Një pjesë e detajeve se si i kishin gjetur këto zona partizanët shqiptarë jepen edhe në këtë raport të Isuf Keçit. Pjesën e parë të dokumentit e sjellim të plotë, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH. Ndërsa pjesën e dytë të tij e sjellim në numrin vijues të gazetës.
Pjesa e parë e dokumentit
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI DIVIZIONIT VI-të “S”
Vdekje Fashizmit – Liri Popullit
Nr. 2/2 Rez.
Ohri, më 15.VII.1945.
KOMITETIT QENDROR TË PARTIS KOMUNISTE SHQIPTARE
TIRANË
Raport’i muejit Qershor 1945
Në mbledhjen e Komitetit të Divizionit të përbamun nga Komisarët e Brigadave, nga Përgjegjësi Rinis Divizionit dhe nga Komisari i Divizionit, u konstatue:
1.- Gjendja politike e terrenit në krahinat Ferizaj-Shtimlje e Lipljan. – (krahina ku ka qëndrue Divizioni gjer më 10 Qershor). –
Gabimet e mbëdha politike që kishin bamun repartet ushtarake të Kosmetit gjatë dbimit të Gjermanëve nga Kosova, dhe armiqësija ndërmjet kombësive të ndryshme (Malazese, Serbe e Shqiptare) kishin krijue një gjendje shumë të vështirë në këto krahina. Kjo gjendje e vështirë spjegohet prej faktit se një sasi e madhe e popullit nga frika e persekutimeve të pa vend që bajshin repartet e Kosmetit ishin hedhur me armë kundra pushtetit dhe ishin bashkue me kriminelat e popullit Kosovar që endeshin ndër male. Nga ana tjetër organizatat e partis jo vetëm që nuk ishin në gjendje që t’a rregullojshin këtë situatë, por përkundrazi kishin influencue shumë për egërsimin dhe për ritjen e rrymës shoveniste. Kish antarë Partije që ishin shovenista, të cilët e kishin kuptue Komunizmin si lëvizje Nacionale e jo si lëvizje internacionale. Përveç kësaj tue qenë organizata e ré kishte edhe elemente me tendenca tarafllëku. Këtë e kemi konstatue pse shpesh herë kanë ndërhye për lirim elementash të dobët nga burgu që i kishin miq.
Ky veprim pra i organizatës si dhe i reparteve kish dobësue shumë pushtetin dhe nga ana tjetër kish forcue reaksionin i cili nuk rrinte me duar kryq. Karshi kësaj situate reaksioni lëshonte parrulla se Englezët do të zbarkojnë në Dalmaci, se Titua i prishi punët me Englezët për çështjen e Triestes, se forcat Greke dhe Engleze do të sulmojnë nga an’ e Maqedhonisë, se shpëtimi i jonë do të vijë nga Mbreti Pietër, se pa Pietrin nuk lind dielli etj. Këto parulla ngjitshin në popull i cili ishte krejt i pa skjaruar, mbassi i konsideronte Brigadat e Kosmetit të barabarta me xhandarët e Kral Pietrit e të Stajodinoviqëve. E tillë ishte gjendja e terrenit dhe e organizatës kur neve jemi instalue në këto krahina. Gjatë kohës që repartet t’ona ndenjën në këto ana, shumë punë politike asht bamun si ndër masat e gjera të popullit ashtu edhe mbrenda në organizatë. Për të patur një idé të kjartë të punës s’onë mjafton të shënojmë se gjatë muajit Maj i janë dorëzue reparteve t’ona 114 t’aratisur e gjatë muajit Qershor ma se 80 t’arratisur. Kemi shkatrue në këtë mënyrë krejt forcat e armatosura të reaksionit ndër krahinat që na pat besue Shtabi Operativ i Kosmetit. Me operacionet që bëri Divizioni në ditët e para të Qershorit, bamë që edhe dy çeta të vogla që silleshin ndër Bjeshkat e Jezercës e të Zhegorecit të ikin fare prej kësah krahine. Mund të themi me siguri se kur kemi ikur nga Kosova me 10 Qershor, e kemi lanun situatën qind-për-qind të përmirësueme.
2.- Situata politike në Ohër, Strugë e Resan (Maqedhoni). –
Nga tokat e Kosovës kemi ikur me 10 Qershor, dhe mbas 12 ditë udhëtimi kemi mbritur në Maqedhoni (Ohër, Resan, Strugë). Gjatë udhëtimit kemi patur rastin të njohim gjendjen e pushtetit e të prapavijave që nga Kaçaniku, Shkupi, Veles, Prilep, Manastir deri në Ohër. Gjith-kund kemi konstatue çrregullime n’administratat e shovenizëm të tepëruem ndër masat e popullit dhe t’ushtris. Edhe këtu në Maqedhoni, tue qenun popullsija në shumë kombësi (Maqedhon, Shqiptarë, Turq, Bullgarë) ka shumë armiqësina ndërmjet tyne, të cilat e kanë origjinën tek regjimet e kaluara si dhe te gabimet, që kanë bamun repartet Maqedhonase kur iku gjermani tue u hak-marrë mbi Shqiptarët e Bullgarët. Pastaj ajo që e pengon shumë punën në këto vende asht se në pushtet ka akoma asi elementash që deri dje kanë qenë në prehnin e armikut. E plaga ma e madhe asht se populli i këtyne anëve nuk e urren armikun mbasi nuk e ka luftue fare. Për të rregullue këtë situatë të vështirë në këtë krahinë, duhej që të kishte një organizatë Partije shumë të shëndoshë, por përkundrazi, organizata e Partis këtu asht edhe ma e dobët se ajo e Kosovës. Ka ngjarë, që Komisari i qytetit në Resan ka dash të ndalojë parakalimin e Brigadës III-të për në qytet, ka përdorë fjalë brutale kundër ushtrisë t’onë. Dhe ajo ma e keqja asht se udhëheqës t’organizatës, nuk dinë seç luftë ka bamun ushtrija e jonë, seç luftë ka bamun Divizioni i VI-të dhe se nga vinte. Shumë prej përgjegjsave kujtojshin se Divizioni vinte nga Shqipërija për të marrë në dorëzim Maqedhonin. Kjo provon se ata nuk janë të pregatitur politikisht, se ata janë shumë të rinj në punë dhe se shumë herë bien në pozitat e armikut.
Gjatë kësaj kohe që neve jemi instalue këtu kemi fillue një punë sistematike për të ndihmue organizatat e Partis si dhe për të skjarue popullin me konferenca e çfaqje nëpër fshatra. Dhe mund të themi se jemi në rrugë të mirë përsa i përket kësaj pune. Parulla e fillimit se Divizioni ka ardhur për të marrë në dorëzim Maqedhonin ashtu Zhduk e vendin e saj e ka zanun parulla e jonë se Divizioni i VI-të ka ardhur me mbrojtë Maqedhonin bashkë me Armatën e Mareshallit Tito. Besimi që ne kemi fitue në pushtet spjegohet se për çdo manifestim ose meting që do të bahet merret edhe mendimi i jonë. Kështu që sot jemi në lidhje të ngushtë si me pushtetin ashtu edhe me organizatën e Partisë. E tillë është gjendja e terrenit ku janë dislokue forcat e Divizionit VI-të.
3.- Gjendja politike e reparteve të Divizionit VI “S”. –
Niveli politik i reparteve në përgjithësi ësht i ulët. Një numur i konsiderueshëm partizanësh nuk kanë kuptue akoma qëllimin e qen-jes së tyre të mobilizuar në ushtëri, nuk njohin akoma mirë se kush asht armik i popullit Shqiptar e kosovar, nuk kanë urrejtje kundër reaksionit ndërkombëtar e reaksionit Grek. Shkurt nuk njohin karakterin e luftës s;onë. Bile një pjesë e atyre janë mobilizue në këto kohët e fundit e që nuk e kanë zbraz ndonjë herë pushkën për demokracinë t’onë e konsiderojnë vehten si t’internuem. Shkaku që këto reparte qëndrojnë kaqë ulët politikisht shpjegohet se 1)-një numur i konsiderueshëm i tyre nuk e kanë bamun jetën e lavdishme të partizanve t’onë të vjetër, 2)-një numur tjetër prej tyre vjen nga radhët e armikut, 3)-se edhe neve nuk kemi punue aqë sa duhet për t’i ngritur ata e 4)-se edhe kuadrot t’ona të reja nuk kanë mujtë me gjetë një sistem pune të përshtatëshmë për ‘ta.
Prej të tre Brigadave të Divizionit, ajo që e ka elementin më të mirë, asht Brigada e III-të, e kjo spjegohet pse partizanët Kosovarë që ndodhen në ‘të janë të vjetër e pjesa ma e madhe e tyre kanë marrun pjesë në luftime t’ashpra në Sanxhak dhe në Bosnje. Bile për t’u vue në dukje asht se shumë të rinj Kosovarë janë futur në radhët e Partis, dhe një numur tjetër janë kandidatë për në Parti. Një fakt tjetër që spjegon se Brigada e III-të asht ma e mira, asht se numuri i vogël i të dezertuarve nga kjo Brigadë. Në muejin Qershor ka pas vetëm 2 dezertorë. Pas Brigadës së III-të vendin e dytë e zen Brigada e VIII-të, e cila nuk ka mujtë me rekrutue akoma Kosovarë për në Parti, me gjithë se ka elementin më të shëndoshë Kosovar (të krahinës Drenicës). Dhe ajo që ka mbetë ma mbrapa asht se elementi Kosovar që ndodhet në këtë Brigadë asht shumë i rì, d.m.th. se nuk kanë bamun luftime aspak si edhe kuadrot e kësaj janë më pakë aktive se të Brigadave të tjera.
4.- Gjendja organizative. – Lëvizja e kuadrove, mungesa e Zv. Komisarëve të Brigadave si dhe mungesa e 4 përgjegjësave të tjerë politikë që ndodhen në Kurs, gjith’ashtu edhe lëvizja e reparteve t’ona na kanë pengue shumë në forcimin e organizatës Partis në Divizionin e VI-të. Kështu me gjithë se jemi lodhur për t’a forcue organizatën e Partis, prap se prap nuk ja kemi dalur në krye. Nuk njohim akoma mirë kapacitetin e byrove ndër Batalione, nuk mujtë me kontrollue mirë zbatimin e planit të punës caktuar nga Komiteti Divizionit. E fundi fundit, nuk kemi qenun në gjendje me konstatue se sa asht përfitue nga punimi i atij plani. Kështu spjegohet që organizata e Partis ka funksionue, por nuk asht kontrollue siç duhet.
5.- Gjendja kulturale e reparteve të Divizionit VI-të.
Me që gjendja politike e organizative e Divizionit asht e ulët siç e pamë, rjedh vet vetiu se dhe gjendja kulturale nuk mund të jetë e ndame nga gjendja politike, d.m.th. se asht e ulët. Me gjithë punën e dendur që bëhet në këtë drejtim, prap se prap, repartet t’ona qëndrojnë ulët nga pik-pamja kulturale. Kjo spjegohet:
I)- Se në Divizion ka fare pak elementa që kanë mbarue shkollën e mesme.
II)- Se pjesa ma e madhe (gadi gjithë e reparteve asht fshatar e puntorë që nuk kanë patur mundësi me vazhdue shkollën.
III)- Se një numur mjaft’i konsiderueshmë gati 30% janë analfabet.
IV)- Se gjendja gjithmonë në lëvizje e reparteve nuk ka lejue që të bahet një punë intensive për ngritjen kulturale të reparteve.
Këto janë shkaqet kryesore që kanë pengue punën e përgjegjsave në këtë drejtiml Por kjo nuk do të thotë se puna ësht lanun mbas dore, përkundrazi, për ngritjen e nivelit kultural asht punue mjaft e sidomos tash që forcat janë t’instaluara nëpër kazerma. Mund të themi pa frikë se mbrenda një kohe të shkurtër mund të kemi shumë ndryshime. Sot për sot janë formue dhe kanë fillue t’apin përfundime këshillat kulturale. Analfabetimit i asht bamun një luftë e ashpër dhe përfundimet kanë qenun të mira. Brigada e VIII-të nga 353 analfabetë ka bamë që të mësojnë brenda muajit Qershor 80 vetë, Brigada e VI-të tue qenë se gjendet në kondita më të mira, ka ba që të mësojnë 96 analfabetë. Brigada e III-të ka bamë që të këndojnë e të shkruajnë gjatë muejit Qershor 73 veta. Numuri i analfabetëve që kanë mësue me shkrue e me këndue harin 249, si mbas raporteve që japin Komisarët e brigadave, po prej këtij numuri që supozohet të jetë edhe i egzazheruem, mund të themi me siguri se ma se 150 veta kanë mësue me shkrue e me këndue e nuk mund të quhen analfabetë. Për zhvillimin kultural të reparteve nuk jemi bazue vetëm në luftën kundër analfabetizmit. Kjo gja asht bamun vetëm me ata që janë analfabetë, por me të tjerët asht bamun landë gjeografike e historike, të cilat kanë ngjallur interes të madh ndër partizanët. Ndër orët e lira asht vumun ré se partizanët kënaqen edhe e presin me kënaqësi këtë orë. (Vijon nesër…)
d.c./shqiptarja.com