Buzëqeshjet dhe shtrëngimet e duarve në Alaskë tashmë janë një kujtim i largët. Mes Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit ka shpërthyer “lufta e naftës”, pasojat e së cilës shtrihen shumë më tej se një përballje mes Moskës dhe Uashingtonit. Sanksionet amerikane ndaj Lukoil dhe Rosneft kanë shtyrë Kinën, sipas Reuters, të pezullojë blerjet e naftës ruse, duke vënë në provë “miqësinë pa kufij” mes Putinit dhe Xi Jinpingut.

Edhe India rrezikon të mbetet në cep, pasi është gati të ndalë furnizimet nga Rusia. “Sanksionet janë një akt armiqësor,” deklaroi me tone të ashpra udhëheqësi i Kremlinit, duke i përshkruar ato si “një përpjekje për t’i ushtruar presion Moskës, por asnjë vend që e respekton veten nuk vepron nën presion.” Duke shfaqur vetëbesim, Putini shtoi se masat nuk do të kenë ndikim në ekonominë ruse — një parashikim që i lë skeptikë vëzhguesit.

Rosneft dhe Lukoil përfaqësojnë së bashku rreth gjysmën e mbi 4 milionë fuçive në ditë të naftës së papërpunuar që Rusia eksporton, kryesisht drejt tregjeve aziatike që nga fundi i vitit 2022, kur Perëndimi vendosi kufirin maksimal të çmimit prej 60 dollarësh. Kina dhe India janë dy blerësit kryesorë të naftës ruse: vetëm në shtator importuan përkatësisht 2 milionë dhe 1.6 milionë fuçi në ditë. Një ndalim i blerjeve të tyre, edhe në mënyrë të përkohshme, do t’i jepte një goditje të fortë Moskës dhe aftësisë së saj për të financuar luftën në Ukrainë.

Pas shpalljes së sanksioneve nga Trump, gjigantët shtetërorë të naftës në Kinë, PetroChina, Sinopec, Cnooc dhe Zhenhua Oil, pezulluan blerjet e naftës ruse të transportuar me det, të paktën për një periudhë të shkurtër. Një masë e ngjashme mund të merret, sipas Reuters, edhe nga rafineritë e pavarura kineze, për të vlerësuar ndikimin e masave amerikane, sipas të cilave kushdo që bashkëpunon me gjigantët rusë rrezikon të përjashtohet nga sistemi perëndimor i pagesave.

Për ekonominë kineze, pezullimi i flukseve mund të shkaktojë një goditje të re, në një moment kur tashmë po përballet me vështirësi, dhe mund të përballet me një tjetër valë sanksionesh amerikane nëse nuk arrihet një marrëveshje për mineralet e rralla. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, pritet të takohen së shpejti në Malajzi për të kërkuar një marrëveshje që do të shmangte hyrjen në fuqi të tarifave shtesë 100% të kërcënuara nga Trump dhe për të përgatitur terrenin për një takim të mundshëm mes presidentit amerikan dhe atij kinez në Korenë e Jugut në fund të muajit.

Është e mundshme që sanksionet amerikane ndaj naftës ruse edhe pse nuk janë tarifa dytësore të jenë një nga temat kryesore të diskutimit. Edhe India është gati të ndalë importet e naftës ruse, pasi sanksionet godasin drejtpërdrejt disa rafineri që kanë marrëdhënie me Rosneft. Një ndalim i tillë do të lehtësonte arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, të cilën Trump e ka akuzuar hapur se “financon luftën në Ukrainë”.

Një reduktim ose ndalim i blerjeve të naftës ruse nga Kina dhe India mund të sjellë një riekuilibrim të tregut botëror të naftës. Pekini dhe Nju Delhi do të duhet t’i drejtohen Shteteve të Bashkuara dhe OPEC-ut për furnizime. Karteli i vendeve prodhuese ka deklaruar se është gati të ndërhyjë në rast mungesash, për të qetësuar tregjet dhe për të kufizuar rritjen e çmimit të naftës, i cili tashmë është rritur mbi 6%. Një rritje e konsiderueshme, por që mund të menaxhohet pa shkaktuar shpresohet një shpërthim të çmimeve të energjisë dhe inflacionit.

Një rritje e kërkesës brenda OPEC-ut do të favorizonte veçanërisht Arabinë Saudite, vendin me kapacitetet më të mëdha prodhuese dhe aleatin kryesor të SHBA-së në Lindjen e Mesme, që pritet t’i bashkohet “Marrëveshjeve të Abrahamit” të cilat Trump po i shtyn me forcë përpara.

///Ansa

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:22
Putin: Sanksionet amerikane, akt armiqësor, do përgjigjemi ashpër nëse Kievi merr Tomahawk-ët

Presidenti rus Vladimir Putin reagoi ashpër ndaj paketës së re të sanksioneve amerikane të shpallura nga presidenti Donald Trump kundër kompanive kryesore të naftës ruse, duke i quajtur ato “një akt armiqësor” që “nuk do të forcojë marrëdhëniet ruso-amerikane”.

“Sanksionet e reja të shpallura nga Trump janë një akt armiqësor dhe nuk kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit,” deklaroi Putin, sipas agjencisë Tass.

Duke folur përpara gazetarëve, kreu i Kremlinit theksoi se masat e SHBA-së “nuk do të kenë ndikim të ndjeshëm mbi ekonominë ruse”, duke u shprehur se “asnjë vend që e respekton veten nuk vepron kurrë nën presion”.

Putin reagoi gjithashtu ndaj diskutimeve për një mundësi që raketa amerikane Tomahawk t’i dorëzohen Kievit. Ai paralajmëroi se çdo përdorim i tyre kundër territorit rus “do të marrë një përgjigje të ashpër, në mos tronditëse”.

“Nëse këto armë përdoren për të goditur territorin rus, përgjigjja jonë do të jetë shumë e fortë, madje shtypëse. Le të mendojnë mirë për këtë,” tha presidenti rus, duke e cilësuar mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa Tomahawk si “një përpjekje për përshkallëzim të qëllimshëm”.

Putin konfirmoi gjithashtu se takimi i planifikuar me Donald Trump në Budapest “është propozuar nga SHBA-të”, por se presidenti amerikan “duket se ka vendosur ta anulojë ose ta shtyjë atë”.

“E shoh që në deklaratën e tij presidenti amerikan ka vendosur të anulojë ose të shtyjë këtë takim,” tha Putin, duke shtuar se “dialogu është gjithmonë më i mirë se çdo përplasje, mosmarrëveshje apo, aq më tepër, luftë. Prandaj, ne kemi qenë gjithmonë për vazhdimin e dialogut — dhe kjo vlen edhe tani.”

Në reagimin e fundit të tij, Putin përsëriti thirrjen për dialog me SHBA-në.

“Dialogu është gjithmonë më i mirë se çdo sqarim me forcë apo luftë. Për këtë arsye ne kemi mbështetur gjithmonë vijimin e komunikimit, edhe tani,” theksoi ai.

Deklaratat e Putin vijnë në një moment tensioni të lartë ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit, pas valës së re të sanksioneve kundër kompanive ruse të energjisë dhe paralajmërimeve amerikane për furnizime të reja ushtarake ndaj Ukrainës.