Sektori i peshkmit në Durrës po përballet me një krizë të thellë për shkak të rritjes së çmimit të naftës si pasojë e konfliktit të armatosur në Lindjen e Mesme.

E ndodhur në këto kushte, ku rrezikon falimentimin, flota e peshkimit në Durrës ka organizuar një protestë  për t’i kërkuar ministrisë së linjës dhe  qeverisë subvencionimin e çmimit të naftës.

Çmimi i naftës është rritur shumë dhe flota e peshkimit ka hyrë në një krizë shumë të thellë. Deri tani nuk ka asnjë reagim, nuk ka asnjë lloj mbështetje dhe asnjë lloj sinjali që do të mbështetemi. Varkat janë të gjitha të bllokuara në port, njerëzit janë të detyruar të dorëzojnë licencat”,- tha Klodian Kapiti, kreu i sindikatës së peshkimit.

“Duhet të mbyllemi ne, të ndërpresim punën, që të kujtohen ata, që janë përfaqësuesit tanë në ministri, që ky sektor, me këto çmime, nuk mund të vazhdojë punën. Çmimi 600 lekë për litër neve na zë nafta koston mbi 50%. Me 1000-1100 lekë për litër që është sot ne jemi komplet jashtë kostos. Nuk mbetet as për ekuipazhin, as për të mbajt anijet sipër ujit”,– tha Besim Troplini, pronar peshkarexhe.

“Çmimi i naftës të futet tek bursa e transparencës, sepse ç,mimi i naftës po luan çdo ditë”,- tha Nderim Mezini, pronar peshkarexhe.

Në pamundësi për të paguar pagat dhe siguracionet e punonjësve, pronarëve të peshkarexhave rrezikojnë t’u largohet edhe krahu i punës. Punonjësit egjiptianë që përbëjnë 80% të forcës punëtore në këtë sektor, kërcënojnë se do të largohen, sepse e kanë të pamundur të mbajnë familjet.

“Shumë problem për zotin. Të gjithë gati për të ikur në Egjipt. Nuk ka lekë, nuk ka lekë”,– tha një shtetas egjiptia, që ka gati dy dekada që punon në peshkim në Durrës.

“Të gjithë ne do të shkojmë para kryeministrisë dhe ministrisë, pasi egjiptianët po ikin të gjithë. Janë mbi 400 veta që punojnë këtu”,– tha Merzini.

Takimet e organizuara rreth një muaj më parë mes Ministrit të Bujqësisë dhe përfaqësuesve të sektorit nuk kanë sjellë deri më tani asnjë rezultat konkret.

Në rastin e luftës në Ukrainë, kur çmimi i naftës u rrit ndjeshëm, qeveria Rama subvencionoi karburantin për sektorin e peshkimit. Në situatën e tanishme, kur qeveria dhe ministria kanë bërë veshin e shurdhët, apeli i flotës së peshkimit është:

“I bëjmë thirrje ministrit tonë të mbajë premtimin, që ke dhënë. Llafet që i thua para kolektivit të peshkimit duhet t’i mbash me përgjegjësi. Nuk mund t’i thuash llafet, të ikësh dhe të harrosh çfarë ke thënë”,- tha Besim Troplini.