Edhe më 1998 kur kushtetuta e re bëri ndarjen e qartë midis mandatit parlamentar dhe kryetarit të njësive vendore pati një debat të shkurtër. Të paktën 10 kryetarë bashkish e komunash vijuan me dy mandate deri në zgjedhjet vendore 2000. Më 2007 ministri Olldashi paraqiti dorëheqjen si deputet për të kandiduar pa sukses për kryetar bashkie, më 2011 ministri Basha dha dorëheqje nga ekzekutivi dhe legjislativi për të njëjtën arsye. Të njëjtin veprim bënë edhe deputetë në Lushnjë, Lezhë, etj, apo në zgjedhjet e fundit parlamentare 5 kryetarë të njësive vendore.
Për papajtueshmërinë deputet - ministër - kryetar i njësisë vendore kushtetuta është e qartë. Për papajtueshmërinë midis deputetit dhe ministrit kushtetuta nuk ka përcaktim kufizues. Neni 70 përcakton se deputeti nuk mund të ushtrojë asnjë tjetër shtetërore përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave”, pra duke e lejon statusin e dyfishtë. Edhe rastet e mbarimit të mandatit parlamentar (neni 71) nuk përfshijnë emërimin ministër.
Ndaj çdo nismë për ndarje mandatesh dhe vendim ndryshe është akt i pastër politik, ka synime politike dhe duhet të trajtohet me argumente politikë. Nëse aplikohet, kjo është hera e parë që ndodh në 23 vjet. Tradita jonë shtetërore e politike zakonisht eksperimentet i ka pasur me pasion të madh, por në tërësi nuk kanë sjellë ndonjë rezultat e sukses të madh. Rasti aktual mund të ketë të njëjtin fat, ose të sjellë një risi në politikën vendimmarrëse.
Mbështetësit e idesë së ndarjes e bazojnë argumentin tek nevoja për ndarje pushtetesh, për një ekzekutiv solid dhe 100% në punë, për një parlament të fortë në funksion kontrollues dhe ligjvënës, si dhe për nevojën e ikjes nga tradita e njësimit të posteve parti-shtet, e zgjerimit të bazës së vendimmarrjes dhe të përgjegjësisë politike. Ata mund të kenë të drejtë. Kritikët e tyre e shohin ndryshimin një aventurë ku i emëruari del më i pushtetshëm sesa i zgjedhuri, ku produkti zgjedhor nuk ka pushtetin e nevojshëm për mbajtjen e premtimeve, ku karriera ekzekutive e politike i lihet në dorë vullnetit personal të kryeministrit dhe ku parlamenti bëhet formal, pa ndikimin e duhur në vendimmarrjet e rëndësishme politike.
Ata thonë se modele të tilla gjenden vetëm në sisteme presidenciale ose në ndonjë vend të veçuar evropian, kurse e kundërta, bashkimi i mandateve, është dominues në kontinent. Edhe ata mund të kenë të drejtë. Gjithsesi mbetet interesant fakti se të gjithë i referohen modeleve amerikane, gjermane, franceze dhe “harrojnë” praktikën kushtetuese të Kosovës, ku me kushtetutë deputeti nuk mund të jetë njëherësh edhe ministër. Pra projekti “Rama” është aplikuar në Kosovë prej vitesh dhe ka tashmë një praktikë referimi brendashqiptare.
Gjithsesi, dy palët merren me argumente universale dhe i kushtojnë pak rëndësi specifikave të nismës në realitetin shqiptar, të cilat mund të jenë përcaktuese. Së pari sepse tek ne, për shkak të sistemit zgjedhor, të zgjedhurit nga populli nuk janë aq shumë të zgjedhur sa janë de facto të emëruar nga kryetari/partia dhe sistemi i mbyllur i votimit. Pra nuk jemi në rastin klasik të raportit midis të zgjedhurve dhe të emëruarve.
Së dyti, sistemi ynë kushtetues me ndryshimet e vitit 2008 krijojnë një ekzekutiv të fortë, një kryeministër të fortë që thuajse e ka të pamundur të rrëzohet me mocion mosbesimi. Përballë forcës së tij dhe fuqisë së tij absolute në caktimin e listave parlamentare fuqia reaguese e një deputeti është minimale. Nuk kanë rëndësi fraksionet, qefjmbetjet, rivalitetet, -kryeministri mbetet aktori kryesor i politikës. U pa gjatë 2009-2013 kur kryeministri me 72 vota bëri gjithçka deshi me shtetin dhe pushtetin, me partinë e tij dhe pronën private e publike.
Së treti, modeli i deputetit shqiptar në tërësi është ai i njeriut në kredi, me harxhime të mëdha elektorale dhe me synim të përfitojë nga pushteti për të kompensuar financat private. Kjo kategori është kundër çdo eksperimenti që e veçon atë nga ekzekutivi dhe burimi financiar. Mund të ketë kompensim përmes pushtetit qeverisës lokal që i jepet, të drejtës për emërime drejtorësh apo në poste publike, por kjo nuk vlen për të gjithë sepse nuk ka poste për të gjithë.
Së katërti, ministrat ose kandidatët tanë për ministra nuk janë personalitete publike me ndikim, pra njerëz që me përvojën, emrin, prestigjin e detyrojnë kryeministrin ti përfshijë në kabinet. Ministër mund të jetë kushdo, deri edhe emra të panjohur periferie pa identitet e prestigj publik, siç është modeli i sotëm i ministrit të brendshëm, të punës, të jashtëm, etj, ose siç të majtët kanë pasur me shumicë në vitet 1997-2005.
Duke qenë të tillë ata ia delegojnë përzgjedhjen kryeministrit, i binden vetëm atij, nuk kritikojnë, nuk kundërshtojnë, bëhen militantë të bindur dhe nëse shkarkohen prej tij humbasin çdo privilegj dhe shans për të ardhme politike. Për shkak se shumë prej tyre nuk kanë profesion tjetër veç mbijetesën përmes politikës, ikja prej politikës, pra prishja e marrëdhënieve me kryeministrin - kryetar është për ta fundi i karrierës, ndaj edhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që kjo të mos ndodhë.
Së pesti, hyrja në ekzekutiv dhe pamundësia e parlamentit për të bërë mocione mosbesimi ndaj ministrave, mund t’i bëjë këta të fundit arrogantë dhe ta pandjeshëm ndaj zërit dhe kërkesave të deputetëve, gjë që mund të ketë pasoja për zgjedhjet e ardhshme dhe efektivitetin e qeverisjes. Ministrat do jenë 100% në varësi të kryeministrit, dhe pa asnjë ndjenjë ose detyrim varësie ndaj parlamentit, duke rrezikuar kështu edhe funksionin kushtetues të parlamentit.
Së fundi, një parti e madhe si PS mund të ketë disa kandidatë për ministra, por për partitë e vogla aleate nuk ka shumë vend për fantazi e konkurrencë emrash. I njëjti standard mund të sjellë produkte të ndryshme në parti të ndryshme. Për shkak se kryeministri është i detyruar të marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë në krijimin e qeverisë, siç janë detyrimet e marrëveshjeve personale ose me aleatët, detyrimi për përfaqësim gjinor, krahinor, fetar, moshor, etj, e bën cilësinë e përzgjedhjes edhe më të kufizuar, për pasojë edhe më dyshimtë dhe më problematike.
Të gjitha këto argumente dhe specifika të sistemit politik dhe kulturës politike shqiptare vlejnë dhe mbetet të provohen. Bashkëqeverisja sjell rrezikun e marrjes së suksesit nga njëra palë, shpërndarjes së përgjegjësisë për dështimet tek shumë palë, pamundësi adresimi të qartë të problemeve dhe nevojën për kompromise, të cilat shpesh cenojnë rëndë edhe parimet politike dhe pritshmërinë publike. E gjitha ka kosto politike, elektorale dhe ekonomike, për partitë, por më shumë për qytetarët dhe vendin. Gjithsesi rotacionet sjellin një frymë pozitive, sjellin optimizëm dhe përçojnë edhe pak idealizëm. Ka ndodhur më 1992 dhe më 2005. Duhet të përsëritet edhe tani, sidomos tani kur pala humbëse mbetet opozitë formale parlamentare, pa peshë numerike dhe cilësore në vendimmarrjet kryesore politike të mazhorancës së re.
Parashikimet janë të hapura. Mund të ndodhë që pala fituese t’i tejkalojë me vullnet pozitiv barrierat e mësipërme që lidhen me debatin ministër – deputet, aleancat, kompromiset, dhe kështu, të bëjë ndryshimin nga praktika e tranzicionit. Siç mund të ndodhë e kundërta, që edhe ky eksperiment politik ekstra-kushtetues të ketë fatin e çdo eksperimenti tjetër sezonal të tranzicionit. Ajo që është e sigurt dhe që mund të thuhet që tani me zë të lartë është fakti se as vendimi për ndarjen e posteve, as premtimet për stabilitet qeverisës midis aleatëve dhe as aplikimi i modeleve të tjera eksperimentale nuk janë thelbësore dhe nuk janë përcaktuese për fatin dhe bilancin e qeverisjes së re.
Ajo do varet nga faktorë të tjerë: - nga aftësia për administrim të drejtë, nga vizioni e vullneti për reforma reale, nga distanca midis presionit të brendshëm të interesave partiake dhe interesave të jashtme publike, nga kurajë për të bërë shtet dhe jo pushtet të një pale, nga gatishmëria për të kapërcyer vetveten dhe pengjet e vjetra dhe të reja zgjedhore, nga vendimet e premtuara për zgjerimin e demokracisë direkte dhe krijimin e një sistemi meritokracie në çdo nivel ekzekutiv, si dhe nga përkushtimi për qeverisje të drejtë, të ndershme, të ndjeshme, transparente dhe me sens përgjegjësie.
Duken shumë, por këto janë sfidat reale dhe vetëm këto do të mund të sillnin ndryshmin, rilindjen, ecjen e shpejtë apo slogane të tjera të premtuara në fushatën për vjeljen e votës së qytetarëve dhe të turmës. Gjithçka tjetër, gjithçka ndryshe, do të ketë vlerën e debatit aktual deputet apo ministër, një "shiu vere" që nuk lag, nuk krijon dallgë, nuk dëmton askënd dhe që zgjat pak, shumë pak për ti lënë vendin vjeshtës së qeverisë së re dhe të rënies së gjetheve.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)