KORÇË - Tentativa për të votuar persona të cilët nuk janë në listat e votuesve të anëtarëve të Partisë Demokratike ka sjellë pezullimin e procesit zgjedhor në degën e kësaj force politike në Korçë.

Procesi i votimit mësohet se u ndërpre vetëm 40 minuta pas fillimit. Komisionerët kanë grumbulluar materialet zgjedhore dhe janë larguar nga mjediset e qendrës së votimit. Për rifillimin e procesit pritet një vendim, i cili ende nuk është marrë për të rinisur votimin për kreun e PD-së Korçë.

Mësohet se përplasjet brenda radhëve të PD në Korçë erdhën pasi disa nga demokratët që u paraqitën për të shprehur vullnetin e tyre për kreun e ri të degës lokale nuk gjetën emrat në listat e votimit, e sipas komisionerëve nuk kanë paraqitur as dokumentin e anëtarësisë.

Drejtuesi politik i PD në Korçë, Ivi Kaso, tha se nuk bëhet fjalë për një përplasje mes demokratëve të Korçës, por për zbatim të rregullave të votimit. Ai siguroi se procesi i votimit nuk u cenúa deri në momentin e pezullimit.

"Nuk ka pasur përplasje, ka pasur bllokim të procesit që aktualisht është i pezulluar sepse kanë tentuar të votojnë persona që nuk rezultojnë në listat e anëtarësisë. Këto janë lista të konfirmuara në të cilat është votuar në procesin e fundit për kryetar në Korçë, si dhe këta të fundit nuk paraqisnin dokument anëtarësie siç kërkon rregullorja. Dy kushtet për të votuar janë ose të gjendet emri në listë, ose zgjedhësi të paraqesë dokument identifikimi që provon anëtarësinë në PD. Në mungesë të këtyre, nuk marrin konsensusin e komisionit për të votuar. Komisioni orientohet në bazë të udhëzimeve që vlejnë për të gjithë Shqipërinë, siç është votuar në të gjitha degët, do të votohet edhe në Korçë. Në pritje të qetësimit të situatës dhe të sqarimit të personave që kanë ardhur për të votuar, procesi është pezulluar dhe shpresoj të fillojë së shpejti. Nëse procesi fillon, duhet të fillojë me ato rregulla. Procesi është i pacënuar deri në këto momente, ata që kanë votuar, kanë votuar sipas listës së zgjedhësve dhe kur të fillojë sërish procesi, do votojnë vetëm personat që kanë emrin në listë. Të jeni të sigurt që procesi kur të fillojë, do të fillojë i pacënuar, qoftë nga aspekti i integritetit të votës, qoftë nga aspekti i procesit. Qëllimi ynë është që të jenë të sqaruar të gjitha palët, të jenë të qartë kandidatët dhe anëtarët e komisionit, në mënyrë që procesi të jetë i pacenueshëm dhe i besueshëm. Që të fillojë procesi duhet që të gjithë pjesëtarët në garë, dy kandidatët, anëtarët e komisionit, t’i japin besim procesit, të jenë të qartë për rregullat e lojës. Nuk ka asnjë proces zgjedhor të shkëlqyer, e rëndësishme është që procesit të mos i mungojë besimi dhe integriteti i një procesi të drejtë. Ne jemi këtu për të qetësuar palët e të japim garancinë e procesit të pacënuar",- thotë Kaso.

Ndërsa kandidati Harito Zoti hedh thotë se "pa pasur një listë të saktë, pa pasur gjithë demokratët, të gjithë ata që duhet të jenë të përfshirë, nuk e ka asnjë të drejtë të përjashtojë asnjë".

"Momenti i parë ishte tek pjesa e demokratëve. Ishin dy raste nga komuna Drenovë që ishin për të votuar. Problemi qëndron që ne nuk mund të përjashtojmë asnjë demokrat që të votojë, nuk e kishin emrin në listë dhe ne nuk mund të pranojmë që ata që janë kryetarë dhe janë pjesë e PD të rrinë pa votuar. Ishin drejtues strukture dhe nuk e kishin emrin në listë. Unë fola edhe me kandidatin tjetër dhe mora dakordësinë e tij që ishte ky problem për emra të cilët mungonin në listë. Pa pasur një listë të saktë, pa pasur gjithë demokratët, të gjithë ata që duhet të jenë të përfshirë, nuk e ka asnjë të drejtë të përjashtojë asnjë. Unë mendoj që në një moment tjetër mbase listat të jenë më të sakta, të punojmë për ato lista, të jemi të gjithë të përfshirë, të mos largohet asnjeri. Ne këto zgjedhje pse i bëmë? Ne këto zgjedhje i bëmë për të përfshirë të gjithë demokratët. Nuk e ka asnjë të drejtën për të hequr asnjë nga lista. Ka pasur njerëz që kanë votuar më parë. Unë, duke qenë pjesë e PD dhe kemi ndjekur të gjitha proceset, të paktën në 13 vitet e fundit, e kam të qartë këtë pjesën e votimit si është bërë. Kemi anëtarë sekretarë, kryetarë të PD që nuk janë në listë. Ky është një proces i cili do menaxhohet sërish ose mund të ishte mirëmenaxhuar më parë. Gjatë 24 orëve të fundit nuk janë bërë pastrime të listës, nuk është një proces njëditor. Ajo është proces në vite. Saktësimi i listave nuk mund të bëhet brenda ditës së sotme. Ne nuk do pranojmë që të rifillojë procesi sot duke hequr anëtarët e PD. Në këtë pikë mundet",- thotë Zoti.

lajm në përditësim...