Peshkatarët 24 orë në det: Po
mbyteshim, s'po qëndronim dot

DURRES - Mbyllet me një fund të lumtur historia e 2 peshkatarëve të cilët prej mëngjesit të djeshëm humbën në det të hapur. Fatmir Ismaili dhe Gëzim Bashllari, të dy 25 vjeçarë, nga Vlora kishin dalë për peshkim në orët e para të mëngjesit (të së premtes ) nga bregdeti i Vlorës dhe disa orë më vonë kishin kërkuar ndihmë pasi rrezikonin të mbyteshin.

Fatmir Ismaili dhe Gëzim Bashllari ishin nisur dje (29 mars) për peshkim me një gomone nga bregdeti i Vlorës, por era e fortë dhe deti i trazuar me dallgë të mëdha ka shtyrë gomonen gjithnjë e më tepër drejt veriut, deri në gjirin e Durrësit, 12 milje larg bregdetit ku janë gjetur rastësisht nga kroçiera italaine "Costa Vouager". Ata janë gjetur pranë ishullit të Sazanit, rreth 2 milje në veri të tij dhe 10 milje larg nga grykëderdhja e lumit “Shkumbin

Gjithë ditën e djeshme deri në mbrëmje vonë dy helikopterët dhe anijet e Flotës detare u angazhuan në kërkime në hapsirën detare të gjirit të Vlorës, por nuk gjetë asnjë gjurmë të Gëzim Bashllarit dhe Fatmir Ismailit, ndërkohë që moti i keq me erë dhe deti i dallgëzuar vështirësoi kërkimet.

Shpresat se dy peshkatarët mund të jenë gjallë rikthehen sot në mëngjes kur nga një kroçierë italiane që po lundronte në ujrat shqiptare raportohet në kapitenerinë e portit ë Durrësit se kishin gjetur dy  persona të humbur në det.  Në orën 07:00 ishte kontakti i parë me peshkatarët në det më pas, kur të rinjtë (siç dëhmuan më vonë ata) kishin humbur shpresat trageti ishte kthyer pas për ti marrë. Operacioni i shpëtimit ndodhi në orën 07: 35 minuta dhe zgjati 5 minuta.
  
Pas verifikimeve u informua se peshkatarët ishin në gjëndje të mirë shëndetësore. Rreth orës 09:40 ata zbritën në portin e Durrësit.

Edhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi ishte në port dhe ka vlerësuar punën e personelit të korcieres duke shpëtuar jetën e dy të rinjve.

PESHKATARET RREFEJNE: ISHIM GATI NE MBYTJE NUK PO QENDRONIM DOT

Ora 14:00
Pasi u kryen të gjitha veprimet procedurale, dy peshkatarët kanë dalë nga ambientet e drejtorisë së policisë së Durrësit për tiu kthyer familjarëve të tyre. Për median ata kanë rrëfyer orët e tmerrit në det të hapur, kur gomonia e tyre ishte çarë fuste ujë dhe motori ishte i prishur.
“Ishte shumë e tmerrshme. Ishim gati në mbytje nuk po qëndronim dot. Pa ujë pa bukë. Dy helikopterë kaluan ne thërrisninim por nuk na panë se deti ishte i trazuar dhe kishte dallgë. Ata nuk na shikonin. Ishte e frikshme. Rryma sa na merrte e na çonte në një vend tjetër. Mundoheshim me duar por e pamundur” - kujton Fatmir Ismaili. “I shikonim që na vinin vërdallë por rryma na spostonte. Nuk kishte valë telefoni, më pas rashë në ujë dhe telefoni mori ujë. “- tregon Gëzim Bashllari duke kujtuar dhe momentin sesi kishin bërtitur dhe kishin tërhequr vëmendjen e tragetit.

DESHMIA: HELIKOPTERI NA KALOI MBI KOKE E S'NA PA

Dy peshkatarët shqiptarë i shpëtoi kroçiera italiane ndërkohë që helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes nuk kishte arritur t’i dallonte pavarësisht se u kishte fluturuar mbi kokë. Dëshmia është dhënë nga vetë 2 peshkatarët gjatë marrjes në pyetje nga policia. Ata kanë thënë se dje helikopteri u kishte fluturuar mbi kokë por nuk i kishte parë.
“Kur pamë helikopterin na u rikthyen shpresat se do shpëtonim,. por pavarësisht thirrjeve për ndihmë më kot. Helikopteri na kaloi mbi kokë e s'na pa. Trageti na kaloi njëherë dhe më pas është kthyer për të na marrë”- kanë dëshmuar në polici Fatmir Ismaili dhe Gëzim Bashllari. Ndërkohë që kroçiera pasi kishte bërë 1 km ishte kthyer prapa dhe i kishte marrë. Kapiteneria e Kroçierës dëshmon se një manovër e tillë ishte bërë për shkak të madhësisë dhe mjeteve motorike të tragetit.
 
FATI SHPETOI PESHKATARET
Gomonia në të cilën udhëtonin dy shokët 25 vjeçarë është pikasur rastësisht nga kroçierë turistike, në gjirin e Durrësit, 12 milje larg bregdetit. Varka u gjet në kepin e Selitës, ku kroçiera “Costa Vouager”,që vinte nga Italia, me qindra turistë në bord,  po kryente trajektoren e saj. Kapitaneria e kroçierës pasi ka njoftuar kapitenerinë e Portit të Durrësit, nisi operacionin e shpëtimit dhe imbarkoi në bord dy peshkatarët.

Lajmi për gjetjen e 2 peshkatarëve u publikua i pari në TV A1 REPORT dhe Shqiptarja.com online, pasi u informua nga korrespondenti ynë në Durrës, Artur Korriku, në orën 07:30 minuta. Kapiteneria konfirmonte se peshkatarët janë në gjëndje të mirë shëndetësore dhe kroçiera kishte ndryshuar drejtim për tu kthyer në portin e Durrësit, ku do zbriste peshkatarët.

Korrespondenti ynë në Durrës Artur Korriku informonte se era në drejtim nga jugu në veri ka shtyrë varkën në drejtim të Gjirit të Durrësit. Gomonia është gjetur në Kepin e Selitës, disa milje larg bregut të detit. Fillimisht  kapiteneria e Durrësit konfirmoi se dy personat janë peshkatarët e zhdukur prej ditës së djeshme nga bregdeti i Vlorës, dhe verifikimi ligjor do të bëhej me të zbritur në tokë.

peshkatare me logo
(Dy peshkatarët mbërrijnë në portin e Durrësit)

KAPITENI I KROCERES: SI SHPETUAM PESHKATARET, I GJETEM TE DERRMUAR  
Ora 09:45 
Në orën 09:40 minuta peshkatarët kanë zbritur në portin e Durrësit, dhe autoritetet mjekësore bënë kontrollin mjekësor. Më pas Kapiteti i kroçierës Xhovani Kosini ka treguar detaje të operacionit të shpëtimit që nga momenti kur kishte dëgjuar thirrjet e tyre për ndihmë.

“Operacioni zgjati 5 minuta. Një mjet i emergjencës së bashku me një skuadër shpëtimi zbriti në det. Ishin shumë të lodhur dhe sfilitur dhe nuk kishin fuqi as të imbarkoheshin në skaf. Nuk arrinin dot as me këmbët e tyre që të ngjiteshin në anije. Ekipi i ndihmoi.  Më pas në kroçierë janë trajtuar me personel mjekësor, i janë dhënë rroba, pasi të tyret ishin të lagura, si dhe i janë dhënë pije të ngrohta. Deti ka qenë shumë i ashpër, dallgët ishin 1.5 metra të larta dhe ata nuk arrinin dot as të hipnin me këmbët e tyre në traget,  duke e detyruar ekipin e shpëtimit ti mbajë në krahë. Ata më treguan se ishin të sfilituar pasi kishin disa ditë që ishin  në det dhe askush nuk i gjente, askush nuk i shihte" - tha Kosini.
Kjo është hera e parë që kjo kroçiere kryen një operacion shpëtimi në ujërat shqiptare, pasi operacione të tjera shpëtimi kemi organizuar në shumë shtete të tjera, si me këtë anije ashtu edhe me anije të tjera.

KAPITENI I PORTIT TE DURRESIT

Kapiteni portit të Durrësit, Hysni Aruci, tha se operacioni i shpëtimit u organizua në orën 7 e 10 minuta  "Kroçera ka ndërprerë lundrimin dhe sipas Konventave Ndërkombëtare, në bashkëpunim edhe me kapitenerinë e Portit të Durrësit, ka nisur operacionin për shpëtimin e tyre. Më pas ajo ka vijuar lundrimin edhe për 12 milje të tjera dhe aktualisht sapo ka mbërritur në basenin ujor të Portit të Durrësit. "- tha Aruçi.

Kroçiera me turistë francezë, italianë dhe rumunë, të ardhur me kroçierën do të qendrojë në portin më të madh të vendit deri në orën 20.00 të mbrëmjes së sotme.

KROCIERA E SHPETIMIT ZBARKON NE PORT

Reth orës 09:00, kroçera nisi ankorimin në portin e Durrësit. Në port kanë mbërritur dhe 2 autoambulanca dhe një ekip mjekësor për ti bërë kontrollin mjekësor 2 peshkatarëve, pasi kanë qëndruar 24 orë në det të hapur.

krociera ne durres me logo
(Foto: Kroçiera duke ankoruar ne portin e Durresit)





(VIDEO: Peshkatarët mbërrijnë në Port)

VIOLETA BASHLLARI: FALE MEDIAS DJALI IM ESHTE GJALLE

Violeta Bashllari në një prononcim telefonik për TV A1 REPORT falenderoi median për mbështetjen që i kanë dhënë me publikimin dhe ndjekjen e ngjarjes hap pas hapi.  “Ju faleminderit. Shumë faleminderit që ngritët gjithë instancat” - tha Violeta Bashllari. Ajo tregoi se kishte kontaktuar me djalin dhe i kishte treguar se kishte probleme me këmbët.

“Bisedova menjëherë me djalin dhe më tha se është mirë. Më tha se i ishin mpirë vetëm këmbët.”- tregon Bashllari, duke kujtuar orët e ankthit në pritje të një shenje jete nga djali 25 vjeçarëve. “Kemi dalë edhe vetë deri në Zvërnec në këmbë, më kanë ndihmuar edhe nipërit e mbesat.”

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve