Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Presidenti Nishani letër Ruçit dhe Vasilit

Qëndrimi i Presidentit të Republikës në përgjigje të shkresës së Kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim
TIRANË, 8 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i është përgjigjur sot shkresës së Kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, zotit Gramoz Ruçi dhe zotit Petrit Vasili të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Në letrën e tij Presidenti Nishani shkruan se, "duke marrë shkas nga letra e dërguar nga dy kryetarët e grupeve parlamentare, të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me dekretet e Presidentit për emërimin e gjyqtarëve në vendet vakante të krijuara në Gjykatën e Lartë, detyrohem të sqaroj dhe të paraqes qëndrimin tim si President i Republikës, në funksion të veprimtarisë kushtetuese, si organ i pavarur dhe asnjanës, në raport me pushtetet e tjera, e kryesisht me atë ligjvënës".
"Që në fillim dëshiroj të them se me marrjen e statusit Vend Kandidat për në Bashkimin Europian kërkohet një qasje e re në veprimtarinë parlamentare në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese dhe të pavarura.Në këtë konkluzion, arrij pas një analize të punës së deritanishme të bërë midis dy institucioneve tona dhe atyre të pavarura, që jo rrallë herë me keqardhje konstatoj se lënë për të dëshiruar", thekson Nishani.
Sipas Presidentit të Republikës, "Praktika të tilla, bllokuese dhe të paargumentuara ligjërisht, siç janë vendimmarrjet parlamentare për mosdhënien e pëlqimit në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend".
"Në gjykimin tim si dhe në gjykimin tonë të përbashkët, Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, pavarësisht ndarjes partiake, apo interesit afatshkurtër apo afatgjatë politik", thekson Presidenti Nishani.
"Duke u kthyer në analizën e konstatimeve të parashtruara në letrën që më keni dërguar, më duhet të them se ato janë të pavërteta dhe të pambështetura në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë i cili rregullon në mënyrë të qartë procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ligj i miratuar me konsesus gjithpërfshirës në Kuvend, si dhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, tashmë të konsoliduar për ne dhe të aplikueshme për herë të parë gjatë këtij mandati presidencial", shkruan Nishani.
Sipas Presidentit të Republikës, "E gjithë praktika e deritanishme e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nga Institucioni i Presidentit të Republikës, është konsideruar që në fillim dhe në mënyrë të padiskutueshme si një proçes bashkëpunimi midis Gjykatës së Lartë (me bërjen e njoftimit për vakancë), Presidentit të Republikës (me shpalljen e konkurrimit, verifikimin e dokumentacionit të konkurrentëve, publikimin e listës së kandidatëve, konsultimet me grupet parlamentare deri në dekretet e emërimit) dhe Kuvendit (nëpërmjet konsultimit dhe dhënies së pëlqimit), një tërësi proçedurash të vërtetuara dhe të njohura nga çdo deputet dhe të bëra publike për mbarë opnionin qytetar".
Nisur nga kjo logjikë e ligjës,, vijon Nishani, "është absurde që ju të pretendoni se Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit".
"Parë me syrin e dorëzanësit të Kushtetutës dhe ligjit, në këtë proçes janë përfshirë edhe ekspertë konstitucionalistë dhe të botës akademike, të cilët me ekspertizën e tyre kanë kontribuar në vendimmarrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të bëra tashmë publike", shkruan Presidenti Nishani.
Nëse i shikojmë me vëmendje dhe krahasojmë konstatimet dhe rekomandimet tuaja,, shton më tej Presidenti o Republikës, "ato janë kontradiktore, pasi jo vetëm nuk mbështeten në dispozitat e ligjit mbi të cilat është zhvilluar deri tani praktika e emërimit, por dhe në pretendimin tuaj se këto dispozita janë shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese (pa numër dhe datë), vendim për të cilin vetëm ju kishit dijeni, pasi një vendim me përmbajtje të tillë është shpallur nga Gjykata Kushtetuese vetëm ditën e djeshme, datë 7 korrik 2014 dhe mban nr. 40".
"Neni 132 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë sanksionon pa asnjë mëdyshje se vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare ose në një datë tjetër, kur vetë Gjykata vendos kështu. Për sa kohë Vendimi nr 40, datë 7 korrik 2014 i Gjykatës Kushtetuese është botuar në fletoren zyrtare nr 104, datë 8 korrik 2014, dispozitat në fjalë janë shfuqizuar pikërisht sot dhe nuk mund të konsideroheshin apriori si të shfuqizuara me datë 27 qershor, data që mban letra juaj. Pra, me gjithë vullnetin maksimal për bashkëpunim luajal ato nuk mund të merreshin në konsideratë deri më sot", vijon Nishani.
"Në zbatim të Ligjit Nr. 151/2013 "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8588, datë 15.3.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë", si rrjedhojë e mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për dy kandidaturat e emëruara me dekretet Nr. 8395 dhe Nr. 8396, datë 22 nëntor 2013, Presidenti i Republikës, më datë 21 mars 2014, njoftoi vijimin e proçedurave ligjore për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë (proçedura të cilat ishin filluar më datë 10 tetor 2013)", shkruan Nishani.
Me këtë njoftim, vijon letra e Presidentit, " ishte përcaktuar data 4 prill si afat përfundimtar për paraqitjen e kërkesave të reja, përtej atyre të paraqitura nga personat e interesuar gjatë shpalljes së pare".
"Nga data 4 prill deri më 10 prill, nga një Komision i ngritur posaçërisht, është kryer proçesi i përzgjedhjes së kandidatëve duke verifikuar vetëm kushtet e pikës 1 të nenit 3 të ligjit 151/2013. Më datë 11 prill, ashtu si edhe në çdo rast tjetër kur janë zhvilluar proçese përzgjedhëse për anëtarët e Gjykatës së Lartë, listat janë bërë publike, çka është lehtësisht e verifikueshme në faqen ëeb: ëëë.president.al, por edhe duke konsultuar shtypin e ditës", shkruan Presidenti.
"Bazuar në nenin 4/1 të Ligjit 151/2013, periudha prej datës 11 prill 2014 deri më ditën kur janë zhvilluar takimet konsultative me krerët e gupeve parlamentare, jo vetëm që nuk bie ndesh me asnjë dispozitë ligjore, po ka qenë një kohë optimale për të zhvilluar verifikimet të cilat janë të domosdoshme për të verifikuar kriteret objektive të gjithsecilit kandidat si dhe pastërtinë e figurave që konkurrojnë (pasi kjo nuk është objekt i shqyrtimit nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë)", thekson në letrën e tij Presidnti Nishani.
"Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare PS, LSI, pavarësisht qëndrimit të pajustifikuar dhe të pambështetur në ligj të deputetëve të grupeve tuaja parlamentare për të mos miratuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pavarësisht pretendimeve të paargumentuara dhe jo të drejta të letrës suaj, unë, si Kryetar i Shtetit Shqiptar, mbetem me besimin se në Kuvendin e Shqipërisë, do të rikthehet praktika ligjore dhe kushtetuese duke respektuar jo vetëm pushtetet dhe institucionet kushtetuese të vendit, por edhe praktikën e konsoliduar prej shumë legjislaturash të këtij Kuvendi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë", përfundon letrën e tij Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. /a.ke/
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS