Prej nëntë vitesh, çdo tetor, 54-vjeçarja Rita Kastrati nga Kukësi vishet me rozë. Edhe ambientin e parukerisë e zbukuron me ngjyrën simbol të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Është mënyra e saj për t’u përcjellë grave dhe vajzave mesazhin që kontrollet mjekësore duhet të bëhen rregullisht.

Në moshën 45-vjeçare, Rita mori lajmin që i tronditi jetën. Më parë nuk kishte bërë asnjë kontroll, derisa dhimbjet e forta e detyruan të shkojë te mjeku, i cili diagnostikoi tumorin.

"Kur mora vesh nga mjeku se kam tumor në gji ishte një tronditje e madhe. Një moment që më ndryshoi jetën. Nuk është e lehtë. Normalisht kam kaluar frikë dhe pasiguri. Shumë sfida. Gjatë kësaj periudhe ti mendon, të dorëzohem apo të luftoj për jetën. Por e mblodha veten. Dhe thashë unë nuk dorëzohem. Do ta fitojë këtë betejë", shprehet ajo.

Forcën për të përballuar sëmundjen e gjeti te besimi në Zot dhe dashuria që mori nga familja.

“Meqenëse unë jam besimtare ju luta perëndisë për paqe, forcë, mbështetje e mençuri. Pastaj këtë situatë e ndava me familjen, miqtë e mi. Të gjithë më dhanë inkurajim, forcë, shpresë që te mos dorëzohem. Të vazhdojë përpara mjekimin. Kimioterapitë një sfide në vetvete. Nuk ishte e lehtë. Një forcë për tej normales me erdhi kur kam medituar për motivin e jetës sime. Besimi te zoti dhe dashuria për vajzën time të vetme”, tregon Rita.

Rita Kastrati ka kryer 28 seanca kimioterapie në spitalin Onkologjik të Tiranës.

“Doktori më tha se ne do të bëjmë maksimumin, por 80% është gjendja jote emocionale dhe 20% mjekimi. I thashë patjetër këtë 80% do e kemi. Bashkimi bën fuqi dhe vazhdova kimoterapitë. Ishte sfidë se kur doktori të thotë trupi juaj do pësoj ndryshime, flokët do të bijnë. Por i kalova. Pozitiviteti është shumë i rëndësishëm për ta përballuar tumorin e gjirit,” tregon ajo.

Sot, gëzon shëndet të plotë dhe është një zë i fortë i ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për gratë që kalojnë të njëjtën sëmundje.

“Ju lutem, mos u dorëzoni. Luftoni me optimizëm. Mos prisni vetëm tetorin për të bërë kontrolle. Kujdesuni çdo ditë për shëndetin tuaj.”

Rita apelon gratë të mos neglizhojnë kontrollet periodike me mamografi.

“Të gjitha mjekimet dhe kimioterapitë i kam bërë falas, në shtet. Nuk zgjodha privatin, por iu besova shërbimit publik për betejën time për jetën”, thekson ajo.