisur kryetari lidhur azilantët shqiptar në Gjermani, me situatën e korrupsionit në ven, me nivelin ekonomik apo dhe me protestën e sotme të studentëve para kryeministrisë të cilën e quajti një kauz të drejtë dhe i adresojë mbështetjen e Partisë së tij.

      Mos-hapja e negociatave, ky dështim i dhimbshëm ka një përgjegjës të vetëm: Edi Ramën, autorin e inkriminimit të institucioneve dhe shkatërrimit të zgjedhjeve, dy bëmat e tij të papranueshme dhe të patolerueshme në  Bashkimin Europian.
•       Taksat rriten, qytetareve u merret dhe kacidhja e fundit, qeveria vazhdon të marrë borxh pas borxhi por asnjë investim nuk shihet as një lek nuk shkon për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Paratë e taksapaguesve dhe pasurive të vendit vidhen nga Edi Rama dhe banda e tij.
•       Edhe në muajin Tetor gropa e hajdutërisë në këto sektorë është po aq sa në muajin shtator, rreth 35 milionë dollarë.
•       Janë 70 milionë më pak vetëm për Shtator-Tetor. 250 milionë dollarë më pak në këto 10 muaj. 1 milionë dollarë çdo ditë të zhdukuara e të vjedhura.
•       Ne mbështesim pa asnjë kufizim, ne mbështesim tërësisht protestën e ligjshme të studentëve. Ne jemi në krahun e tyre dhe kërkojmë zhbërjen e këtij ligji klientelist dhe korruptiv dhe dhënien e të drejtës kushtetuese të arsimit publik me tarifa të përballueshme nga prindërit dhe familjet e studentëve shqiptarë.
•       Shqipëria ka nevojë vërtet për pastrim por pastrimi nis me Edi Ramën dhe bandën e tij të pisave hajdutë. Pis me krimin e ngritur në pushtet, pis me korrupsionin në përmasa të panjohura deri më sot, pis me vjedhjen ashiqare të parave të shqiptarëve.
•       Qytetarët po ziejnë. E kanë kuptuar se kjo bandë ishte e djegur për pushtet dhe erdhi me mashtrime. Por nuk ku kish shkuar në mendje se erdhën vetëm për të vjedhur, vetëm për të vjedhur, vetëm për të vjedhur. Janë të  kapur me presh në duar. Të kapur nga faktet, nga letrat, nga shifrat nga partnerët.  Nuk ka Zot t’i shpëtojë.
•       Nuk ka më as kohë as arsye për të mos u mbledhur e për t’i bërë me dije qeverisë së veshur me krim pakënaqësinë popullore. Shpresat e ndokujt se kjo qeveri mund të korigjohej kanë marrë fund. Përballja e stuhishme e radhës do të jetë ajo për largimin e kësaj qeverie.
•       Partia Demokratike dhe Opozita i prin kësaj stuhie revolte jo vetëm me denoncimet dhe përballjen e përditshme por edhe me investimin tonë të përgjegjshëm për të ndërtuar një alternativë të plotë dhe konkrete për ringritjen dhe zhvillimin, për dekriminalizimin, për demokracinë e re përfaqësuese dhe gjithpërfshirëse, për një ekonomi të fortë  dhe një të nesërme të sigurtë.

Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Shqiptarët kanë marrë dje një lajm të keq në vazhdën e lajmeve të këqija që po prodhon kjo qeveri ditë për ditë, mos hapjen e negociatave për anëtarsim në Bashkimin Europian, një lajm i keq po jo i papritur.

Hapja e negociatave do të ishte stafeta, apo thenë ndryshe, puna e parë, tulla e parë e qeverisë Rama-Meta në ngrehinën e integrimit europian të vendit.
Këtë detyrë duhej të pëmbushnin këtë vit, por nuk e përmbushën dot, megjithë mbështetjen pa kushte të opozitës. Nuk e vunë dot tullën e tyre, ia humbën edhe një vit tjetër ëndrrës europiane.
Praktikisht jemi i vetmi vend në rajon që kemi marrë statusin e vendit kandidat dhe natyrisht kjo jo për meritë të kësaj mazhorance por nuk kemi hapur negociatat për anëtarësim.

Ky dështim i dhimbshëm ka një përgjegjës të vetëm: Edi Ramën, autorin e inkriminimit të institucioneve dhe shkatërrimit të zgjedhjeve, dy bëmat e tij të papranueshme dhe të patolerueshme  në Bashkimin Europian.
Raporti për Shqipërinë që u publikua dje e thotë qartë se korrupsioni është përhapur gjerësisht, se infiltrimi në sektorin publik i krimit të organizuar vazhdon të mbetet një  shqetësim madhor që duhet të trajtohet me urgjencë.

Nuk ka negociata pa miratuar dhe zbatuar deri në një ligjin e dekriminalizimit, të cilin Edi Rama vazhdon ta zvarrisë për interesat e agjendës së tij personale.
Nuk ka  përparim në procesin e integrimit  me baterdinë e korrupsionit  brenda në qeveri.

Nuk hapen dyert e Europës për Shqipërinë me zgjedhje farsë që kanë vrarë besimin e qytetarëve të vota e lirë, siç shënohet në raportin e OSBE/ODHIR-it.
Për të mbuluar përgjegjesitë e tij të rënda dhe konkrete për krimin në sistem, korrupsionin e paparë dhe shkatërimin e zgjedhjeve, Edi Rama përpiqet të kapet si i mbyturi pas fijes së barit me alibinë e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi është e domosdoshme dhe urgjente, pa pikë dyshim. Ne kemi investuar gjithë vullnetin dhe kapacitetet tona me propozime dhe amendamente dhe propozime konkrete për hartimin dhe miratimin e një reforme të standardeve demokratike. Por spektri i shqetësimeve dhe kërkesave të Progres-raportit për Shqipërinë është shumë më i gjerë e shumë më I thellë.

Kudo ku të shkosh në Shqipërinë e sotme, në çdo takim dhe bashkëbisedim me qytetarët e këtij vendi - punëtorë, fermerë, mësues, mjekë, akademikë, studentë, sipërmarrës, të papunë, pensionistë, burra, gra, të rinj e të reja-  do të gjesh dhe do të prekësh një Shqipëri në mjerim, në dëshpërim, në revoltë.
Ky është bilanci, kjo është pasqyra e qeverisjes që ka hyrë në vitin e saj të parafundit. Kjo është e ashtuquajtura  Rilindje, që as më skeptikët  dhe më kritikët e Edi Ramës  nuk e mendonin se do të degradonte  kaq shpejt dhe në këtë shkallë.
Taksat rriten, qytetareve u merret dhe kacidhja e fundit, qeveria vazhdon te marrë borxh pas borxhi por asnje investim nuk shihet as nje lek nuk shkon për të përmirsuar jetën e qytetarëve.

Ka shumë pyetje që ngrihen e po ngrihen amembanë vendit si një ortek. Pyetja kyçe, pyetja  e pyetjeve, është: Ku shkojnë  paratë e  qytetarëve shqiptarë?
Ku shkojnë paratë e taksave të rritura, që sipërmarrësit e vegjël, të mesëm e të mëdhenj, me përjashtim të klientelës dhe oligarkëve  të oborrit të Edi Ramës, i paguajnë  një më një, me shpirt ndër dhëmbë?

Ku shkojnë paratë e familjeve që paguajnë sa frengu pulën për çdo mall, për çdo shërbim dhe në shkëmbim nuk marrin as rritje rrogash, as rritje pensionesh, as rritje të ndihmës ekonomike, as rritje të cilësisë së shërbimeve, as rritje të punësimit, as rritje të mirëqënies, por vetëm përkeqësim?
Ku shkon leku që përftohet nga pasuritë publike, nga nafta, nga telekomunikacioni, nga energjia, nga pasurite ujore dhe nentokesore, pra nga pasuritë e popullit?
Kjo është pyetja që po godet me forcën e një uragani qeverinë më të korruptuar që vendi ka njohur; pyetja që ne duhet ta bëjmë refrenin e kërkesës popullore të llogarisë drejtuar një qeverie që ka ngritur në kult propagandën dhe ka flakur trasparencën dhe llogaridhënien.
“Ku shkojnë paratë e qytetarëve” nuk është vetëm pyetje. Është zemëratë, është vetëdije, është thirrje.

Kjo pyetje zbulon dhe në të njëjtën kohë zbulohet nga pyetjet e tjera të ditës që bëhen në çdo shtëpi, në çdo familje.
Pse vendi është keq, pse qytetarët janë keq?Sepse paratë e taksapaguesve dhe pasurive të vendit vidhen nga Edi Rama dhe banda e tij.
Pse nuk rriten rrogat e pensionet, pse nuk ka investime për zhvillimin , pse rritet çmimi i energjise elektrike dhe shumë e shumë çmime të tjera,  pse rriten tarifat e shkollimit të lartë dhe shumë e shumë  tarifa të tjera?

Sepse paratë e taksapaguesve dhe pasurive të vendit vidhen nga Edi Rama me bandën e tij të hajdutëve me dhe pa kollare.
Sot gjej rastin të shpreh edhe një herë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për protestat e ligjshme të studentëve shqiptarë. Ju bëj thirrje të rinjve pa dallime politike që ti bashkëngjiten këtyre protestave. Ju bëj thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e kësaj proteste madhështore qytetare. Ne mbështesim pa asnjë kufizim, ne mbështesim tërësisht protestën e  ligjshme të studentëve. Ne jemi në krahun e tyre dhe kërkojmë zhbërjen e këtij ligji klientelist dhe korruptiv dhe dhënien e të drejtës kushtetuese të arsimit publik me tarifa të përballueshme nga prindërit dhe familjet e studentëve shqiptarë.

Pse vazhdojnë të ikin shqiptarët, pse azilkërkërkuesit nga Shqipëria në Gjermani vazhdojnë të jenë të dytët për nga numri pas sirianëve edhe pas paralajmërimeve të përsëritura të shtetit gjerman se nuk jep azil? Pse kjo epidemi për të ikur, a thua se  vendi është në luftë.

Sepse paratë që prodhon ekonomia kombëtare vidhen me lopatë nga një grusht qeveritarësh dhe oligarkësh të mbledhur rreth tyre, që kanë kapur e duan të mbajnë peng bashkarisht sistemin demokratik duke blerë vota, duke vrarë besimin e qytetarëve të vota e lirë.
Paratë vidhën në dogana dhe tatime. Në shuma marramendëse. Edhe në muajin tetor gropa e hajdutërisë në këto sektorë është po aq sa në muajin shtator, rreth 35 milionë dollarë.

Këta janë muajt e aksionit të bujshëm kundër evazionit dhe informalitetit, që sipas kokoshit do të sillnin në arkën e shtetit 330 milion dollarë më shumë deri në fund të vitit.
Ku janë këto miliona më shumë? Vetëm karagjozët lundrojnë nëpër shifra propagandistike që rezultojnë me një minus përpara kur vjen puna te fakti i gjallë.
Në fakt janë 70 milionë më pak vetëm për Shtator-Tetor. 250 milionë dollarë më pak në këto 10 muaj. 1 milionë dollarë çdo ditë të zhdukuara e të vjedhura.
Ku bie sëpata për këto para që vidhen e nuk përfundojnë në arkë?

Ndonëse varfëria po rritet ndjeshëm në gjithë vendin, ndihma ekonomike rezulton 754 milionë lekë më e ulet sesa plani, ndërkohë që rezulton 3.8 miliarde më pak sesa e njëjta periudhe e vitit të kaluar, ose 23.5% më pak.
Ndonëse papunësia është më e lartë sesa viti i kaluar, pagesa e papunësisë rezulton me 241 milionë lekë më e ulët, 33.7% më pak sesa viti i kaluar.
Dogana është pusia ku banda e Edi Ramës kontrollon dhe administron kontrabandën e cigareve, naftës, mallrave të akzisës dhe mallrave të tjera.
Tatimet nuk mbesin pas, kusaria edhe atje është në shuma marramendëse.

Kontrabandistët njihen tashmë me emër. Janë miqtë dhe ortakët e ngushtë të Edi Ramës. Ky është kryekontrabandisti.
Të gjitha emërimet e reja nepotike, klienteliste, dhe kriminale në dogana dhe tatime,  nga kreu në bazë, janë  bërë në funksion të  korrupsionit të Ballave, Kokëdhimëve, Braçeve dhe zyrtarëve të lartë që kanë patur akses në këto emërime.

Vidhet në dogana e tatime, por vidhet po aq shumë madje më tendera korruptivë.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 46 % e tenderave të qeverisë pra afro gjysma, janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë me qëllim që fituesit e paracaktuar-miq, klientë, ortakë- të shpallen në zyrën e Kryeministrit.

Edhe në  ato pak raste kur tenderat janë bërë formalisht me  garë, fitues nuk janë shpallur ata që kanë dalë të parët, por ata që janë renditur nga fundi, miqtë, klientët, ortakët, që kanë paraqitur ofertat më të larta, në kufi të fondit limit.
Shqiptarët  po e shohin por duhet ta mësojnë deri në fund se këta, Edi Rama me ministrat e tij, e zhduken de fakto garën, e zhduken de fakto tenderin, këtë standart të  konkurencës, trasparencës dhe ndërshmërisë  në ekonominë e tregut.
Pse e zhduken? Për të vjedhur. Për asgjë tjetër. Vetëm javët e fundit, ne, Partia Demokratike, kemi denoncuar njezet e dy tendera të pastër  korruptivë të  klikës  në krye të qeverisë.

-Tenderin me vlerë 4 miliardë e 520 milion lekë që Rama i ka dhënë ndërtuesit të sarajave të tij, Pandi Carapulit, duke e shpallur fitues nga vendi i fundit, edhe pse  oferta e tij ishte 500 mijë euro më e lartë se ajo e vendit të parë.
-28 tenderat e Ilir Beqës, kampionit të korrupsionit, që ia ka dhënë ortakut të tij, kompanisë modeste Intech+, 11 milion euro. Ky është një superskandal, por ministri dhe kryeministri as skuqen, as nxihen.
-Tenderin  në vlerë 120 milion euro, që ishtë i është dhënë  kompanisë së  oligarkes, Vilma Nushi dhe tendera e koncesione të tjera si ai i hemodializës apo i sterilizimit, që arrijnë në shumën e  338 milionë euro njëri më skandaloz se tjetri, të gjitha në ministrinë e dalluar të  shpërdorimit dhe vjedhjes se parasë publike, në atë të Beqës.
-Tenderat skandalozë të Lames së ALUIZNI-t, tenderat skandalozë të OSHEE, tenderin skandaloz të Jaguar-ve, të autoambulancave të cilët i bashkon si një fill i zi fakti se u janë dhënë në formë shpërblimi, dhe ortakërie shokëve, miqve të ngushtë të Ramës  dhe klikës  së tij.
-Tenderin skandaloz për rikostruksionin e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes,  ku firma fituese është një kompani pastrimi, punonjësit e së cilës rrezultojnë  të jenë rregjistruar si fshesarë.
-Konçensionin skandaloz  të hekurudhës  Vlorë-Fier, dhënë në shkelje të hapur të ligjit për konflitin e interesit, djalit të zv kryetares së Kuvendit Valentina Leskaj, djalit tjetër të së cilës Edi Rama i ka akorduar, edhe 700 milionë lekë  si ofertues i vetëm në tenderin për shëndetin psiqik të kryebanditit të OSHEE Ardian Çela.

Lista e tenderave skandalozë është e gjatë dhe rritet çdo ditë. Tendera korruptiv, pa garë, me dorë të rëndë, me fitues të paracaktuar, janë sfida që një qeveri e pacipë u ka hedhur qytetarëve, taksapaguesve: ju paguani një më një me hir a me dajak, ne i ndajmë siç duam vetë paratë tuaja.
Vidhet në dogana e tatime, vidhet ne tendera e konçensione, vidhet në shpenzime dhe investime luksi.
Shqipëria nuk e mban dot këtë babëzi të pashembullt. Nuk e mban dot se nuk duron. Nuk e mban dot sepse nuk ka mundësi ta mbajë. Vjedhja dhe luksi i shfrenuar i një grushti oligarkësh në krye të qeverisë dhe në oborrin e saj është haraci që paguan varfëria e vendit, varfërimi i qytetarëve. Këto nuk qëndrojnë bashkë, vjedhja dhe varfëria nuk qëndrojnë bashkë.

Lodhet kot Edi Rama duke kopjuar ne mënyrë mekanike dhe të shkëputur nga tërësia ndonjë propozim tonin, siç ishte ai për pullën fiskale.
Lodhet kot në takimet e tij propagandistike me regji qëndrore në salla të mbyllura, ku rreket t’iu shesë tru gomari, por nga ana tjetër as lejon të pyetet, as  përgjigjet për  vjedhjen e parave të shqiptarëve.
Tani e njohim mirë jo vetëm demokratët, por edhe socialistët. Jo vetëm opozitarët, por edhe ata që e kanë votuar.  Dy vjet i mbajti boja.
Shqiperia ka nevoje vertet per pastrim por pastrimi nis me Edi Ramen dhe banden e tij të pisave hajdutë. Pis me krimin e ngritur në pushtet, pis me korrupsionin në përmasa të panjohura deri me sot, pis me vjedhjen ashiqare të parave të shqiptarëve. Këtë po që nuk e lan ujët e detit.

Me  dajakun në një dorë dhe  duke  grabitur pasuritë publike me dorën tjetër, kjo qeveri  nuk mund të prodhojnë kurrë as paqe, as zhvillim, por vetëm  rrokullisje.
Qytetarët po ziejnë. E kanë kuptuar se kjo bande ishte e djegur për pushtet dhe erdhi me mashtrime. Por nuk ku kish shkuar në mendje se erdhën vetëm për të vjedhur, vetëm për të vjedhur, vetëm për të vjedhur. Janë  të  kapur me presh në duar. Të kapur nga faktet, nga letrat, nga shifrat nga partnerët.  Nuk ka Zot t’i shpëtojë.
Fryma  e mosbindjes civile  po përhapet dhe po ngrihet  si dallgë e fuqishme në mbarë vendin në formën e përballjes së përditshme të çdo shqiptari dhe shqiptareje me të vërtetat  tronditëse të  korrupsionit, abuzimit dhe  vjedhjes  kriminale të  parave  të qytetarëve.

Fryma e mosbindjes civile po përhapet e po ngrihet si dallga në formën e shpërthimit të pakënaqësisë dhe revoltës te çdo njeri, te çdo shqiptar, në të katër anët e vendit.
Askush nuk mund të pranojë më një qeveri që jo vetëm ka gënjyer për të gjitha  premtimet, por  që shkelmon ligjet papushim, vjedh papushim, me dorë të rëndë dhe  guxon të sillet si një bandë me qytetarët shqiptarë.
Kjo frymë revolte po mblidhet dhe po tregon drejtimin e ri të ngjarjeve, rrugëdaljen nga gremina përmes përballjes popullore me shkaktaren e gjendjes se padurueshme, me qeverinë Rama-Meta.

Nuk ka më as kohë as arsye për të mos u mbledhur e për t’i bërë me dije qeverisë së veshur me krim pakënaqësinë popullore. Shpresat e ndokujt se kjo qeveri mund të korigjohej kanë marrë fund. Përballja e stuhishme e radhës do të jetë ajo për largimin e kësaj qeverie.
Partia Demokratike dhe Opozita i prin kësaj stuhie revolte jo vetëm me denoncimet dhe përballjen e përditshme por edhe me investimin tonë të përgjegjshëm për të ndërtuar një alternativë të plotë dhe konkrete për ringritjen dhe zhvillimin, për dekriminalizimin, për demokracinë e re përfaqësuese dhe gjithpërfshirëse, për një ekonomi të fortë  dhe një të nesërme të sigurtë.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë