Në sheshin që mban emrin e vendit fqinj, kremtohet lindja e Republikës së Italisë, në 2 qershor të 77 viteve më parë. Ambasadori Fabrizio Buçi pret miqtë që përshkojnë tapetin e kuq...

Të pranishmit janë personazhe nga politika, forcat ushtarake, biznesi e spektakli.

Himnet e dy vendeve këndohen nga shqiptarë e italianë. Edhe fjalimi i ambasadorit Buçi është përbashkues.

“Është një festë shumë e rëndësishme për ne! Është festa e Republikës sonë: e bashkuar, demokrate! Për ne italianët është një moment special! Jemi shumë të lumtur!”, thotë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Buçi.

Ai rrëfen se në një mbrëmje si kjo festohet edhe afërsia mes dy vendeve.

“Kjo me të vërtetë është festa jonë kombëtare, por mendoj se duhet të konsiderohet edhe një festë e shqiptarëve! Një festë e madhe e miqësisë që lidh dy vendet: Italinë dhe Shqipërinë!”, shprehet më tej ambasadori Buçi.

Orkestra e Forcave të Armatosura luan një repertor të përzgjedhur.

Edhe në këtë atmosferë feste, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme fetare i shohim bashkë.

“I jemi mirënjohës ambasadorit që na ftoi. Ne jemi gjithmonë bashkë, sepse feja e vërtetë nuk ngjall asnjë të keqe, ndryshe do të ishte instrumentalizim i besimit”, shprehet imzot Angelo Massafra.

Imzot Angelo Massafra është një figurë përbashkuese për dy vendet.

“Unë si arbëresh e dëshmoj letësisht lidhjen shekullore mes dy vendeve, Shqipëria dhe Italia janë dy popuj vëllezër”, thotë imzot Angelo Masaffra.

Të ftuarit thonë se përpos se shijojnë festën, prania e tyre është një shenjë mirënjohje, që Italia mbetet nga partnerët tanë kryesorë edhe në rrugën drejt BE.

“Padyshim që Italia në këtë rrugë është partneri strategjik më i fortë që Shqipëria ka”, thotë shkrimtari dhe ish-diplomati Ylljet Aliçka.

Fishekzjarrët përcjellin atmosferën festive edhe përtej sheshit “Italia”.

Koncerti “Sanremo është Sanremo” është padyshim qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje.

“Ne jemi rritur me këtë  ngjarje. Është një event shumë i veçantë i organizuar nga ambasadori Buçi, që më duhet ta them që është një artdashës i madh, veçmas i artit klasik”, shprehet sopranoja Eva Golemi.

Përcillet përmes koncertit, historiku i Sanremos, që solli në Shqipëri një dritare për atë çka ndodhte me muzikën e artin në Perëndim.

“Deti Adriatik është kthyer në një autostradë të madhe që lidh dy vendet. Tashmë koncepti i kufijve është kapërcyer. Shqipëria është pjese e Italisë dhe Italia është pjesë e Shqipërisë! Nuk ka më kuptim të flasim për kufij! Jemi një popull i vetëm dhe i madh!”, tha ambasadori.