Drejtori i policisë Vlorë Elidon Çela është pezulluar nga detyra përmes një vendimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita. Sipas njoftimit vendimi erdhi pas një deklarate nga Policia e Vlorës në lidhje me protestën e sotme në zonën e Zvërnecit, ku tha se se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, dhe ka mbetur i dëmtuar, thanë blutë e Vlorës.
Por ky fakt i raportuar nga policia e Vlorës mohohet nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, e cila thotë se qytetari nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.
Lajmi kryesor:
Protesta kundër resortit në Zvërnec/ Kush janë personat me maska që përdorin spraj me piper? Hita pezullon drejtorin e Policisë së Vlorës: Qytetari i ndaluar nga rojet private, nuk u fut në kantier me dhunë (VIDEO)








