Përvjetori i Njëqindtë, 3 shkrime
të panjohura nga arkivat

Përvjetori i Njëqindtë, 3 shkrime <br />të panjohura nga arkivat
Dita e 28 Nëntorit âsht e para dit'e Përlindjes s'onë dhe ndër festat t'ona kombëtare, âsht pra m'e shënuara. E tillë do të jetë sa të rrojë fara shqiptare...."
"... asht agimi, qi sot ka skuqun majet e Kaninës, âsht brohorija e burravet, qi përshëndesin flamurin e ngrehun në Vlonë. Sot âsht festa e Ditës 28 Nânduer 1912....
Këjo ditë fatbardhë duhet të jetë nji ditë armëpushimi për nè, ditë qi, na përmendë sa e sa kujtime t'âmbla, qi na qorton e na ep mësime për kohën e ardhëshme...."
"Plot 20 vjet para, më 28 - XI - 1912, nji kuvênd burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisín e Ismail Kemalit, i shpalli botës se Shqipnija, aty e mbrapa, do t'ishte vetëm e Shqiptarvet, se këta do t'ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj'ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gjâ të vet, se i hueji nuk do të guxonte mâ me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve...."

Po e filloj këtë hyrje të shkurtër paraqitëse të tre shkrimeve të mëposhtëme për 28 Nëndorin 1912, me tre fragmente nga poaqë artikuj, që mbajnë përkatësisht nënëshkrimet e Sotir Gjikës, Luigj Gurakuqit dhe Mustafa Krujës. Të tre kanë qënë bashkëkohës, nuk kanë patur shumë vite ndryshimi në moshë me njëri tjetrin, kanë qënë miq në jetën vetiake dhe të një mendimi në jetën politike. Përfaqësonin inteligjencën e re qytetare të Shqipërisë së pavarur, një shtresë që nuk rridhte e nuk kishte përparësitë që gëzonte aristokracia, e shquar në jetën administrative të perandorisë otomane e që, me lindjen e Shtetit të ri, ishte vënë në krye të tij. Tre shkrimet janë botuar në tre organe të ndryshme të shtypit të kohës e në tre përvjetorë jo të njëjtë të 28 nëndorit.

I bashkon të tre entuziazmi për ditën e Flamurit, bindja se ajo është më e shënuara e historisë së popullit të tyre, pra duhet të qëndrojë në majën e vlerave të kujtesës së tij, besimi në fuqinë morale e në rolin kryesor të tij në farkëtimin e saj, shqetësimi për rrugën e tij mes shumë vështirësish, përkushtimi ndaj çështjes së tij e besnikëria ndaj vlerave që simbolizonte ajo datë.

Të tre ishin pjesëmarrës të asaj ngjarjeje madhore. Luigj Gurakuqi kish qënë "krahu i djathtë" i Ismail Qemalit, kishte ndarë me "plakun e Vlorës" gjithë përpjekjet për çështjen kombëtare në vitet fill para Kuvendit të Vlorës, kishte qënë shoqërues i tij në vizitat e udhëtimit të fundit drejt qytetit bregdetar, në Bukuresht, në Vjenë, në Romë, në Trieste, në lundrimin për Durrës e, më pas, në rrugëtimin e vështirë mes baltrave të fushave deri në Aulonën e lashtë. Mustafa Kruja kish shoqëruar dhe ai karvanin e Pavarësisë nga Durrësi drejt Vlorës. Të dy kishin qënë firmëtarë të Dokumentit të Kuvendit të Vlorës, madje Gurakuqi ishte dhe hartues e shkrues i tij. Sotir Gjika nuk ishte i pranishëm në Vlorë, por në takimin e Ismail Qemalit me shqiptarët në Trieste, para se të merrte vaporin Lloyd Adriatica-s për Durrës.
Shkrimet, që po ribotohen sot, i përkasin viteve të ndryshme, por gjithmonë një përkujtimi, atij të festës së Flamurit.

Sotir Gjika e botoi "XXVIII NËNTOR"-in më 1918, në të përjavëshmen "Kuvêndi" që drejtonte vetë në Romë e që, në vitet 1918 - 1920, u bë tribuna më e rëndësishme e mendimit politik shqiptar në Itali e më gjërë. Shkrimi është një sintezë e goditur e rrethanave dhe motiveve historike që përcaktuan ndërgjegjësimin e shqiptarëve në drejtim të pohimit të çështjes kombëtare, strategjisë së tyre për shtetin e pavarur, që u kristalizua me Lidhjen e Prizrendit e vazhdoi deri në Kuvendin historik të Vlorës. Edhe se përkujtimi i ditës së Flamurit bëhet në vitin 1918, kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nga ushtri të shteteve të ndryshme, kur e ardhmja mbartëte më shumë se një hije e pasiguri në rrugën e saj, autori i shkrimit mbetet optimist. Kjo ndiesi mbështetej në dy koncepte, të rrënjosura thellë në idealizmën shqiptare : shpresa e besa. Këto i japin gazetarit të shquar atdhetar bindjen se "ditët e bardha" , aqë shumë të dëshëruara, nuk do të mungonin në Atdheun e tij. Afërsisht mbeti vetëm ëndërr idealistësh...

Luigj Gurakuqi botoi artikullin "Dita 28 nanduer" në "Ora e maleve" të qytetit të tij, Shkodrës mijavjeçare, në vitin 1923, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 27 dhjetorit. Shkrimi i tij, që mban nëntitullin "Kujtime e mendime", ndjen peshën e çastit politik të cilit i përket. Ai pasqyron shqetësimin atdhetar t'autorit, që e sheh Vendin në prag të një zgjedhjeje të rëndësishme për fatet e tij. 28 Nëndori, për autorin, nuk është vetëm përvjetori i një date të madhe, që shënoi në kalendarët shqiptarë me ngjyrë të kuqe ditën kur "Shqipnija duel më vete", por edhe një rast përsiatjeje kombëtare, një çast bilanci e armëpushimi, ku armët e mprehta, jo gjithmonë të ndershme, të politikës duhej t'i lëshonin vëndin ballafaqimit të hapur të ideve për projektet e s'ardhmes, rrahjes së mendimeve mbi rrugët, nëpër të cilat duhej të kalonte Shqipëria për t'i sendërtuar ata.

Shqipëria duhej të kujtonte me nderim bijtë e saj, të rënë për kombin e bashkuar, por, kryesisht, ajo duhej të ndërtonte t'ardhmen, në të cilën, të tjerë bij të saj do të çonin përpara realizimin e ëndrrave të asaj dite të vjeshtës së tretë në Vlorë.

Shkrimi i tretë ,"Kuptimi i XXVIII Nandorit", doli nga penda e Mustafa Krujës, me kërkesën e gazetës "Shqipëria e Ré" të Konstancës në Rumani, në prag festën e vitit 1932, kur autorët e shkrimeve të para nuk jetonin më. Sotir Gjika kish vdekur nga sëmundja në moshën 37 vjeçare, dy vjet mbas 2 marsit të mallkuar 1925, kur një plumb tradhëtar i një bashkëqytetari, madje i një kushëriri, ndau nga jeta e nga Shqipëria Luigj Gurakuqin. Mustafa Kruja shkroi në rastin e 20-vjetorit të ngjarjes së madhe. Mbas njëzet vitesh nuk ishte më as vrulli, as entuziazmi, as energjia e 25 vjeçarit që hidhte në letër verbalet e mbledhjeve të së parës Qeveri të Shtetit të pavarur e të bashkuar të dheut të Arbërit.

Entuziazmi i kish lëshuar vëndin zhgënjimit, vrulli dhe energjitë nuk ishin më shprehje e së përditëshmes, por ishin të pranishme kujtimet e gjalla t'asaj dite, të atyre ditëve, të atyre kohëve. Kishte mbetur i pacënuar dhe ideali i asaj dite, ajo dëshirë e zjarrtë për të fluturuar në krahët e ëndrrave që ravijëzonin Shqipërinë e ardhme. Në njëzet vjet ato ëndrra ishin tkurrur, sepse Shqipëria u lind uloke e vazhdonte të ndiente dhimbjet e plagëve të cungimit, si pasojë e sendërtimit të interesave të të tjerëve popuj në dëm të saj. Ishte kjo plaga e hapur në zemrën e shqiptarëve sepse "s'âsht e mundun për né mos me e çue mênden edhe ke vllaznit t'anë qi vuejnë në nji robní politike ndër mâ të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet...." Por në këtë shqetësim, në këtë travajë e dhimbje, që u bënë leitmotivi i nacionalizmit shqiptar të shekullit të shkuar, autori gjen një forcë ngushullimi e shprese tek besimi në fuqinë, qëndresën e gjallsinë e bashkatdhetarëve, cilësi që burojnë nga ajo lëndë krijuese e veçantisë së racës që ka përcaktuar mbijetesën në lundrimin mijëvjeçar mes furtunash të historisë.

Autori shënon një nëntitull : "Për djelmninë shqiptare". Objekti i përkushtimit të mendimit në këtë ditë të shënuar ishte rinia shqiptare. Me të lidheshin shpresat për t'ardhmen, për realizimin e synimeve të ecjes përpara në kahun e zhvillimit, të mirëqënies e, kryesisht, të Kombit të bashkuar. Ky ishte kuptimi i 28 Nëndorit për Mustafa Krujën, një mesazh gjithmonë i gjallë e miklues drejtuar rinisë.

Ky mesazh do t'ishte dhe sot i domosdoshëm, mbas njëqind vjetësh të Ditës së Pavarësisë, edhe se koha ka sjellë ndryshime tepër të mëdha. Sot kemi një rini kozmopolite, më shumë qytetare të botës se sa të Shqipërisë, për të cilën problemet u bënë tragjedi të pashembullta, që kur Festa e Flamurit u binjakëzua, apo më drejt u hijesua nga një tjetër datë e ngjitur me të.

Sot, më shumë se në kohën kur përkujtohej nga figurat e mësipërme 28 Nëndori, Atdheu ka nevojë për ndihmesën e rinisë që, përjetësisht, ka një mision universal, atë të përtëritjes së Kombit , të vlerave të tij, të synimeve, të vetë Shtetit. Ky proçes, që nuk duhet të njohë ndalesa, duhet të kryhet në ujdi, jo vetëm me kohën e shekullit të globalizuar që ecën tepër shpejt, por edhe me ëndrrat e idealet e atyre "Etërve Themelues", që flijuan gjithshka patën, për të nderuar e ngritur lart përfytyresën e Shqipërisë në logun e kombeve t'Evropës.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi