Përvjetori/ Ramirez Albanezi
heroi që Spanja i ngriti këngë

Përvjetori/ Ramirez Albanezi<br />heroi që Spanja i ngriti këngë
Biseda nisi rastësisht në zyrat e një banke. Ekonomistja pyeti me kuriozitet klientin se emri juaj është tepër i veçantë, nuk e kam hasur asnjëherë nga prapashtesa duket si latino-amerikan.

-Mos keni lindur atje? Klientit të bankës, djaloshi iu përgjigj disi i ndrojtur:
-Jo, nuk kam lindur atje. Prindërit e mi nuk kanë qenë ndonjëhere në Amerikën Latine. Ata më kanë vënë mua emrin e Heroit të Popullit Ramiz Varvarica, që ra heroikisht në Spanjë, në luftën kundër fashizmit.

Spanja e kujton për trimëritë e bëmat e tij të guximshme. Aso kohe, atje i kishin ngritur një këngë ku e quante kapiten Ramirez Albanezi. Kur përmendim Spanjën, përfytyrojmë një vend fantastik të eksploratorëve të mëdhenj që zbulonin kontinente, të piktorëve të famshëm si Velasquez e Goya, por edhe Picasso, kujtojmë Don Kishotin e Sanço Pançon, vendin e konkuistadorëve, të kitarave, teodorëve, të kastanjetave, të flamengove dhe dashurive pasionante.

Nga historia kujtojmë Spanjën e shekullit 16-të, kur mbretëronte Karli V si një nga fuqitë më të mëdha të botës që pushtoi Meksikën, Perunë e pothuajse gjithë Amerikën e Jugut. Kujtojmë luftën e popullit spanjoll për liri që me ‘guerillos – partizane’, e shkatërruan dhe e larguan nga toka e tyre ushtrinë e famshme të Napoleon Bonapartit e tj. Kur përmendim Spanjën, kujtojmë edhe një periudhë tragjike 1936 – 1939, kur populli spanjoll dhe brigadat internacionale bënë një luftë heroike për liri e demokraci, për mbrojtjen e Frontit Popullor nga koalicioni fashist ndërkombëtar.

I madhi Albert Einstein në një kongres të shkrimtarëve, këtë luftë e vlerësonte si një ngjarje politike me rëndësi të jashtëzakonshme për ruajten e shpresës, për një të nesërme më të mirë, për liri e dinjitet njerëzor. Agresioni fashist iu sul popullit spanjoll me një egërsi të paparë dhe tërë popujt e botës kuptuan se kjo luftë ishte prologu i Luftës së Dytë Botërore. Solidariteti ka qenë i jashtëzakonshëm.

Për herë të parë në historinë e luftrave të popujve, vërshuan në Spanjë vullnetare nga 53 vende të botës, të cilët krijuan brigadat internacionale të vullnetarëve të lirisë. Për një qëllim të përbashkët, ishte shumë domethënëse, që në llogore jepnin jetën e tyre Italiani, Shqiptari, Gjermani, Rusi, Francezi e tj. Vullnetarët e lirisë ishin punëtorë, fshatarë, intelektualë e studentë, me pikpamje ideologjike e besime fetare të ndryshme.

Ata lanë familjet, punërat, shkollat, tokat e tyre dhe u bashkuan me popullin spanjoll, luftuan krah për krah me të per liri e demokraci, duke dhënë jeten. Ishin këto rreziqe që kanosnin njerëzimin si dhe aspiratat për një të ardhme më të mirë, që dhe nga vendi i shqiponjave me një popull të vogël por trim e liridashës, që Europa e njeh mirë, të dilnin vullnetarë, të cilët pa asnjë lloj pretendimi luftuan në vijën e parë të frontit, me një trimëri të paparë.

“Adelante Camaradas” ishte thirrje lufte e vetmohimi për luftëtarët e brigadave internacionale. Kjo thirrje, në këto ditë prilli më kujtonin njërin prej tyre, trimin nga Dibra e Madhe, heroin e popullit Ramiz Varvarica. Në hyrje të Dibrës së Madhe ishin tre kulla të vëllezërve Fejzulla, Maliq dhe Hajredin Varvaricës. Ramizi u lind në vitin 1900, në kullën e Fejzullahut. Prindërit e tij Fejzullahu dhe Zadja ndërruan jetë në moshë të re. 

Për rritjen e edukimin e Ramizit 3 vjeçar dhe vëllait të tij më të madh Saliut u kujdesen xhaxhallarët. Që në moshë të re Ramizi u përball me vështirësitë e jetës. Kullat e Varvaricave u dogjën e u shkatërruan disa herë nga pushtuesit turq e serb, por nga dashuria për vendin e tyre, ato i rindërtonin përsëri derisa egërsia serbe e bërë të pamundur jetesën në trojet e tyre. Vëllezërit Varvarica emigruan një e nga një drejt Shqipërisë.

Në vitin 1913 Saliu u vendos në Elbasan, punoi gjatë gjithë kohës në PTT. Kishte një djalë Nazmiun që megjithëse i verbër ka qenë violinist me emër në grupin e Sul Myzyrit. Saliu ka vdekur në vitin 1974 ndërsa i biri në vitin 1956.

Ramiz Varvarica fillimisht u vendos në Peshkopi ku dhe u shkollua. Më vonë u sistemua në Tiranë në lagjen “Babarake” sot rruga “Siri Kodra” në shtëpinë e Ahmet Maliq Varvaricës. Që në fëmijëri ai ndjeu shtypjen e mizoritë e pushtuesit serb. Tek ai kaliten qendresa e trimërisë, u edukua patriotizmi i flaktë nga bisedat në odat dibrane, cilësi që do ta karakterizonin gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. Në ngjarjet e vrullshme të viteve 1919 – 1920, Ramizi gjendej në ballë të luftës.

Ai ishte oficer i Ushtrisë Shqiptare. Dibrani trim u bënte thirrje oficerëve italianë në Gjirokastër, që nga porta e kalasë të dilnin vetëm, pa materialet ushtarake dhe kështu u bë. Ai mori pjesë në mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Lushnjes, luftoi me trimëri në luftën e Vlorës në 1920, në shpartallimin e ushtrive serbe në shkallë të Tujanit dhe në Gurë të Bardhë. Ramizi ishte militant e demokrat revolucionar dhe ruante idealin e një Shqipërie demokratike dhe kjo për të, qendronte mbi çdo gjë. Ai mori pjesë në Revolucionin Demokratik të vitit 1924 përkrah Fan Nolit.

Pas rënies së qeverisë së Fan Nolit emigroi në Francë, ku punoi në disa miniera dhe në industrinë e prodhimit të automobileve. Ai u dallua si një sindikalist aktiv e revolucionar. Stuhia e fashistëve të viteve 1936 kapërceu kufijtë e vendeve ku lindi.

Ai gllabëroi shumë popuj. Ramizi më i pjekur se kurrë, me një përvojë të gjithëanshme e vlerësoi situatën ndërkombëtare, gjendjen e vështirë të vendit të tij dhe rrezikun fashist për të gjithë popujt. Ai kuptoi dhe iu përgjigj që në fillim thirrjes së popullit spanjoll, kapërceu Pirenjt dhe u gjend në tokën spanjolle, atje ku koalicioni fashist demostronte fuqinë e tij kundrejt popullit të paarmatosur, duke vrarë djemtë më të mirë të Spanjës.

Ramizi luftoi me trimëri në fillim si luftëtar i thjeshtë. Më pas duke vlerësuar aftësitë e tij në fushën e betejës u gradua kapiten në brigadën e XII “Garibaldi”. Të gjithë ato që e kanë njohur Ramizin në Spanjë, në shkrimet e tyre kujtojnë mirë një këngë që luftëtarët e brigadës ” Garibaldi” kishin ngritur për të:

“Sa mirë përparon kompania parë
Është më e forta në gjithë bataljonin,
Sepse komandon Ramizi nga Shqipëria
Ramiz Albanezi më i fuqishëm se topi”.

Brigada “Garibaldi” zhvilloi luftime të ashpra  dhe të jashtëzakonshme për mbrojtjen e Madritit, ku luftëtarët e lirisë treguan trimëri të rrallë. Në këto luftime Ramizi u plagos rendë. Justina Shkupi, motra apo “Shqiptarja e vogël” siç e quanin vullnetarët, vraponte nëpër llogore duke ndjekur e kuruar të plagosurit.

Ajo shërbeu në spitalin e brigadave internacionale në Murcia dhe kujtonte “Me këto gërshërë ia kam prerë fashot Ramizit, i nxirrja plumbat sa herë u plagos dhe kujtoj se sa e donin shoket”. Në prill të vitit 1938, koalicioni fashist i Hitlerit, Musolinit e Frankos kishin ndërmarrë një ofensiv të egër e të papërmbajtur në frontin e Aragonës.

Ramizi me të plagosurit dhe të sëmurët ishte vendosur në këndin ku lumi Gualdalupe derdhet në Ebro, pranë Kaspes. Ai u sulmua nga dy bataljone. Të gjithë vendosen të luftonin me vetmohim dhe tek fashistët të mos dorëzoheshin. Të nesërmen në mëngjes erdhi një korrier që njoftoi se kapiteni Ramiz Albanezi po përballon dy bataljone dhe kërkon ndihmë. Njeriu i fundit me të cilin u pa Ramiz Varvarica dhe që i mbylli sytë ishte shkrimtari ynë Petro Marko.

Ai kujton “Kur vamë ne, asnjë krismë nuk dëgjuam. Të gjithë të plagosurit dhe të sëmuret kishin luftuar dhe ishin vrarë. Ramizin e gjetëm mbi një mitroloz, të copëtuar të bërë shoshi. Ai ishte akoma gjallë, plumbat e kishin marrë dhe në fyt. Kur më pa, më njohu e desh të fliste, por zëri i dilte si ulërimë. Më shtrëngoi duart dhe pastaj i lëshoi. I zura sytë dhe lotët me rodhën çurk. Shokët e tjerë më panë dhe s’më thanë gjë, se dhe ata qanë për Ramiz Varvaricën, luftëtarin shqiptar që kishte shpëtuar bataljonet nga rrethimi”.

Djemtë e Shqipërisë, që luftuan në Spanjë, ishin ajka e djemërisë shqiptare. Ata ishin trima, me zemër të madhe, ishin intelektualë të mirëfilltë, që dinin të vlerësonin situatat, ishin pasardhës në shekullin 20 të Gjergj Kastriotit dhe Rilindasve tanë të mençur e trima.

Disa, si Zef Hoti nga Shkodra, Urfi Agolli dhe Ramiz Varvarica nga Dibra e Madhe, Asim Vokshi e Xhemal Kada nga Kosova, Zeni Konomi nga Korça, Musa Fratari nga Permeti, Thimio Gogozoto nga Çamëria, Dhimitraq Kosta nga Leskoviku e tj., ranë heroikisht në fushën e betejës duke nderuar familjet e krahinat, ku u lindën dhe u rritën. Shqipëria i nderoi duke i bërë heronj e dëshmorë të kombit për të mos u harruar kurrë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh