Sot janë bërë 5 vite nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se heronjtë e lirisë po mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan.

“Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, shkruajnë atë në Facebook, krah një fotoje të ish-krererëve.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithësej dhjetë akuza mes tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Hashim Thaçi
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.

 Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.

Kadri Veseli
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor 2020 bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme”, tha Veseli, përmes një deklarate për shtyp.

Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020. Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, deklaroi ai.

Rexhep Selimi

Aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Rexhep Selimi e ka cilësuar “të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat. Sikurse Krasniqi, edhe Selimi më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:56
Kosovë, veteranët e UÇK protestë simbolike para EULEX-it

1762354671_ovluckparaeulexit.JPG

Në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës ka mbajtur një aksion simbolik para EULEX-it, duke vendosur në dyer një shirit të verdhë me mbishkrim “5 vjet padrejtësi e organizuar”, raporton Kosova Press. Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati tha se me këtë aksion simbolik organizatat e dala nga lufta i tregojnë UNMIK-ut e EULEX-it se po mbajnë peng ish-krerët e UÇK-së. Ai tha se EULEX-i po tenton që luftën çlirimtare të Kosovës ta barazojnë me hordhitë serbe-çetnike.I pyetur nëse beson në një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së, Gucati tha se nuk besojnë në drejtësinë e speciales.

Ndërsa, Bujar Haradinaj, ish-luftëtar i UÇK-së, tha se dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria Speciale janë bërë me dëshmitarë të paguar nga Serbia. Sot bëhen pesë vjet nga arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ora 12:52
Albin Kurti: Thaçi dhe ish krerët e UÇK duhet të lirohen

1761474952_kurti.JPG

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti thotë se Hashim Thaçi dhe ish krerët e tjerë të UÇK, duhet të lirohen. Ai u shpreh në ditën kur shënohen 5 vjet nga arrestimi i tyre nëpërmjet një postimi në facebook, ku shpërndau për ndjekësit e tij edhe një letër të vitit 2022. Aty siç thotë Kurti, i ka kërkuar Kryetares së Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova të njëjtën gjë po shpreh sot në 5 vjetorin e arrestimit të tyre. Kurti thotë se ky është një qëndrim i vjetër i tij, por letrën me kërkesën e cila sic thotë u refuzua dy javë pasi ishte dërguar e publikoi vetëm sot pasi gjykon se ata duhet të ishin pranë familjeve të tyre dhe të gjykohen në gjendje të lirë. 

Më poshtë postimi i Kurtit