Me datën 20 qershor është dita botërore e refugjatëve. Kjo ditë është themeluar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara për të nderuar forcën dhe guximin e mjaft grave, burrave dhe fëmijëve që janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të një strehe.

Në kuadër të kësaj ditë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, ka hapur sot një fushatë të rëndësishme e cila synon të qëndrojmë së bashku të gjithë për refugjatët.

60 personalitete të shquara në mbarë botën kanë realizuar një video të mrekullueshme për t’i dhënë zë mesazhit për t’i ndihmuar refugjatët, ”Jemi me refugjatët, ju lutem, bashkohuni me ne”.

Peticioni u bën thirrje qeverive të veprojnë në emër të njerëzve të botës të zhvendosur me forcë. Fushata ka për qëllim të demonstrojë mbështetjen publike për familjet e detyruara të largohen në një situatë zhvendosjesh gjithnjë e më në rritje, për shkak të konflikteve dhe persekutimeve nga njëra anë, dhe retorikës së shtuar kundër refugjatëve dhe kufizimeve më të mëdha për azil, nga ana tjetër.

Peticioni do të dorëzohet përpara seancës plenare historike të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për adresimin e lëvizjeve të mëdha të refugjatëve dhe migrantëve, që do të mbahet në shtator. Ky peticion kërkon nga të gjitha qeverië që të bëjnë çmos që çdo fëmijë të marrë një arsimim, që çdo familje refugjate të ketë një vend të siguruar për të jetuar. Ai kërkon gjithashtu që çdo refugjat të mund të punojë apo mësojë aftësi për të dhënë një kontribut pozitiv në komunitetin e tij.

 Ambasadorja e vullnetit të mirë e UNHCR-së, Cate Blanchett, e cila del në videon për kampin e refugjatëve të Za’atarit në Jordani, foli për mbështetjen e fushatës prej saj:

"Gjendemi në mesin e një krize zhvendosjesh të tmerrshme, e cila ka zhvendosur miliona familje të pafajshme, dhe ku një numër tepër i madh njerëzish kanë humbur jetën në orvatje për të gjetur siguri. Zgjidhja përfundimtare është politike – kemi nevojë për paqe dhe stabilitet. Por ndërsa presim që t’i kemi – duke qenë njerëz me zë - mund dhe duhet të bëjmë pjesën që na takon. Duhet të kërkojmë që të gjitha vendet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë me qëllim që refugjatët të kenë mbrojtje, strehë dhe mundësi për të bërë një jetë produktive. Nëse bashkohemi dhe bëhemi shumë, zëri ynë do të dëgjohet".

 “Fushata #MeRefugjatët dhe peticioni synojnë t’i shumëfishojnë këto zëra dhe të tregojnë se bota është me refugjatët”.

Fushata synon të mobilizojë audienca të gjëra, duke bërë peticionin më të madh të përgatitur ndonjëherë në mbështetje të kauzës së refugjatëve. Peticioni mund të nënshkruhet në adresën: http://rfg.ee/z2bA301bNOn