Mjällby AIF ka shkruar një nga historitë më të bukura të futbollit evropian, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e ligës së një kompeticioni të UEFA-s.

Kampionët e Suedisë eliminuan Lincoln Red Imps të Gjibraltarit në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë, barazimi pa gola në takimin e kthimit ishte i mjaftueshëm për të vulosur kualifikimin dhe për t'i garantuar klubit të paktën një vend në fazën e ligës së Conference League.

Ky është një tjetër sukses historik për Mjällbyn, që sezonin e kaluar fitoi për herë të parë titullin kampion të Suedisë dhe ngriti gjithashtu për herë të parë Kupën e Suedisë.

Në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, suedezët do të përballen me fituesin e çiftit mes Slovan Bratislavës dhe Iberia 1999, ku skuadra sllovake mban avantazhin 2-0 nga sfida e parë.

Nga një fshat peshkatarësh në skenën evropiane

Historia e Mjällbyt bëhet edhe më e veçantë për shkak të origjinës së klubit. Skuadra vjen nga Hällevik, një fshat në jug të Suedisë me vetëm rreth 1,500 banorë, ndërsa e gjithë komuna e Sölvesborgut numëron rreth 17 mijë banorë.

Edhe pse klubi mban emrin e fshatit fqinj Mjällby, ndeshjet si vendas i zhvillon në Hällevik, në stadiumin Strandvallen, i cili ka një kapacitet prej rreth 6,000 spektatorësh dhe ndodhet vetëm pak metra larg brigjeve të Detit Baltik.

"Kur kundërshtarët vijnë tek ne, kalojnë mes fermave dhe porteve të peshkimit. Vazhdimisht ecin drejt detit dhe kur rruga përfundon, mbërrijnë në stadiumin tonë", ka deklaruar drejtori sportiv Hasse Larsson.

Stadiumi i Mjällby AIF

I themeluar në vitin 1939, Mjällby kaloi dekada duke lëvizur mes kategorive të futbollit suedez. Madje, mes viteve 2015 dhe 2018 garonte në divizionin e tretë, ndërsa në vitin 2016 ishte pranë falimentimit.

Pavarësisht suksesit, Mjällby nuk është një klub me buxhet të madh. Sipas Transfermarkt, skuadra vlerësohet rreth 25.8 milionë euro, duke qenë vetëm e pesta për nga vlera në elitën suedeze. Lojtari më i vlefshëm është Elliot Stroud, i vlerësuar me tetë milionë euro, i cili pritet të transferohet te Hull City.

Klubi është bërë shembull i punës së mirë në zbulimin dhe zhvillimin e talenteve. Skauti Arvid Franzen punon paralelisht edhe si postier, ndërsa një rol të rëndësishëm në projekt ka pasur Karl Marius Aksum, një specialist norvegjez me doktoraturë në perceptimin vizual në futboll.

Edhe pse sezoni aktual në kampionatin suedez nuk ka qenë ndër më të mirët, kualifikimi historik në fazën e ligës së garave evropiane mbetet arritja më e madhe në historinë e klubit, duke e shndërruar Mjällbyn në një nga përrallat më frymëzuese të futbollit kontinental.

Tifozët e Mjällby AIF