Kosove-Pamje nga Prishtina Foto ATSH
PRISHTINË, 21 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian "Perspektiva e BE-së në Kosovë" përmbyll aktivitetet pas katër vjet implementimi, me vlerë 5.68 milionë euro.
"Objektiva kryesore ishte stimulimi i një debati më të gjerë rreth BE-së dhe vlerave të BE-së, për të rritur njohurinë për procesin e integrimit të BE-së, i cili do të rezultonte në një promovim të qartë të integrimit të BE-së nga palët kryesore të interesit në Kosovë", thekson në njoftimin e dërguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Bëhet e ditur se, pas katër vjet aktivitetesh lidhur me ngritjen e vetëdijesimit rreth BE-së, projekti i financuar nga BE "Perspektiva e BE-së në Kosovë" do të prezantojë arritjet e tij në një ngjarje përmbyllëse, të mërkurën e 23 korrikut.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE dhe Gëzim Kasapolli, ushtrues detyre i ministrit për Integrime Evropiane, do t'i adresohen palëve të interesit dhe mysafirëve të ftuar. Dragan Barbutovski, udhëheqës i Ekipit të projektit do të prezantojë arritjet kryesore të projektit dhe produktet që janë zhvilluar. /k.s/




