Përse gjithë ky “horror” publik e politik?

Përse gjithë ky “horror” publik e politik?
Pas 19 ditëve, qëkur ish-deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi, vetëm pak minuta pasi ishte përjashtuar nga grupi parlamentar, lëshoi “bombën” “Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, ka paguar për të më vrarë mua dhe deputetin e PD Fufi”, dje organi i Akuzës, pas një hetimi intensiv, të paprecedent në këto 25 vitet e fundit, arriti në përfundim se gjithshka ka qenë një skenar i sajuar.

Njëkohësisht, Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë arrestimin e deputetëve Doshi dhe Arben Frroku, si autorë të këtij skenari. Me këtë kërkesë (e cila duhet të miratohet urgjentisht nga Kuvendi, për hir të stresit publik, por edhe të rrezikimit të situatës së rendit dhe asaj politike në vend), Prokuroria ka hapur njëkohësisht hetimin për “Çështjen Doshi-2”.

Tashmë të gjithë, pasi morën përgjigjen për të vërtetën e këtij “atentati të shekullit”, të ngelur në tentativë, kërkojnë të dinë edhe të vërtetën se përse u ndërthur i gjithë ky skenar.
Le të bëjmë një rezyme’ të zhvillimeve të fundit politike, përpara publikimit të verdikteve. Ditët e fundit u vu re rritje e dozave të një radikalizmi të qëndrimeve të lidershipit të Partisë Demokratike, në proporcion të zhdrejtë me mbështetjen nga aleatët, militantët e saj, faktorin ndërkombëtar dhe ecurinë e punës së Prokurorisë, që hetoi me intensitet kauzën e tyre, “çështjen Doshi”.

Deputetët e minorancës, edhe këtë të enjte, vazhduan në seancën parlamentare me skemën, tashmë të shfryrë, për uzurpimin e foltores, kërkesën ultimative për dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, mbledhjen e një grushti militantësh, apo të punësuarish në Bashkinë e Tiranës, si dhe braktisjen e punës normale nëpër komisionet parlamentare. Koka dhe frymëzuesi i kësaj strategjie, Sali Berisha, bëri thirrje për një revolucion “të paqtë”, demokratik. Shqiptarët dhe të gjitha kancelaritë në botë tashmë e dinë mirë se çfarë nënkuptojnë “revolucionet” e ideuara dhe realizuara nga Berisha.

Njëkohësisht, i njëjti person, i cili një javë më përpara kishte deklaruar se kishte besim të plotë te Prokuroria, tani, jo vetëm që paragjykoi punën e saj, por edhe e presionoi, kur deklaroi se përfundimet e hetimit për çështjen “Doshi” do të jenë të papranueshme derisa kryetari i Kuvendit, mbi të cilin deri tani nuk ka asnjë akuzë zyrtare, të japë dorëheqjen. Dhe, faktikisht, sulmi ndaj Prokurorisë nisi, vetëm pak minuta pas deklaratës së organit të Akuzës. Sali Berisha mburret shpesh se është “babai” i informacionit. Mos ndoshta e ka kuptuar se çorbës së gatuar me mbeturina i doli era dhe i ka paraprirë përfundimit të hetimit?

Vazhdojmë. Në kohezion me deputetin e “mazhorancës” Tom Doshi, kërkuan një hetim edhe ndërkombëtar. Kjo u hodh poshtë në mënyrë të prerë nga SHBA dhe vendet e BE, të cilat e konsideruan zgjidhjen e kësaj historie si çështje ekskluzive të Drejtësisë shqiptare. Përfshirjen e ndërkombëtarëve tentuan ta bëjnë kauzë, në mënyrën më qesharake dhe të turpshme, edhe në tryezën e radhës BE-Shqipëri zhvilluar në Tiranë.

Por, edhe aty, përgjigjen për absurditetin e kauzës së tyre më të fundit, e morën të prerë dhe, madje, me tone të ashpra.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditët e fundit u përpoq dhe kërkoi në Bruksel që kauzën “Doshi” ta bëjë të madhe dhe ta fusë në axhendën e bisedimeve të rëndësishme, që ka këto muaj, deri në fund të vitit, Shqipëria me BE, për hapjen e negociatave për anëtarësim. Përveç shkëputjes së ndonjë deklarate për dorëheqje të përkohshme të kryetarit të Kuvendit, ky mision dështoi, edhe pse bëhej fjalë për përfaqësues të partive të djathta në Evropë.

I gjithë ky aksion politik dhe mediatik i lidershipit të PD, i cili tashmë plotëson të gjithë elementët e një ‘furtune në gotë’, po shoqërohet me nervozizëm, gati skizofrenik, nga ai grup i vogël, që e ka marrë përsipër. Kryeflamurtari i tij, Berisha, bën thirrje për revolucion, pra për përmbysje, qoftë “edhe demokratike”, të një qeverie, që s’ka përmbushur as gjysmën e mandatit që votuesit ja dhanë në mënyrë plebishitare.

E ndjek në dëshpërim vetëm një grup-klon, por edhe përbërësit e tij tashmë duket qartë se recitojnë me zor detyrat e parashkruara prej tij. Kryetari-hije i Partisë Demokratike çdo ditë e më shumë, kur flet për këtë çështje, ngjan sikur i kanë vënë pistoletën pas koke dhe e ka katandisur diskursin në zhgënjim dhe mllef personal, ndaj Ilir Metës.

E gjithë kjo panoramë duket se shpjegohej me afrimin e mbylljes së hetimit, i cili, ashtu siç pritej, e nxori sajesë gjithë këtë histori.
Por mbyllja e kësaj maskarade ka hapur një hetim tjetër, me objekt: I ashtuquajturi atentat, ishte skenar i qëllimshëm, shpifje... dhe për çfarë motivesh? Se si do të mbyllet ky hetim, duhet pritur për t’u parë.

E gjitha kjo ishte paranojë, shantazh i segmenteve krim-biznes, ndaj qeverisjes PS-LSI, radikalizim i situatës politike përpara zgjedhjeve, apo destabilizim i vendit në kornizën rajonale? Në pak rreshta, le t’i analizojmë të gjithë variantet: cilat mund të jenë këto, por edhe më pak, apo edhe më shumë.

Paranoja e Doshit për një atentat ndaj tij tashmë ka disa elementë realë. Së pari, përfshirja e dhjetëra personave që “kanë qenë në dijeni” të atentatit ndaj tij, por që në Prokurori rezultoi se nuk dinin asgjë. Këtu përfshihen miq e të njohur, por edhe “shënjestra” e dytë, deputeti Fufi. Futja në lojë në mes të hetimit dhe anonçimi në FB, nga Doshi, i një njeriu me kartelë psikike, si variant tjetër atentati, këtë radhë me ndërmjetës, jo “Tonin e Kombinatit”, por babanë e Ilirit, Rexhep Metën, e ktheu situatën, në mos paranojake, në qesharake.

Ka edhe shumë elementë të tjerë, sa herë dëgjon përsiatjet e Doshit dhe Berishës, por më “i bukuri” është fakti që doli në emisionin “Opinion” nga gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha (fillimisht besues i flaktë!!), se Doshi ka frikë se edhe kafja që pi në Prokurori, mund të jetë e helmuar!!!

Shantazh apo, më saktë, shantazh i dështuar? Për këtë variant, ka elementë të shumtë dhe, faktikisht, është më i besueshmi ndër të tjerët. Tashmë të gjithë e dinë se i gjithë rebelimi i deputetit Doshi nisi ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, veçanërisht në kohën e goditjes së “Lazaratit 2”, në zonën e Dukagjinit, ndaj drejtoreshave të Tatimeve dhe Doganave, por edhe ndaj ministrit të Shëndetësisë, Beqja, atij të Jashtëm, Bushati etj. Kjo pistë kërkon me patjetër një hetim të bizneseve të deputetit më të pasur në Parlament dhe miqve të tij, në raport me shtetin.

Varianti nr. 3 ka të bëjë me radikalizimin e situatës parazgjedhore. Edhe ky motiv për këtë skenar është i besueshëm. Situata brenda Partisë Demokratike - tashmë dihet publikisht - nuk është e mirë. Klanet e vjetra e të reja kanë dalë nga rreshti dhe janë përballë njëri-tjetrit. Sondazhe të vetë kësaj force politike, por edhe të tjera, tregojnë për një rënie të frikshme të përkrahjes së kësaj force në elektorat. Prej kohësh ka zbritur nën nivelin e 30 përqindëve, që mori në zgjedhjet e fundit.

Frika për t’u futur në një garë të humbur ende pa filluar, shto edhe epshin e papërmbajtur të Berishës për pushtet, shoqëruar me frikën e tij dhe të lidershipit të PD nga forcimi i shtetit, pra rrezikun për t’u përballur përpara ligjit për ato që kanë bërë në të kaluarën, janë një “arsye e mirë” për të përçarë, së pari, aleancën PS-LSI dhe, në rast dështimi, krijimin e kaosit dhe revolucioneve…

Por kush mund të jetë i vërteti?
Me dashje apo jo, të tri variantet e mësipërm ndërthuren dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Përfshi këtu edhe atë të futjes së vendit në kaos, me synim destabilizimin e rajonit…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin