Baze: Përse të gjithë ju dorëzuan sistemit?

Debati për ndryshimin e sistemit duket se u zbeh. Ai u ngjall në pikun e krizës politike, kur opozita donte të ftonte sa më shumë aktorë rreth saj, dikë që donte rritje pagash, dikë që donte kompensim për punët e kohës së komunizmit, dikë që donte legalizim, dikë që donte ish- pronat, dikë që donte të mos i prishej shtëpia nga kalimi i rrugës, dikë që donte të mbronte tokën e zaptuar, dikë që nuk donte të paguante dritat dhe ujin, dikë që donte shkollë pa lekë, dikë që donte të mos paguante taksa, dikë që do të marrë rrogën si aktor protestues etj, pra çdokënd që kishte një arsye të vetën për të qenë i zemëruar dhe t’ia jepte zemërimin me qira PD-së.

Pikërisht në këtë kohë u shfaqën dhe plot të zemëruar me sistemin, kryesisht individë apo parti të vogla politike, të cilët nuk shikojnë më shpresë për përfaqësim në Parlament me këtë sistem. PD bëri sikur ishte dhe me këta, dhe foli për ndryshim sistemi.

Sot revolucioni është shuar. PD, e cila tentoi të ishte ombrellë e pakënaqësive të tyre, me shpresë se do të dukej më  e madhe, duket më e lodhur prej tyre.

Ndaj në këto kushte, ka rënë dhe vullneti për të gënjyer dhe ata që donin ndryshim të sistemit.

Ndryshimi i sistemit, nuk është se zgjidh në mënyrë magjike forcimin e demokracisë në Shqipëri, pasi ne i kemi provuar tashmë të gjitha sistemet, që nga ai mazhoritar i pastër, deri tek ky që është propocional i pastër, duke kaluar dhe te modele të tjera të përziera midis.

Por nga të gjitha sitemet, ky i fundit i jep më shumë peshë vendimit të kryetarit të partisë për të mbrojtur pushtetin e tij nga kritikët, në kushtet kur partitë tona politike, veprojnë si organizma antiligjorë, në shkelje të rregullave dhe statutit dhe bazuar thuajse mbi emërime.

Një ligj i tillë elektoral, është një shpëtim për kryetarë partish, duke pasur në dorë renditjen e listës.

Nga ky ligj, më së shumti ndjehet i mbrojtur Lulzim Basha, pasi supozojmë që Edi Rama tashmë i ka konsoliduar pozitat në partinë e tij, pasi e ka ndryshuar atë tërësisht.

Në këto kushte, të dëmtuarit e mëdhenj mbeten përfaqësuesit e opozitës parlamentare, të cilët duhet të përballen me këtë realitet jo me deklarata verbale, por me organizim politik.

Pas gati një viti në Parlament, ata duhet të organizohen politikisht. Dikush mund të zgjedhë të formojë partinë e tij, dikush mund të mbështesë parti të tjera të interesuara për ndryshimin e sistemit, si “Bindja Demokratike”, por e rëndësishme është që ata duhet të kenë një përfaqësim politik në këtë ballafaqim.

Për hir të së vërtetës, disa prej tyre nuk kanë ndonjë vlerë politike dhe  përfaqësojnë aty humorin e zi të  Lulzim Bashës, ditën që i kanë shkuar në zyrë për t’i kërkuar emrin kot në listë.

Por jo të gjithë janë ashtu. Ata që mendojnë se mund të vazhdojnë politikën me këmbët e veta, duhet të sillen si njerëz politikë, dhe duhet të përgatiten për të hyrë në garë, dhe jo për të vajtuar sistemin, duke u zënë me njëri- tjetrin dhe më të gjithë.

Në këtë gjendje që janë, ata janë po aq të dorëzuar para sistemit, sa dhe partitë e mëdha dhe aleatët e tyre.

Arsyeja përse të gjithë ju dorëzuan sistemit, është se pothuajse të gjithë në këtë garniturë politike që ne kemi, janë produkt i sistemit dhe i fuqive të veta politike. Prej këtyre nga e majta, vetëm Edi Rama mund të quhet që është politikan i bërë vetë.

Nga e djathta, ka disa politikanë të mbijetuar si Shehi, Duka, Mediu, Dule apo Ndoka, që po ashtu kanë shfrytëzuar shanset e sistemit për koalicion.

Të tjerët janë të emëruar nga sistemi, përfshi Lulzim Bashën.

Askush nga këta që shikoni sot në politikë, nuk ka bërë ndonjëherë një garë i vetëm, për të fituar vetë, ndaj mos prisni të dalin vetëm përballë njerëzve në garë.

Dhe kjo është është arsyeja që i janë dorëzuar mos-ndryshimit të sistemit. Është arsyeja përse ata shërbejnë sot si politikanë.

Pa këtë sistem mund të shërbenin si kamarierë, taksixhinj, ose biznesmenë.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Gjyqtarë e prokurorë në 'sitë', a jeni dakort me rezultatet e deritanishme të procesit të vettingut?

Komento

Komente

  • Arifi: 07/01/2020 21:54

    Je i madh.mero ,, kamarier ka qene lul muti,,,

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

INSTAT/ (Zh) bëhet kultura gjatë pandemisë! Biblioteka në gjumë, në tre muaj vetëm 91 frekuentues