Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të heqë dorë nga plani për reformën e gjyqësorit që do të tkurrte kompetencat e këtij sistemi dhe do të forconte kontrollin e qeverisë mbi të. Thirrja ngjalli reagimin e udhëheqësit izraelit i cili tha se nuk merr vendime bazuar tek presioni nga jashtë. Shkëmbimi mes dy udhëheqësve ishte një përplasje e rrallë publike midis dy vendeve që janë aleatë të ngushtë.
Presidenti Biden tha se është "shumë i shqetësuar" nga tensionet politike në Izrael dhe se vendi "nuk mund të vazhdojë në këtë rrugë", duke i bërë thirrje Kryeministrit Netanjahu të tërhiqet nga plani.
"Shpresoj që ai të heqë dorë prej tij”, tha zoti Biden duke bërë thirrje “për një kompromis të vërtetë”.
![]()
Ai po ashtu tha se nuk ka në plan ta ftojë kryeministrin izraelit në Shtëpinë e Bardhë në të ardhmen e afërt.
Kryeministri Netanjahu reagoi menjëherë, duke u shprehur përmes Twitterit se "Izraeli është një vend sovran që i merr vendimet me vullnetin e popullit të tij dhe jo bazuar në presionet nga jashtë, përfshirë edhe miqtë tanë më të mirë.”
Zoti Netanjahu tha se administrata e tij po përpiqej të bënte reforma "me një konsensus të gjerë".
"Unë e njoh Presidentin Biden prej më shumë se 40 vjetësh dhe e vlerësoj angazhimin e tij ndaj Izraelit," tha ai.
Ai tha se aleanca Izrael-SHBA është e pathyeshme "dhe i tejkalon gjithmonë mosmarrëveshjet e herëpashershme”.
Benny Gantz, një opozitar dhe ish-ministër i mbrojtjes e kritikoi kryeministrin Netanyahu duke shkruar në Twitter se "Dëmtimi i marrëdhënieve me SHBA-në, mikun tonë më të mirë dhe aleatin tonë më të rëndësishëm, është një sulm strategjik."
Michael Oren, ish-ambasador i Izraelit në SHBA tha se nuk i takonte presidentit Joe Biden të shprehej për një problem të brendshëm të Izraelit.
"Nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara të ndërhyjë në një polemikë të brendshme politike në Izrael. Dhe sigurisht nuk është në interesin e Izraelit që presidenti ndërhyri tani, ndërsa të dy palët, si qeveria ashtu edhe opozita, janë ulur me Presidentin (Isaac) Herzog rreth tryezës për të diskutuar mënyrat e zgjidhjes së kësaj krize në një mënyrë nga e cila të përfitojnë të gjithë izraelitët."
Kryeministri Netanjahu dhe aleatët e tij fetarë dhe ultranacionalistë paraqitën propozimet për reformën në janar, vetëm disa ditë pasi formuan qeverinë, më e djathta në historinë e Izraelit.
Plani do t'i jepte zotit Netanjahu, i cili po gjykohet nën akuzat për korrupsion, fjalën e fundit në emërimin e gjyqtarëve të vendit. Ai gjithashtu do t'i jepte parlamentit, i cili kontrollohet nga aleatët e kryeministrit, autoritet për të rrëzuar vendimet e Gjykatës së Lartë dhe për të kufizuar aftësinë e gjykatës për të rishikuar ligjet.
Propozimi e ka zhytur Izraelin në krizën më të rëndë politike në dekada. Dhjetëra mijëra vetë dolën për të protestuar në qytete anembanë vendit.
Udhëheqësit e biznesit, ekonomistët e lartë dhe ish-shefat e sigurisë e kanë kundërshtuar të gjithë planin, duke thënë se ai po e çon vendin drejt autokracisë.
Ekipet negociuese të fraksioneve politike rivale të Izraelit mbajtën takimin e tyre të parë të martën vonë për të filluar bisedimet mbi një plan të mundshëm kompromisi. Të hënën zoti Netanjahu shtyu planin e tij për ndryshimet në gjyqësor, duke thënë se donte "të shmangte luftën civile" dhe të linte kohë për të gjetur një kompromis me kundërshtarët politikë. VOA
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)