TIRANË – Pas marrjes së mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, pesë prej ligjvënësve shqiptarë kanë nxituar drejt universitetit “Krista” për të marrë diplomën e tyre të dytë. Në regjistrat e studentëve ndër vite të fakultetit juridik figuron se 5 deputetë shqiptarë janë diplomuar si juristë pranë këtij universiteti.
Lajmi është publikuar pas një investigimi të gazetës “IDEA”, një botim i studentëve dhe pedagogëve të gazetarisë me mbështetjen e fondacionit “Për një shoqëri të hapur”.


Deputetët janë:
Skënder Hasa, deputet i PS
Bedri Hoxha, deputet i PD
Ndue Paluca, deputet i PD
Rrahim Çota, deputet i PD
Artan Gaçi, deputet i PS

Sipas të dhënave që publikohen në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Hasa, pasi ishte diplomuar në Fakultetin Ushtarak, ka marrë në vitin 2005-2007 diplomën e juristit në universitetin Kristal.

Deputeti Hoxha, pasi ka qenë diplomuar për mësuesi, ka marrë në vitin 2009 diplomën e juristit në universitetin Kristal.
Deputeti Paluca, pasi ishte diplomuar ne Universitetin Bujqësor në Kamzë, në vitin 2005-2008 ka marrë diplomën e juristit në universitetin Kristal.

Deputeti Çota, pasi ka qenë diplomuar në universitetin Bujqësor në Kamzë, në vitin 2006 ka marrë diplomën e juristit në universitetin Kristal.

Deputeti Gaçi- zgjedhur deputet në vitin 2009, pasi ka qenë diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, ka marrë më pas diplomën e juristit në universitetin Kristal.(Në cv-në e deputetit Gaci nuk shënohet se kur e ka nisur dhe kur e ka filluar shkollën).

Hoxha ka deklaruar vetëm kohën e diplomimit, Korrik 2009, dhe nuk ka shënuar se kur e ka filluar. Ndërkohë që deputeti Artan Gaci nuk e ka deklaruar në cv-në e tij në faqen zyrtare të parlamentin se kur e ka filluar dhe kur e ka përfunduar fakultetin.

(aq/IDEA/shqiptarja.com)