Një godinë 3-katëshe ishte transformuar në një kazino të paligjshme në Lezhë, ku konsumohej edhe drogë. Në pranga ra 47-vjeçari Bledar Arapi, i cili pasi seancës së zhvilluar në Gjykatën e Lezhës, u la në “arrest shtëpie” duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë.
Bledar Arapi ishte përgjegjës i kazinosë së paligjshme ndërsa akuzohet nga prokuroria për veprat penale penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Sakaq, në kërkim është shpallur 24-vjeçari Elger Uka, i cili kishte marrë me qira godinën 3 katëshe, ku në kati i dytë dhe i tretë ishte përshtatur për organizimin e lojërave të fatit dhe përdorim droge.
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, 725,000 lekë të rinj, si dhe euro dhe dollarë.
Ndërkohë, në lidhje me rastin, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Ilir Proda, nisi edhe një hetim disiplinor për disa drejtues dhe punonjës policie, të cilët nuk kishin marrë masa për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie në qendër të qytetit të Lezhës.
Komente










